Lefter Koka: Ju rrëfej për bashkëjetesën politike me Sali Berishën. Kritikat e mia për Dakon

Postuar: 10/04/2017 - 19:29

Lefter Koka, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit dhe deputet i LSI-së, i anatemuar vite më parë nga Sali Berisha si Klani i Zenunit rrëfen në një intervistë për “Dyrrah” bashkëjetesën gati 4 vjeçare në pushtet me kryeministrin e vendit. Ndërsa flet për objektivat e LSI-së dhe të tijat personale për zgjedhjet e ardhshme Koka e lë evazive përgjigjen për pjesëmarrjen ose jo në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike, ndërkohë që nuk kursen kritikën ndaj kryebashkiakut Dako kur shprehet: “Është e patolerueshme që një kryetar bashkie i zgjedhur nga e majta nuk komunikon me qeverinë qendrore, por komunikon vetëm me kryetarin e partisë së tij. Kjo nuk i shërben qytetit dhe nuk i shërben misionit për të cilin është votuar një kryetar bashkie”.

DurrësLajm po riboton të plotë intervistën e publikuar më 22/10/2012 në gazetën “Dyrrah”.

Në seancën plenare të së enjtes parlamenti miratoi me 69 vota pro aktin normativ të paraqitur nga ekzekutivi për të ndryshuar buxhetin e vitit 2012 dhe buxhetin faktik për vitin 2011. Është ky një fakt se mazhoranca aktuale po rrudhet?

Nuk është e vërtetë. Mazhoranca vazhdon të jetë e konsoliduar, të ketë numrat e nevojshëm. Ato që ka penguar realisht kanë qenë votimet që kërkojnë një shumicë të cilësuar, pjesëmarrjen dhe konsensusin e opozitës. Rasti në fjalë ka të bëjë kryesisht me impenjimet politike të disa personazheve të mazhorancës që nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë seancës. Nuk do të thoja se ka rrudhje të mazhorancës, përkundrazi shumica vazhdon të qeverisë e konsoliduar dhe me numrat e nevojshëm.

Greva e urisë së ish të përndjekurve politikë ka ngjallur reagime të shumta nga të gjitha palët e politikës. Cili është qëndrimi i LSI-së për këtë grevë dhe ai juaji personal?

Ky është një problem mjaft delikat për t’u trajtuar. Nëse do ta shohim në një plan më të gjerë do të thoja se kjo është një shtresë me një problematikë të caktuar deri në vitet ’90. Tani kur kanë kaluar më shumë se 20 vite mendoj se negociatat duhet të kishin qenë më të shpeshta. Sot ka një ligj që duhej respektuar, afati i shpërndarjes së kësteve duhej respektuar.

Ajo që unë kam konstatuar tek kjo shtresë ka qenë zemërgjerësia që e ka karakterizuar atë. Ndoshta vuajtja i ka bërë të jenë më zemërgjerë e më tolerantë. Po të kemi parasysh se jetojmë në një situatë krize, unë do të thoja se ne nuk jemi Zvicra që kemi depozita aq të mëdha sa në një ditë të vetme do mundim të paguajmë gjithë sasinë e parave të dëmshpërblimeve.

Gjithsesi duhet të ndahen dy gjëra; dëshira dhe mundësia. Unë besoj se dëshira ka qenë e madhe po mundësia ka qenë relativisht e vogël. Brenda këtyre mundësive mendoj se është bërë maksimumi dhe do të shihja një rrugë të mesme, negocimin e mënyrës së pagesës, rehabilitimin e personave që janë më në nevojë.

Sigurisht sot të gjithë janë persona në nevojë, por ka nga ata që i kanë shumë me emergjente. Sipas meje dialogu do të ishte rruga më e mirë. Ndërsa sot vetflijohen njerëz që kanë kaluar shumë vite nëpër burgjet komuniste, ky është një fenomen që nuk duhet t’i përkasë shoqërisë shqiptare.

Negocimin me ish të përndjekurit e kanë rekomanduar edhe ndërkombëtarët, por e djathta nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim. Pse kjo zgjedhje sipas jush?

Është për të ardhur keq që palët nuk ulen, por nga ana tjetër të dy grupet janë munduar t’i bëjnë të qartë opinionit publik çfarë kanë bërë për njëra-tjetrën. Ish të përndjekurit kanë deklaruar se kanë qenë ata që i kanë bërë të mundur PD-së të jetë në qeverisje, nga ana tjetër PD-ja ka theksuar se ka qenë kjo qeveri që ka bërë shumë për këtë shtresë.

Në këtë situatë të dyja palët kanë komunikuar me qytetarët shqiptarë. E vetmja gjë që nuk ka ndodhur ka qenë mos komunikimi me njëra-tjetrën. Për mendimin tim është mirë që të lihen pas pasionet, ish të përndjekurit të paraqiten me një përfaqësi më kualitative, pra jo vetëm me njerëzit që marrin pjesë në këtë grevë. Mendoj se ata njerëz dëshpërimi i ka çuar deri aty dhe të marrin vendime të atilla. Ka të tjerë që nuk e kanë këtë dëshpërim kaq të madh e për pasojë kanë një mendje më të ftohtë. Prandaj mendoj se është e rëndësishme që palët të ulen në tryezë.

Gjatë votimit në parlament të aktit normativ për qiramarrësit e strehuar në shtëpitë e ish pronarëve ju abstenuat dhe jeni shprehur se duhet ofruar një zgjidhje tjetër. Cila është alternativa më e pranueshme në këtë rast?

Kjo çështje ka një problematikë shumë të gjerë. Unë abstenova dhe në fakt isha kundër këtij akti. Abstenova vetëm për të ruajtur normalitetin brenda mazhorancës. Ajo që kam kërkuar dhe vazhdoj ta cilësoj është se problematika duhet parë rast pas rasti. Jo vetëm në qytetin e Durrësit, por në të gjithë Shqipërinë ka shumë qytetarë të strehuar në shtëpitë e ish-pronarëve që gëzojnë një situatë financiare të mirë, kanë banesa apo prona të tjera.

Por ka dhe një pjesë tjetër, që duke mos pasur një verifikim të plotë në terren nuk mund të jap një shifër të saktë që jetojnë me mundësi të kufizuara ekonomike. Këto familje jetojnë në një shtet, por nuk gëzojnë të njëjtin fat që kanë pasur në fillim të viteve ‘90 qytetarët shqiptarë të strehuar në banesat shtetërore. Në vitin 1991 shumica e shqiptarëve blenë shtëpi me 100 mijë lekë dhe këta qytetarë që nuk përfituan nga ky ligj nuk duhet të ndihen të persekutuar.

Unë këtë gjë jam përpjekur të bëj në kohën kur drejtoja bashkinë e Durrësit. Nëse do ta kishim të sanksionuar me ligj që të parët që duheshin rehabilituar të ishin shtetasit e strehuar në shtëpitë e ish pronarëve ky problem do kishte marrë zgjidhje. Ky akt normativ krijon konflikt dhe përçarjen midis shqiptarëve. Nga ligje të gabuara kemi bërë që shumë njerëz të vriten për konflikte pronësie. Ishte e nevojshme të vihej një afat në këtë rast, por puna duhej bashkërenduar me pushtetin vendor, pasi ai i njeh më mirë problematikat e qytetit.

Unë nuk dua të fajësoj qeverinë apo bashkinë në këtë rast. Ajo që dua të fajësoj është se ne ende nuk jemi emancipuar si qytetarë dhe si politikanë. Është e patolerueshme që një kryetar bashkie i zgjedhur nga e majta nuk komunikon me qeverinë qendrore, por komunikon vetëm me kryetarin e partisë së tij. Kjo nuk i shërben qytetit dhe nuk i shërben misionit për të cilin është votuar një kryetar bashkie.

Para 2009 ju jeni etiketuar nga kryeministri Berisha si Klani i Zemunit. Si kanë qenë këto vite bashkëjetese në një koalicion me të?

Ky është një kujtim jo i këndshëm i së kaluarës. Ato kanë qenë mënyra të zgjedhura nga Berisha për të bërë opozitë, pasi unë isha në krahun tjetër të politikës. Gjithsesi terapia më e mirë është koha. Me kalimin e kohës, edhe për skeptikët, gjërat u qartësuan. Unë nuk përfaqësoja as vrasës as kriminelë. Nga 2007-2009 isha një qytetar i thjeshtë pa asnjë lloj imuniteti. Pasi unë u largova nga politika nuk m’u shtuan akuzat, përkundrazi m’u larguan.

Anatemimi që më bëri Berisha në atë kohë ishte për konsolidimin e pozicionit të tij në politikë. Ajo për të cilën më ka ardhur keq ka qenë mos solidarizimi i disa titullarëve të PS-së në atë kohë, që ndoshta u pëlqente kjo luftë e Berishës kundër meje. Ishin në sintoni me të që unë të largohesha nga ai grupim politik. Sot ne bashkëjetojmë në një koalicion. Duhet të kuptoni një gjë. Edhe nëse je në një koalicion qeverisës çdokush ka integritetin e tij e në të njëjtën kohë bën detyrën e tij, siç e bën edhe në familje.

Takimet e mia me Berishën nuk kanë qenë të shpeshta, kanë qenë takime kortezie. Shpesh kemi diskutuar edhe për probleme të rëndësishme ku nuk kemi qenë gjithnjë dakort, siç mund të kemi qenë për çështje të tjera. Kjo nuk më ka penguar të jem hakmarrës, të mbaj mëri, sepse nuk është e rëndësishme të kërkosh falje me gojë. Gjërat mund të realizohen edhe me marrëveshje. Unë besoj se tashmë raportet mes nesh janë normale.

Po përsa i përket përgatitjeve për fushatën e vitit të ardhshëm si po ecën puna në terren?

Ne tashmë i kemi zhvilluar konventat e të rinjve dhe të gruas së LSI-së, kemi bërë përzgjedhjen e strukturave nëpër qarqe dhe qytete. Besoj se është një punë e nisur mbarë. Ndihemi më të konsoliduar dhe më te përfaqësuar sepse do të kemi anëtarë në komisionet zgjedhore në KQZ, KZAZ. Nëse dikush do të ishte skeptik në vitin 2009 për këto arritje ato tashmë janë realitet. Strukturat janë angazhuar që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të arrijmë një rezultat më të thellë se në zgjedhjet e 2009-ës.   

Do të paraqiteni me të njëjtin koalicion në zgjedhjet e 2013?

Për momentin ne vazhdojmë të kemi disa detyrime ndaj vendit. Ne morëm një status të kushtëzuar për në BE dhe dua të theksoj se ka qenë i dukshëm kontributi i LSI në plotësimin e reformave të nevojshme për marrjen e statusit. Tashmë mbeten shumë pak detyra për t’u realizuar dhe ne do të jemi aktiv për plotësimin e të gjitha kushteve. Vendimi për koalicionin parazgjedhor kërkon një vëmendje më të madhe nga strukturat dhe unë besoj se do të merret në kohën e duhur para nisjes së fushatës elektorale.

Është i mundur një takim tjetër Meta-Rama si ai që organizoi vëllai juaj në Gjirin e Lalëzit?

Shqipëria është një vend shumë i vogël, çka do të thotë se dekonspirohen edhe darka private. Jo gjithnjë kemi një axhendë të mirëpërcaktuar, prandaj mund të ndodhë që të kemi raste okazionale ku mund të ulesh të diskutosh për sportin apo çështje të tjera të përgjithshme, por mund të diskutosh edhe për politikë. 

Në botë këto gjëra janë shumë normale dhe dy kundërshtarë politikë mund të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe në fund secili ka interesat e tij politike, që i përkasin konsolidimit të partisë së tij. Ndaj dhe nuk di nëse z.Meta bën pjesë tek ata politikanë që janë shumë të hapur, nuk ka komplekse nëse dikush mund ta shohë ose mund ta përflasë. Takime mund të ketë me Ramën apo drejtues të tjerë të forcave politike dhe e mira është që politikanët shqiptarë të përfshihen në diskutime drekash apo darkash dhee dialogë normalë, sesa në deklarata me zëdhënës politikë, ku ka akuza të ndërsjellta. 

Cili është objektivi i LSI-së në zgjedhjet e ardhshme për qarkun e Durrësit?

Viti 2009 ishte një test shumë i rëndësishëm për LSI-në, por edhe për mua personalisht. Në atë vit pasi vija nga një eksperiencë në një parti të madhe politike u përpoqa të ndërtoj fushatën dhe mënyrën e bërjes fushatë. Ndërkohë ne sot do të jemi vërtet në garë me forca të mëdha politike. Por nëse dikush duhet të përfundojë 100m ne do të bëjmë 30m. Mua më intereson që kohën time të 30 metërshit ta bëj të barabartë me 100m e një partie të madhe politike. Ju garantoj që do bëjmë 40m dhe jo 30m. 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Me tone të forta akuzuese, dajli i Enver Hoxhës, teksa tregon prapaskena nga mënyra e mjekimit të të atit të tij dhe forcon idene se a

   Mësuesja e shkollës 9-vjeçare në Malësinë e Madhe akuzon ish-eprorin.

   "Duke qenë se KLP nuk është konstituuar, ligjvënësi ka parashikuar një Prokuror të përkohshëm".

   Liliana Hoxha, bashkëshortja e Sokolit, djalit të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, akuzon vjehrrën e saj, Nexhmije Hoxha, dhe Ra

   Kjo është intervista e parë e Alexandër Arvizu për një media shqiptare pas largimit nga Departamenti i Shtetit. Në të shfaqen hend

Herë Aja nga radhët e popullit e herë Jozefina Topalli nga kupola politike, mes këtyre dy karaktereve qëndron personazhi i vërtetë, Rudin

   Në një intervistë ekskluzive për ABC News, raportuesi per Shqipërinë, Knut Fleckenstein, deklaron se nuk ka rrugë tjetër përveçse hapj

   Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet të ratifikojnë marrëveshjen e d

   Nazire, është një vajzë 19-vjeçare nga Kavaja e cila studion për juridik në Universitetin e Durrësit.

Ajo është parë shpesh në ekranet televizive në formate të ndryshme të show-bizit me një stil ndryshe e tepër të veçantë.