Feruz Mataj: Enver Hoxha e shkatërroi Shqipërinë

18/12/2011 - 00:00

Inxhinieri i njohur flet për punën e tij të përditshme e për përballjen me sfidat në dy regjime të ndryshme

Ka mbushur 80 vjeç, por shpirti nuk i ndahet nga puna. Vazhdon të shkojë në zyrën e tij dhe do vazhdojë t’a bëjë derisa të ketë fuqi. Ky është Feruz Mataj, inxhinieri i njohur e i palodhur, firmën e të cilit mbajnë disa nga veprat e mëdha të ngritura gjatë periudhës së regjimit komunist. Pak javë pas hedhjes në treg të librit të tij me kujtime “Kur jeta kërkon të flasë”, inxhinier Mataj flet në një intervistë për gazetën “Dyrrah” për arsyet që e shtynë të shkruajë librin, për qëndrimin që mban për regjimin e kaluar, për punën në kompaninë e tij private etj. Ajo që të bie në sy gjatë bisedës është fakti, se megjithëse në moshë të thyer, puna për këtë njeri është ende një burim i fuqishëm energjie.

Z. Mataj, si ju lindi ideja për të bërë një libër?

Tani jam në moshën e tretë, i kam kaluar të tetëdhjetat e njeriu nis e kujton të shkuarën. Unë të them të drejtën kam qenë në luftë me veten time, se kujtimet nuk para më kanë tërhequr pasi më dukej sikur njerëzit flisnin vetëm për atë çështje që u intereson atyre. Kujtimet janë intime, janë personale, bëhet fjalë për jetën e tënde private. Por nisa të ndjeja nevojën për të shkruar edhe prej presionit që kisha nga familja, shokët, miqtë. E ndjeja që kishte një boshllëk në këtë mes. E mora iniciativën për të shkruar librin duke u frymëzuar edhe nga dashuria që kam për punën dhe njerëzit që punojnë. Desha që atyre që kanë punuar dhe kanë sakrifikuar t’u jepja rëndësinë që meritonin. Edhe vetë njerëzit e penës më dukej se nuk po shkruanin për ato që unë mendoja dhe kështu u ula vetë dhe e shkrova atë libër më shumë kujtime.

Nisa të shkruaj për të treguar jo shumë për veten time, por për atë brez njerëzish që kishin punuar dhe sakrifikuar. E kaluara para viteve 90 ka qenë shumë e vështirë, bëhej shumë punë e rëndë, por ka qenë e suksesshme. Ka qenë e suksesshme, sepse ka pasur shumë njerëz me personalitet dhe të shkëlqyer në organizim dhe drejtim, por nuk i vlerësonte kush, nuk fliste njeri për ta. Ajo që e kishte në dorë ishte partia. Çdo gjë ishte e lidhur me partinë, çfarëdo që mund të bëje nëse nuk aprovohej nga lart nuk bëhej, por edhe po të bëhej meritat i mbanin për vete. Për mendimin tim, edhe në libër e kam thënë që kishte dy kategori; instruktorët e partisë dhe piramida e tyre që kanë penguar e kanë frenuar, i kanë bërë dëm Shqipërisë, ndërsa njerëzit e tjerë veç kanë punuar madje në kushte shumë të vështira.

Ata kanë një meritë që e kanë mbajtur këtë vend, nuk e hodhën poshtë. Unë kur po mendoja të shkruaja këtë libër doja të shkruaja pikërisht për këtë, aty unë nuk jam protagonist i vetëm, por jam i lidhur me të tjerët. Pra puna ime është me të tjerët dhe rezultatet që kam arritur, i kam arritur me të tjerët. Librin në pjesën më të madhe të tij ia kam kushtuar vetes sime, por në këtë libër kam folur edhe për shokët e mi, pasi janë ata që më kanë plotësuar, më kanë mbështetur. Këtë libër e shkrova duke kujtuar punën që kemi bërë dhe njerëzit me të cilët kam punuar. Prandaj e shkrova këtë libër, për të ngritur lart punën e mirë të njerëzve që punonin me shpirt në atë kohë. Nuk desha të shkruaja gjëra të paqëna, desha që në libër të isha i vërtetë, por siç e thashë edhe më lart për këtë më kanë ndihmuar edhe të tjerët.

Ju e prekët pak kohën e komunizmit dhe gjithashtu keni shkruar një pjesë të mirë të librit për atë kohë. Cili është mendimi juaj për atë kohë?

E thashë edhe më lart që në atë kohë njerëzit kanë punuar, ka pasur kuadro të afta sidomos kuadrot e zbatimit, se këta ishin teknikët për ekonominë. Pra nuk kishte një rol ta madh ekonomisti. Inxhinieri kishte shumë rol se do t’i zbatonte ato. Këta njerëz kanë punuar, madje edhe në kushte të vështira, kanë bërë sakrificat e veta, kanë ngrënë veten me dhëmbë për të punuar. Në atë sistem njerëzit kanë punuar, ata ngritën uzina, kombinate, fabrika etj. Kombinati nuk është teknologji e prapambetur, ai është po ai kombinat që ka sot Italia, Çekia etj. Edhe italianët kombinat të tillë kanë, nuk mund të flitet për sofistikime kur punohet me temperatura mbi 1800-2000 gradë. Ai sistem kishte këtë të mirë, njerëzit e punës kanë dhënë djersë, por kanë dhënë edhe rezultate. Pastaj për sa i përket politikës, politika ka qenë e mbrapshtë.

I pari ishte Enveri që u largua nga porositë e Stalinit. Enveri e shkatërroi Shqipërinë. Stalini i tha që të mos vazhdonte me kolektivizimin se nuk kishte se si të mbahej ky popull, por ai arriti deri atje sa bëri edhe tufëzimin, ju mori edhe pulat që kishin në shtëpi fshatarëve. Stalini i tha gjithashtu që të mos merrej me fenë, ky e zhduku edhe fenë. Këto ishin ato që ai arriti të bënte, këto gjëra nuk i ka bërë komunizmi në vende të tjera. Si ide, komunizmi sidomos para Luftës së Dytë Botërore ishte në modë dhe sidomos rinia mendonte se erdhi një botë e re pas krizës së viteve 30-të.  Pra të gjithë donin komunizmin, por jo komunizmin e Enver Hoxhës. Prandaj ne në Shqipëri kemi vuajtur kaq shumë, se ka qenë gjithçka e përqëndruar tek ai. Ai u bë ndërtues, u bë inxhinier i naftës, gjeolog, bujk, ai u bë gjithçka dhe duhet të fliste ai, të zbatoheshin direktivat e tij.

Kur nisët të mendonit për të ngritur një biznes tuajin privat?

Sa mbaroi puna shtetërore unë u largova. Pranova me kënaqësi të punoja, pasi mendova se mund t’i shërbeja vendit, por pasi të bëja një lloj riciklimi të vetes time për ato që më kishin ndodhur. E pashë që me shtetin nuk po funksiononte më dhe nisa të punoja për kompaninë time. Unë kisha oferta për të punuar në ndërtim, por nuk shkova, sepse më dukej një punë jo fort e përshtatshme për mua edhe pse kisha punuar në ndërtim. Unë kam punuar në dy sektorë; në ndërtim dhe në atë ekzekutiv gjatë këtyre 40 viteve. Por thashë do të merrem me transportin, se këtu e kam nisur karrierën time dhe vazhdova. Tani kompania është zhvilluar dhe po punojmë. Në kompani punojnë rreth 100 punëtorë. Transporti sot është i vështirë. Por tani neve kemi gjetur një rrugë tjetër, sidomos me futjen e konteneirëve dhe po ecim në këtë drejtim.

Transporti me anë të konteneirëve është një risi për ne, por në botë kishte kohë që kishte hyrë. Transporti me konteneirë është transporti më i sigurtë nga prodhuesi tek përdorusi, me konteneirë malli nuk preket nga duar të tjera, përveçse atij që e prodhon. Tani përveç anijeve të naftës apo atyre që sjellin çimento rifuxho, mallrat e tjera vijnë me konteneirë. Ishte kompania jonë si të thuash nismëtarja e konteneirizimit të transportit të kromit që tani e dërgojmë në Kinë, por edhe në Europë. Kjo është një arritje e madhe, pasi cilësia e kromit ruhet nuk ka ndotje dhe dëmtime. Ne jemi një firmë e kompletuar, mbyllim ciklin e punës. Punojmë edhe me transportin edhe brenda për brenda Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, pra në vendet e rajonit. Por marrim edhe konteneirët që vijnë në Shqipëri, sepse dy firma janë; kjo e jona dhe një tjetër. Fillimisht konteneirët vijnë në Maltë dhe nga aty i marrim dhe i shpërndajmë në çdo vend. Kemi kamionët tanë, por në këtë situatë që është tani, kur nafta është shtrenjtuar me një çmim të paparashikuar them se kamionët dalin me humbje. Por humbjen e kamionëve ne e kompesojmë.  

Nëse do të krahasonim punën me një vit më parë, kush ka qenë viti më i suksesshëm?

Shikoni, një vit më parë pati një farë rënie të punës, por megjithatë nuk është se binte shumë në sy. Tani kriza është më tepër në grumbullimin e lekëve, por punë bëhet. Është e vërtetë që Shqipëria ka rritur eksportet dhe eksportet na kanë kompensuar rënien e importit. Se importi ka rënë edhe për një arsye tjetër, sepse kanë rënë nevojat e vendit, ne nuk kemi ndonjë treg të madh. Tregu shqiptar ngopet shumë kollaj, se jemi një vend i vogël. Përsa u përket mallrave të kosumit ato kanë pësuar rënie në nivelin e tyre. Kjo për arsye se po ndihet kriza e likuiditetit. Por eksporti nga ana tjetër ka një rritje të ndjeshme.

Prej disa vitesh dëgjojmë të flitet gjithnjë e më shumë për krizën. A ka ndikuar sadopak dhe a e ka ndjerë kompania juaj këtë krizë?

Sigurisht që ka ndikuar kriza. Ajo ka pushtuar të gjithë botën dhe nuk kishte se si t’i shpëtonim ne. Tashmë kriza është evidente, por për fatin e mirë firma jonë nuk ka punuar asnjëherë me grekët. Kjo na ka dalë për mbarë, sepse të gjithë ata që kanë punuar me grekët kanë dështuar. Por edhe me italianët që punojmë ka tronditje, por në ato sektorë që bashkëpunojmë ne është më pak e pranishme. Prandaj puna në kompaninë tonë ka vazhduar dhe do të vazhdojë. Siç e thashë edhe më lart na ka dhënë shumë dorë eksporti që është në rritje. Është rritur eksporti i kromit, bimëve, pllakave të gurit, lënda e drurit etj.  

Cilat janë planet e kompanisë suaj në të ardhmen?

Sigurisht që ka plane për të shtuar sa më shumë punëtorë e mjete. Ne do të punojmë me këto ritme që kemi. Do të bëjmë disa investime të tjera dhe konkretisht do të bëjmë një shesh konteneirësh e një shesh kromi jashtë portit. Pra do të bëjmë një port të thatë. Sepse duhet të mendosh për investime që të bësh transport, ndryshe transporti është i vdekur.

Z. Mataj, ju tashmë jeni në moshën e tretë dhe gjendeni akoma në zyrën tuaj. Edhe për sa kohë do të vazhdoni të punoni?

Shiko unë do të vij në zyrë derisa të kem fuqi. Por punët e vështira këtu në kompani tashmë ia kam kaluar djalit tim. Është ai që merret më shumë me punë. Pra menaxhimin e firmës e bën im bir, kështu që mua nuk më ngelet shumë për të bërë. Im bir, Genci ka një punë të lodhshme, pasi ka të gjithë punën e operatorëve online, jep udhëzimet përkatëse. Në firmën tonë ne kemi vënë një organizim, siç e kanë edhe firmat e tjera. Firma me të cilën ne punojmë në Francë, “CMA-CGM” ka një model të tillë, ne e kemi marrë atë model dhe e kemi praktikuar.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Shtetasi Fran Dashi kallëzon në SPAK 20 shtetas me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokuror pranë gjykatave të shkallës së Parë, Apelit, Gj

Nëse nuk je i vëmendshëm kur bën prenotimin, rrezikon që pushimet e ëndërruara gjithë vitin, të kthehen në makth, madje në ndonjë rast të

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një

Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për të lënë të lirë një pilot Italian të dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh nark

Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kal

23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranoj

7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin ita

 *Dyshime të forta për sigurinë në lundrim të anijes.

·       “Hija” e mosmarrëveshjes midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor për licencimin e s

DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih: