Një femër tjetër me personalitet të spikatur është edhe Meliha Maloku, sekretarja e Këshillit Bashkiak. E pranishme gjithnjë në një sallë ku debatet janë shpesh mjaft të ndezura e ku dominojnë zërat mashkullorë, në përgjigjet e saj Melihaja reflekton qytetari dhe këmbëngulje si armët më të mira për të arritur rezultatet e kërkuara në punën e saj. Mesazhi që ajo i përcjell shoqërisë mashkullore në përgjithësi është besimi në kapacitetet dhe potencialin e femrës, sepse vetëm kështu shoqëria jonë do të bëhet më tolerante dhe më bashkëvepruese.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

Të jesh grua do të thotë shumë. Gruaja përfaqëson një vlerë për shoqërinë shqiptare. Ajo është bashkëshorte, zonjë shtëpie, nënë, profesioniste (ekonomiste, juriste, artiste etj.). Nisur nga kjo them që për një grua karriera përbën sakrificë, impenjim e angazhim të vazhdueshëm. Këtë fakt gratë e pranojnë dhe e përballojnë me sukses. Krejt ndryshe ndodh me burrat. E pikërisht këtu del ne pah ndryshimi, ndryshim i cili shfrytëzohet maksimalisht nga burrat në dobi të tyre. Në Shqipëri, gjatë tranzicionit, janë bërë përpjekje të vazhdueshme dhe është arritur shumë në drejtim të barazisë gjinore në vendimmarrje (pabarazia e përfshirjes së grave në veprimtaritë politike, përfaqësimi i grave në shoqërinë civile, aksesi dhe kontrolli në vendimmarrjen brenda familjes etj).

Ju pyesni lidhur me  problematika të ndryshme me eprorë e vartës meshkuj. Dua të theksoj se përvoja e gjatë e punës në administratë, pozicioni aktual i sekretares së Këshillit Bashkiak Durrës ka bërë që problematika të ndryshme të zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit dhe këmbënguljes që një grua demostron në punën e saj.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Sigurisht. Asgjë nuk është e thjeshtë dhe e lehtë për t’u arritur. Jam privuar nga shumë angazhime personale e familjare për të realizuar objektiva të rëndësishme. Gjithçka bëhet e mundur në sajë të bashkëpunimit familjar dhe mbështetjes totale të tyre. Vetëm, asgjë nuk realizohet. Fakti që kam tre vajza përbën një pikë te fortë timen në këtë aspekt, pasi janë një mbështetje e fuqishme.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Për fatin e mirë jetojmë në një qytet ku qytetërimi e kultura kanë vlerë. Ky fakt ka sjellë vlerësim e respekt ndaj meje, kuptuar kjo se qenia grua zbut tone, shfaq tolerancë dhe pse jo krijon ura bashkëpunimi. Fakt, të cilin do te dëshiroja të ishte i pranishëm kudo ku punojnë gra dhe burra. Sepse të jem e sinqertë jo gjithmonë ndodh kështu. Skepticizmi i burrave është prezent.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Të vlerësoj për këtë pyetje, sepse gjithmonë kërkojmë të gjejmë fajtorin te burrat. Pabarazia gjinore si dukuri e ka shoqëruar njerëzimin që nga kohët antike e deri në ditët tona. Përpjekjet për ta zbutur sa më shumë atë janë konkretizuar me ligjin “Për barazi gjinore në shoqëri” dhe “Strategjinë  Kombëtare për Barazi Gjinore dhe për Dhunën në Familje 2007 – 2010”. Vendosja e kuotimit përsa i përket përfaqësimit të grave në vendimmarrje përbën një arritje të madhe. Por jo në pak raste ka persekutim dhe brenda vetë grave. Egoizmi i pakontrolluar ndonjëherë sjell beteja brenda të njëjtës gjini. Mendoj se pikë së pari duhet që gratë të shikojnë njëra tjetrën si mbështetëse e jo rivale. Kjo na bën më të denja e më të fuqishme përballë burrave. Vetëm kështu mund t’i fitojmë betejat tona.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Është i vërtetë konstatimi juaj. Numri i grave të përfaqësuara në pushtetin qendror dhe atë lokal ka ardhur duke u rritur. Vendosja e kuotës 30% të përfaqësimit për gratë përbën një arritje për ne. Pavarësisht rezervës që kam për kuotën e për të mos folur për realizimin real të kësaj kuote, sinqerisht them se gruaja që demonstron një shpirt të fortë duke qënë kreative, vizionare, vetmohuese në punën e saj, bashkëpunuese dhe tolerante meriton besim.

E pikërisht grave, të cilat ballafaqojnë dijet e tyre profesionale e shkencore  në çdo fushë, u duhet kushtuar vëmendje nga politika shqiptare. E sigurisht shoqëria do të marrë tjetër vlerë e zhvillimi kuptohet dukshëm. Mesazhi që dua të përcjell është: Besoni tek gratë, sepse ato e meritojnë dhe e justifikojnë këtë besim.