Edmond Halili ka 15 vjet që është shpërngulur nga Shkodra dhe banon në qytetin e Durrësit.

Edhe në qytetin bregdetar ai bën punën e tij, atë të aktorit të humorit që bën të tjerët për të qeshur. Durrsakët e dinë se ai është shkodran, por Edmondi tregon se origjina e tij nuk është nga Shkodra por nga Tepelena dhe se ka lindur në Durrës. Meqënëse i ati ka qenë ushtarak, familja e tij u vendos në qytetin e Shkodrës qëkurse ai ishte fëmijë fare i vogël vetëm 3 vjeç.

Edmondi rrëfen për jetën e tij dhe për karrierën si artist në fushën e humorit që për të nuk ka qenë e lehtë si për ndokënd tjetër. E ka nisur me grupet amatore dhe pas vitit ’90 është aktor profesionist. Por edhe pse ka një jetë që bën të tjerët për të qeshur me aktrimin e tij, Halili tregon se ka një brengë të thellë në shpirt. Në vitin 1982, vëllai i tij Tristani tentoi të arratisej jashtë shtetit për një jetë më të mirë por mbeti i vrarë në kufi sëbashku me shokun e tij të ngushtë. Trupi i tij pa jetë, pasi u shëtit nëpër rrugët e Shkodrës asnjëherë nuk ju kthye familjes dhe nuk u mor vesh se ku u varros.

Pas vitit ’90 kur në vendin tonë u vendos demokracia, familja Halili ka bërë çmos për të gjetur eshtrat e njeriut të tyre më të dashur por kërkimet kanë rezultuar pa sukses. Edmondi tregon se kanë trokitur në shumë dyer institucionesh dhe kanë pyetur shumë ushtarakë të asaj kohe por nuk kanë mundur të gjejnë eshtrat e vëllait. “Kemi hapur mbi 10 varre” thotë ai, por pa rezultat. Prindërit e mi kanë ndërruar jetë që të dy dhe amaneti i tyre ka qenë gjetja e eshtrave të vëllait të vrarë në kufi. Ja rrëfimi i Edmond Halilit për jetën e tij mes skenës dhe vëllait të vrarë në kufi.

Juve të gjithë ju njohin për shkodran. Në cfarë rrethanash jeni vendosur në Durrës?

Kam kaluar një jetë në Shkodër. Por në fakt me origjinë nuk jam prej Shkodre. Familja ime është nga Tepelena. Unë vetë kam lindur në Durrës dhe fare i vogël kam shkuar në Shkodër sepse babai im ka qenë ushtarak dhe i është dashur të ndërrojë vendbanimet për shkaqe shërbimi. Në Shkodër kam shkuar 3 vjeç dhe për 48 vjet kam banuar në atë qytet. Në vitin 2003 jam vendosur në qytetin e Durrësit.

Kur keni nisur të merreni me komedi si artist humori?

Kam qenë fare i ri në vitin 1974. Unë në atë kohë punoja në një ndërmarrje industriale në Shkodër dhe kisha shfaqur talent në fushën e aktrimit në gjininë e humorit. Në atë kohë kishte një lëvizje të madhe artistike. Për cdo vit zhvilloheshin festivalet e estradave të humorit të ndërmarrjeve të rrethit Shkodër.Në këto aktivitete unë spikata dhe u ftova që të marr pjesë në estradën e qytetit të Shkodrës si i jashtëm.Nga lëvizjet amatore kanë dalë aktorë të mëdhenj si Gëzim Kruja,Zef Deda,Bashkim Alibali,Besnik Cinari,Bujar Qamili etj emra të shquar.Ndoshta shumë shpejt do të isha bërë aktor profesionist por një ngjarje e rëndë që na ndodhi në familje ma preu këtë mundësi. Vëllai im Tristani tentoi të arratisej dhe mbeti i vrarë në kufi. Kështuqë unë u bëra vëllai i tradhëtarit dhe deri në vitin 1990 kur regjimi komunist ra e kisha rrugën e mbyllur për të qenë aktor profesionist. Më pas kjo ëndërr mu realizua.

Si e kujtoni vitin 1982 kur vëllai juaj u vra në kufi?

Ka qenë një vit i tmerrshëm. Ne jemi 7 fëmijë në familjen Halili duke llogaritur edhe vëllanë e vrarë. Në atë kohë që të jem i saktë ishim katër vëllezër dhe tri motra Edmondi, Tristani(i vrarë), Arbeni, Mimoza, Fatmira, Lindita dhe Iliri. Tristani ishte 25 vjeç në atë kohë. Nuk kisha asnjë dijeni se im vëlla kishte vendosur të arratisej dhe kur e mora vesh u shtanga.

Si ndodhi arratisja?

Ne dimë vetëm atë që ndodhi, por se si ishte bërë plani i arratisjes këtë nuk e mësuam dot kurrë se vëllai im u vra sëbashku me shokun e tij të ngushtë në tentativë për të kaluar kufirin me ish Jugosllavinë. Këtë plan sic thashë ai e thuri me shokun e tij më të afërt Aleksandër Gjini.  Natën e datës 17 gusht të vitit 1982 ata tentuan të kalojnë kufirin në fshatin Zogaj të Rrethit të Shkodrës. Në orën 02 të mëngjesit, teksa ishin afruar në vijën e kufirit, u diktuan nga rojet. Mbi ta u hap zjarr me breshëri automatiku dhe që të dy mbetën të vrarë në vend. Ushtari që i vrau u shpërblye me një javë leje. Këto gjëra i mësuam më vonë.

Po më pas çfarë ndodhi?

I morën që të dy dhe i hipën në një makinë Zis të hapur. Ashtu të vrarë i shëtitën nëpër rrugët e Shkodrës duke kaluar lagje më lagje. Parrulla ishte “kushdo që do ta tradhëtojë atdheun kështu do ta pësojë”. Pasi mbaroi ky spektakël trupat e tyre nuk jua dorëzuan familjeve dhe edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku përfunduan. Kjo e trupave të dy djemve të rinj të varë në kufi është një dramë më vehte. Të nesërmen kemi dalë në punë pasi nuk na lanë të shpallim zi dhe të respektojmë ritet që i bëhen të vdekurit se tashmë ishim familja e tradhëtarit. Qanim në heshtje në shtëpi cdo natë. Miqtë e shokët na ngushëllonin fshehurazi.

Si e kujton vëllain e vrarë?

Ai ishte një djalë king me të gjithë kuptimin e fjalës. Ishte i dashur dhe me zemër të madhe. Ishte vetëm 25 vjeç kur vendosi të kalojë matanë për të kërkuar një jetë më të mirë. Ai nuk ishte tradhëtar por kishte të tjera ëndrra për jetën që fatkeqësisht ju këputën në mes në lulen e rinisë. Në atë kohë kur vendosi të arratisej punonte në hekurudhë. I pëlqente jeta që bëhej jashtë shtetit sidomos ajo e vendeve perëndimore. E kujt nuk i pëlqente të vishej bukur, të kishte syze firmato e pantallona blu xhins, të shikonte muzikë moderne e të ishte i lirë ?

Cili ishte fati i familjes tuaj pas kësaj ngjarjeje?

Që të gjithëve na larguan nga punët që bënim dhe përfunduam në NSHN (ndërmarrja e ndërtimit) sepse ishim familje tradhëtari dhe duhej të edukoheshim pranë klasës punëtore. Për disa vite nuk dola në skenë por më vonë, pas vitit 1985, nisa të shfaqem sërish. Pas vrasjes së vëllait na ndodhi edhe një ngjarje tjetër e rëndë në familje. Një ditë teksa pinin kafe në një bar, babanë tim e provokuan për familjen dhe për djalin. Ai nuk arriti të përmbahej dhe qëlloi mbi ta me armë zjarri dhe përfundoi në burg. Doli në prag të ardhjes së demokracisë. Pas vitit 1990 gjërat ndryshuan dhe jeta jonë mori tjetër udhë. Unë kalova si aktor profesionist në estradën e Shkodrës.

Cilat ishin përpjekjet tuaja për të gjetur eshtrat e vëllait të vrarë?

Cfarë nuk kemi bërë dhe ku nuk kemi trokitur.Jemi i interesuar në Degën e Punëve të Brendëshme, në Ministrinë e Rendit Publik, në Institutin e të Përndjekurve Politikë, kemi kontaktuar me dhjetra ushtarakë të asaj kohe, kemi hapur mbi 10 varre, por eshtrat e vëllait nuk kemi mundur ti gjejmë. Në vitin 1997 babai im Medini u nda nga jeta duke na lënë amanet gjetjen e eshtrave të vëllait tonë. Ndërsa 6 muaj më parë e la këtë jetë edhe nëna ime Vezirja e cila nuk arriti që të kishte një varr për djalin e saj të vrarë në kufi. Edhe ajo na ka lënë të njëjtin amanet.

Si vijon jeta Edmondit në Durrës?

Jam pjesë e trupës së aktorëve të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Në Shkodër lashë kolegët e mi të mëdhenj Zef Deda, Zyliha Miloti, Besnik Cinari etj dhe në Durrës u bashkova me Fadil Hasën, Muharrem Hoxhën, Aishe Starin, Roland Kocën, Dash Sinanin etj. Në repertorin tim kam interpretuar 200 role në thuajse 100 premiera. Jam ftuar në 10 turne jashtë shtetit. Kjo është puna ime megjithë brengën që kam në shpirt prej 36 vjetësh. Tani kam në dorë, në rolin e regjisorit, një shfaqje që e kam titulluar “Humor i pastër me shumicë”. Në këtë shfaqje marrin pjesë aktorët Roland Koca, unë, Dash Sinani, Gjergj Doci, Mimoza Marjanaku, pra një shfaqje “Made in Durrësi”. Jemi në fazën e provave dhe shpresojmë të nxjerrim diçka të mirë./Shqiptarja.com