Ina Rama: Turp që shteti lë rrugëve kryeprokurorin

16/07/2014 - 11:07

Tiranë, 16 korrik 2014 - Ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama, e cilëson të kundraligjshëm dhe të dhënë nën ndikim, vendimin e Gjykatës Administrative, që rrëzoi padinë e saj, duke e lënë për momentin jashtë radhëve të sistemit të drejtësisë. Si asnjëherë më parë, gruaja që për pesë vite me radhë drejtoi institucionin e prokurorisë, e cilëson të turpshme, faktin që si ish prokurore e përgjithshme, ende nuk e gjen veten brenda radhëve të gjyqësorit.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ish-shefja e organit qendror të akuzës, thekson se Këshilli i Lartë i Drejtësisë gënjen në mënyrë të turpshme, kur thotë se i ka ofruar asaj postin e gjykatëses në Apelin e Krimeve të Rënda.

“Kam një pyetje publike për t’i bërë Këshillit të Lartë të Drejtësisë: Kur dhe si ma kanë ofruar një detyrë të tillë? Në kafe? Në kulisa? Në çfarë forme i bëjnë ofertat? Oferta kafesh? Ina Rama pret një përgjigje zyrtare, sepse zyrtare është dhe kërkesa ime”, thekson znj.Rama. 

Znj.Rama, dy ditë më parë Gjykata Administrative rrëzoi padinë tuaj, ku kërkimi kryesor ishte shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe rikthimi juaj në radhët e gjyqësorit, konkretisht në Gjykatën e Apelit Tiranë. E prisnit një vendim të tillë, apo ishte një “surprizë” e radhës për ju? 

Jam njohur me vendimin e Gjykatës Administrative, e cila vendosi të rrëzojë padinë time. Në vendim, Gjykata Administrative nuk argumenton nëse ishte ose jo e drejtë kërkesa ime, por shprehet se nuk mund të ndërhynte në vendimmarrjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Jam e surprizuar nga ky vendim, pasi gjykata nuk arsyeton fare nëse kërkesa ime është apo jo konform ligjit, por e konsiderojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si një “tokë të paprekshme”. Gjykata nuk merr përsipër që të kontrollojë vendimin e KLD-së, sikur KLD, të ishte zoti në tokë dhe një organ i pakontrollueshëm. Në një kohë që Gjykata Administrative, u ngrit për këtë qëllim, për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimmarrjes së organeve administrative, qoftë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykatat kanë shfuqizuar dhe më herët dekrete të Presidentit të Republikës, vendime të KLD-së, ku gjykatës të ndryshëm janë shkarkuar apo kanë marrë masë disiplinore. Në rastin tim, gjykata shprehet se nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e këtij institucioni, të cilin e konsideron si të paprekshëm. 

Avokati juaj deklaroi dje se vendimi është tërësisht politik. Ju e mbështesni një qëndrim të tillë dhe vërtet besoni se po sulmoheni politikisht? 

Vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht politike. Sa i përket vendimit të gjykatës, mund të them se e konsideroj si një vendim tërësisht të kundraligjshëm dhe tani po flas si juriste, që kam të gjithë mundësitë dhe njohuritë për të dhënë një vlerësim të tillë. Nëse gjykata dha një vendim të ndikuar nga politika apo nën ndikimin e KLD-së, këtë nuk mund ta them. 

Keshilli i Lartë i Drejtësisë pretendon se ju ka ofruar një vend si gjykatëse në Apelin për Krime të Rënda, detyrë që ju e ushtronit para se të bëheshit Prokurore e Përgjithshme. Përse e keni refuzuar këtë vend që ju është ofruar? A është një kërkesë e kushtëzuar e juaja për t’u emëruar në apelin e Tiranës?

Për ta sqaruar një herë e mirë kjo është një gënjeshtër e turpshme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nuk më është ofruar kurrë një detyrë në gjyqësor. Kam një pyetje publike për ti bërë këshillit të lartë të drejtësisë. Kur dhe si ma kane ofruar një detyrë të tillë? Në kafe? Në kulisa? Në çfarë forme i bëjnë ofertat? Oferta kafesh? Ina Rama pret një përgjigje zyrtare, sepse zyrtare është dhe kërkesa ime. Për të qenë pjesë e gjyqësorit këtë të drejtë ma garanton ligji. Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës, nuk do ta shqyrtonin kërkesën time. Vetëm pas reagimit të ministrit të Drejtësisë kërkesa ime u mor në shqyrtim dhe u rrëzua. 

Znj.Rama do ta vijoni betejën tuaj gjyqësore, për të qenë sërish pjesë e sistemit të drejtësisë? 

Nuk është një betejë e Ina Ramës me shtetin dhe institucionet, por është një beteje e një ish prokurori të përgjithshëm, që lihet në mes të rrugës, në një kohë që për pesë vite me radhë ka provuar në kurriz ato që ka provuar, nuk është momenti ti themi këtu. Ti mohosh të drejtën një ish prokurori të përgjithshëm, ta lësh në mes të rrugës, nuk kam fjalë tjetër për të thënë, përveçse është e turpshme. Sa i përket pyetjes, natyrisht që do ti drejtohem Gjykatës Administrative të Apelit dhe do të ndjek të gjitha hapat ligjorë. Pasi të shteroj të gjitha mjetet ligjore, do të vendos për mënyrën sesi të veproj. Unë kam investuar tërë këto vite për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Detyrën e gjykatësit nuk ma dhuruan. Kam përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe është lehtësisht e verifikueshme, që kam dalë studentja më e mirë, jam renditur e para. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti jeton në një banesë 61 metër katror dhe mbi të gjitha me qira.

“Peku fisio center”, një ndër klinikat më moderne të hapur në pranverë të këtij viti, nën drejtimin e fizioterapistit du

Puna e efektivëve të Policisë Bashkiake në Durrës, në dobi të qytetarëve dhe jetës publike në shumë sektorë jetikë, është me rëndësi të m

Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me ngjarjen tronditëse të pak javëve më parë në qytetin e Kavajës, ku një konflikt i armatosur për

*Intervistë me Drejtorin ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare

 Ajo është ventrilokuistja e parë në Shqipëri.

Gazetari Peter Tiede, i cili tronditi politikën shqiptare, me publikimin e 6 përgjimeve të reja nga dosja 339/1 ka dhënë një intervistë p