Prapaskenat e arrestimit dhe gjyqit të Nexhmije Hoxhës

28/07/2014 - 16:29

Nga Xhevdet Shehu 

Pse u arrestua Nexhmije Hoxha

Fushata për zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992 kishte kohë që kishte filluar. Madje për atë fushatë PD dhe forcat e tjera politike kishin menduar prej një viti. Gjithë veprimtaria e tyre politike ishte vënë tërësisht në funksion të kësaj date që pritej të shënonte ndryshimin e madh historik për fatet e Shqipërisë. Zgjedhjet e 31 marsit 1991, me një fitore të thellë (me mbi 2/3 e parlamentit) nga Partia e Punës (më vonë Partia Socialiste) ishin parë si një zgjidhje e përkohshme, jo afatgjatë.

Kur në ditët e para të dhjetorit 1991, Sali Berisha në emër të PD kërkoi me këmbëngulje arrestimin e Nexhmije Hoxhës, si kusht për ekzistencën e mëtejshme të Qeverisë së Stabilitetit (ku PD ishte në bashkëqeverisje), u pa se koalicioni aq e pat dhe se zgjedhjet e reja ishin në prag. Nexhmije Hoxha ishte vetëm preteksti. Sepse ajo u arrestua e, megjithatë, Qeveria e Stabilitetit ra.

Atëherë filloi realisht mësymja e PD-së drejt pushtetit, me një ritëm të paparë, e papërmbajtshme.

 

Enigma e arit dhe fantazma e Xhon Megout

Në fillim të vitit 1992 Partisë Demokratike iu shtua edhe një argument i ri për këtë çështje, një deklaratë e bujshme e një zvicerani me emrin Xhon Megou (John McGough). Këtë emër për herë të parë e kam dëgjuar nga kryetari i atëhershëm i PD, Sali Berisha, ndërsa mënyra se si u servir dhe u trajtua kjo çështje ishte mjaft intriguese…

Menjëherë pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, një nga çështjet që ka sensibilizuar vazhdimisht opinionin publik në vend ka qënë i ashtuquajturi problem i thesarit të shtetit ose Enigma e Arit. Sipas të dhënave  të shtypit të opozitës, del se sasi të mëdha të këtij thesari janë grabitur e shpërdoruar nga ish-udhëheqja e lartë dhe e korruptuar e Partisë së Punës dhe pushtetmbajtësit komunistë për afro gjysmë shekulli.

Fillimisht, në shtypin shqiptar ky problem u ngrit një vit më parë në faqet e gazetës së parë opozitare RD. Por, si atëherë Partia e Punës dhe më vonë Partia Socialiste, sa herë është ngritur ky problem, kanë sulmuar opozitën demokratike për shpifje dhe truke propagandistike. Megjithatë, presioni i opozitës bëri që në parlamentin e parë pluralist të ngrihej një komision i posaçëm për problemet e thesarit, i kryesuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Blerim Çela. Nga ky komision, si dhe në faqet e RD-së, janë publikuar sasira të ndryshme të thesarit të zhdukura në mënyrë enigmatike. Gjithashtu, është fakt se tashmë pothuajse gjithë ish-udhëheqja e lartë e Partisë së Punës ndodhet në ndjekje penale, ndërsa disa prej tyre, duke përfshirë edhe zonjën Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, si dhe ish-anëtarë të Byrosë Politike si Rita Marko, Manush Myftiu, Hekuran Isai e të tjerë, prej disa muajsh ndodhen të arrestuar nën akuzat për abuzime dhe përvetësime në përmasa të mëdha të pasurisë së popullit që thuhet se kapin miliona dollarë. Nga listat që janë bërë të njohura deri tani, akuzohen pothuajse pa përjashtim të gjitha familjet e ish-udhëheqësve komunistë, duke përfshirë edhe presidentin Alia dhe ish-kryeministrin Çarçani.

Ditët e fundit, problemi i thesarit sensibilizoi sërish më me forcë opinionin shqiptar, pas një deklarate në TV shqiptar të qytetarit zviceran Xhon Megou në datën 24 shkurt. Zoti Megou deklaroi për 10 tonë ar që kanë dalë nga Shqipëria me dy avionë  të posaçëm të ngritur nga aeroporti i Rinasit në muajt tetor – nëntor 1990 në drejtim të bankës Shtrasse të Zvicrës.

Sipas kësaj deklarate, del se një pjesë e këtij ari përbën kapitalin bazë të një banke shqiptaro-zvicerane në Tiranë.

Të nesërmen e kësaj deklarate Presidenti i Republikës, zoti Alia, nëpërmjet një njoftimi të posaçëm nga kabineti i tij, ngarkoi Prokurorin e Përgjithshëm për verifikimin e saktësisë së fakteve të deklaratës së qytetarit zviceran dhe kërkoi të vihen para përgjegjësisë penale personat e implikuar në këtë çështje. Më në fund, së treti, Presidenti urdhëroi që, nëse lajmi rezulton i rremë, të fillojë procesi penal ndaj autorit dhe atyre që organizuan përhapjen e këtij lajmi.

Pika e tretë e njoftimit nga kabineti i Presidentit është konsideruar nga sindikata e pavarur e RTV si shantazh ndaj qytetarit zviceran Xhon Megou, ndaj gazetarëve në përgjithësi, si dhe ndaj fjalës së lirë. Të këtij mendimi ishin dhe shumica e gazetarëve të gazetave qendrore të intervistuara nga TV posaçërisht për këtë çështje. Ata e morën në mbrojtje qytetarin zviceran nga sulmet që i bëhen. Bën përjashtim këtu Zëri i Popullit, që boton shkrime, pohime e deklarata të kryeministrit, ministrit të Financave, drejtorit të Bankës së Shtetit, drejtorit të Thesarit e simpatizantëve të Partisë Socialiste. Në faqet e Zërit të Popullit dënohet deklarata e Xhon Megout, ajo quhet “tollumbace, përrallë e kurdisur, manipulim politik për qëllime elektorale” etj.

Megjithatë, kryetari i komisionit parlamentar për çështjen e Thesarit, Blerim Çela, në një intervistë të tij, pasi mori në mbrojtje qytetarin zviceran, jo vetëm e quajti të drejtë deklaratën e bërë nga ai dhe plotësisht të mundshme nxjerrjen e 10 tonëve ar në fund të vitit 1990, por shtoi se kjo është vetëm një pjesë e vogël e thesarit të grabitur nga pushtetmbajtësit komunistë. Sipas specialistëve, thesari i grabitur çmohet në rreth 280 tonë ar…”.

 

Nexhmije Hoxha në gjyq

 Procesi penal për Nexhmije Hoxhën u hap në Tiranë më 8 janar 1993, në një ditë me diell, por të ftohtë. Hapja e këtij procesi pritej me interes të veçantë, për faktin se do të gjykohej një nga njerëzit më të rëndësishëm të gjysmëshekullit të fundit, bashkëshortja e Enver Hoxhës, e cila thuhej se kishte luajtur një rol të ndieshëm si kur ishte gjallë i shoqi, por në mënyrë të veçantë pas vdekjes së tij.

Për të shmangur ndonjë incident, policia kishte marrë masa të rrepta sigurimi, duke e bllokuar rrugën e Durrësit, ku ndodhej gjykata e Tiranës, si dhe duke e rrethuar godinën me policë të shumtë, të cilët nuk i linin qytetarët e zakonshëm për t’u afruar, ndërsa ftesat për ata që do ta ndiqnin gjyqin në sallë ishin ndarë prej disa ditësh. Gjatë ditëve të këtij gjyqi nuk u zhvillua asnjë proces tjetër, ndërsa mjediset brenda gjykatës ishin rregulluar e pastruar me nxitim, pasi gjyqi do të ndiqej nga shumë gazetarë të vendit dhe të huaj. Salla ku do të zhvillohej procesi ndodhej në katin e tretë dhe shikonte nga lindja, ajo ishte lyer enkas me gëlqere dhe, për herë të parë pas shumë kohësh mosfunksionimi, ishin vënë në punë kaloriferët si dhe në dritaret e saj u varën perde në disa korniza të stërpërdorura…

Në ditën e parë ndodhi një e papritur që i shtangu për një çast të gjithë të pranishmit: u rrëzua korniza e perdes së dritares pas shpinës së të pandehurve dhe, për pak sa nuk ra mbi kokën e Nexhmije Hoxhës, po të mos qe penguar nga altoparlanti i madh që ishte vendosur në cepin e dritares.

Të pranishmit në sallë nuk mundën ta përmbanin një pasthirrmë uuuu?!

Nexhmije Hoxha nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Byrosë Politike, por, duke qenë bashkëshortja e Enver Hoxhës, ajo ishte një nga figurat më autoritare të shtetit. Ndërsa postet zyrtare të saj, në dukje kanë qenë të dorës së dytë, si: anëtare e Komitetit Qendror të PPSH, deputete e Kuvendit Popullor dhe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste – Leniniste. Vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës u zgjodh (në vend të të shoqit) kryetare e Frontit Demokratik.

71 vjeçarja N.Hoxha kishte zgjedhur për avokat të saj në këtë proces Dhimitër Beshirin, i cili ishte bërë i njohur si avokat i njerit prej të pandehurve në gjyqin e Shkodrës për ngjarjet e 2 Prillit. N. Hoxha do të ulej në bangën e të akuzuarve së bashku me ish-drejtorin e Drejtorisë së Pritjes, 38-vjeçarin K. Buxheli, i cili e mbante këtë detyrë që prej vitit 1986.

Hoxha dhe Buxheli akuzoheshin për veprën penale të vjedhjes në përpjestime të mëdha të pasurisë shtetërore si dhe për shpërdorim të detyrës për periudhën 1986-1990.

Do dalë floriri, besonte shumëkush. Erdhi koha…

 

 Dita e parë e procesit

Disa qindra qytetarë të Tiranës të grumbulluar para gjykatës së rrethit përcollën me indiferentizëm momentin prej disa sekondash kur Nexhmije Hoxha, e veshur në të zeza dhe e mirëmbajtur, hyri në këtë gjykatë sot në mëngjes për t’u ulur në bangën e të akuzuarve si e pandehur.

Gjyqi u hap në një nga sallat e vogla të gjykatës sikurse ishte lajmëruar, në orën 9, në prani të gazetarëve të vendit dhe të huaj si dhe të disa të ftuarve, midis të cilëve ndodheshin edhe dy djemtë e Nexhmije Hoxhës…

Prokurori Teodor Mosko tha se familja Hoxha ka patur një trajtim të veçantë me privilegje të pakufizuara gjatë viteve 1986-1990, duke bërë një jetë përrallore me shpenzime të shumta nga pasuria e shtetit që kapin miliona, të pambështetura në akte ligjore e nënligjore. Llogaritet, tha ai, që familja Hoxha të ketë pritur e përcjellë mbi 12 mijë persona, për të cilët janë shtruar dreka dhe darka mjaft të shtrenjta, ndërkohë që niveli i jetesës së njerëzve të thjeshtë binte vazhdimisht drejt varfërisë ekstreme.

Prokurori foli për udhëtime të shumta të familjes Hoxha dhe të udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës jashtë shtetit në kryeqytetet të Europës e Botës, shpenzimet e të cilave i motivonte Drejtoria e Pritjes, duke i nxjerrë nga pasuria shtetërore. Ndërkaq, funksionarët e lartë të shtetit nuk paguanin qera për banesat, për dritat dhe ujin, si dhe kishin klinika speciale ku kuroheshin falas. Gjithashtu  në dispozicion të tyre ata kishin edhe 131 vila dhe shtëpi pushimi në rrethe të ndryshme të vendit, ku përsëri mobilimi dhe trajtimi bëhej falas për ta.

Ndër emrat që u lakua më shumë për vjedhje dhe abuzime të mëdha ishte dhe ai i ish-presidentit Alia, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej disa muajsh, si dhe ai i ish-kryeministrit Çarçani.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues M. Kushi lexoi dy vendime që kishin të bënin me ndalimin e transmetimit të drejtëpërdrejtë të gjyqit në RTV dhe me ndalimin që u bëhet gazetarëve për të interpretuar apo cituar dëshmitë e të pandehurve. Këtë ai e lidhi me mosndikimin në gjykimin e çështjes pa u hetuar ajo plotësisht.

Të pandehurit nuk e pranuan akuzën.

 

***

Dhimitër Beshiri: Unë, avokati i Nexhmijes

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga  Dhimitër Beshiri ka një kujtesë të freskët dhe kujton me detaje gjithë historinë e avokatisë që i bëri Nexhmije Hoxhës dhe historinë e gjyqit të saj. Në këtë rrëfim ekskluziv për gazetën ‘DITA’, ai tregon se si iu propozua të bënte këtë mbrojtje, vështirësinë për ta kryer këtë detyrë dhe se si e përballoi atë.

Zoti Beshiri, prej më shumë se njëzet vjetësh ju njiheni si njeriu që mbrojtët Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit Enver Hoxha në një periudhë të ndryshimit të sistemeve shoqërore dhe politike në Shqipëri. Ç’ishte për ju ai proces?

Fillimisht më lejoni të shpjegoj se ky prioces penal, shumë i bujshëm për kohën kur u zhvillua filloi më 21 korrik 1992 mbi bazën e materialit kallëzues të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, me akuzën e përvetësimit të pasurisë shtetërore në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorimit të detyrës. Meqenëse, sikurse tashmë dihet nga të gjithë, përfundoi pa dinjitetin e kërkuar juridik e professional nga ata që e vunë në lëvizje, opinion mbarëkombatër dhe masmedia e disa vendeve me autoritet në botë, që u interesuan posaçërisht për të, e cilësuan atë “Gjyqi i kafeve”. Unë për këtë proces kam shkruar një libër të tërë me këtë titull, pra “Gjyqi i kafeve”, ku e analizoj procesin në shumëanshmerinë e tij. Rrëzimi i akuzave të përmasave të mëdha, sidomos kur ato u përkasin personaliteteve të larta shtetërore apo shoqërore, siç ishte rasti së vesë së Enver Hoxhës, paraqet interest ë veçantë juridiko-profesional. Ky process gjyqësor ka vlerën e vet, sidomos në drejtim të vlerësimit të provave të administruara nga akuza shtetërore dhe nxjerrjen e konkluzioneve veçanërisht për anën subjective të veprës penale.

Duke iu rikthyer atij procesi, është e pamundur të anashkalohet avokati. Prandaj dhe po e bëjmë këtë intervistë. Pra si u gjendët në mbrojtje të Nexhmije Hoxhës?

Jam gjendur krejtësisht rastësisht. Unë atëherë punoja në Kolegjin e avokatëve të Tiranës, që i kishte zyrat në katin e dytë të ndërtesës ngjitur me godinën e atëhershme të Gjykatës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Durrësit. Dua të kujtoj këtu se kishte pak më shumë se një vit që në Shqipëri ishte rivendosur institucioni i avokatisë dhe njerëzit po e ndjenin efektivitetin e punës së avokatëve në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të tyre, si në proceset penale ashtu dhe në ato civile. Në fund të vitit 1991 Ministria e Drejtësisë programoi kontrolle ndaj avokatëve. Zyra ku unë punoja bashkë me dy kolegë të mi mbante në derë numrin gjashtë. Pikërisht në atë zyrë, më datën 24 dhjetor 1991, rreth orës 9 e 20 minuta më erdhi kryetari degës së avokatëve në Ministrinë e Drejtësisë, i shoqëruar prej përgjegjë2ses sonë të asaj kohe. Pasi na përshëndetën, thanë se donin të bisedonin me mua. Mendova se do të më kontrollonin dokumentacionin e punëve që kasha përfunduar gjatë atij viti. I kërkova të falur një qytetari, që po më shpjegonte në ato caste pretendimin e tij për një çështje civile dhe nis atë nxjerr nga sirtari i tavolinës dokumentacionin përkatës. Port ë ardhurit më ndërprenë dhe më thanë se nuk kishin ardhur të bënin kontroll, por kërkonin që të merrja përsipër zgjidhjen e një problem shumë të rëndësishëm. Perfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, pa e zgjatur, hyri drejt e në temën e bisedës dhe më tha se duhet të merrja në mbrojtje pa tjetër të arrestuarën Nexhmije Hoxha…

Si reaguat ndaj kësaj kërkese apo propozimi?

Të them të drejtën, nuk e prisja një kërkesë të tillë zyrtare, sepse prej kohësh kasha deklaruar se për arsye të ndryshme, disa edhe thjesht personale, nuk pranoja të merrja në mbrojtje asnjërin prej ish-funksionarëve të lartë partiakë dhe shtetërorë. Ndaj dhe e pieta përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë: Pse duhet të jem unë dhe jo ndonjë avokat tjetër mbrojtës I kësaj të arrestuare me rrezikshmëri të theksuar shoqërore? Dhe përgjigja ishte: Disa avokatë nuk pranuan ta marrin përsipër këtë detyrë, ndërsa ai që e ndiqte çështjen, kur e pandehura ndiqej në gjendje të lirë, tashmë ka hequr dorë nga mbrojtja. E pandehura, mbështetur në të drejtat që i jep ligji, nuk pranon të përfundojë hetimet dhe çështja t’I dërgohet gjykatës për gjykim pa praninë e avokatit competent. Prandaj, po nuk pranove ti, theksoi bashkëbiseduesi, do të detyrohemi të marrim avokat nga jashtë shtetit…

Pse ishte aq e vështirë ta mbroje Nexhmijen në atë kohë?

Shiko, duhet të vendosemi afro 23 vite më përpara në kohë. Situata politike në atë kohë në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, ishte tepër e ndezur. Partitë politike “përlesheshin” me njëra-tjetrën. Figura e Enver Hoxhës së vdekur, por veçanërisht ajo e bashkëshortes së tij, Nexhmijes dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes Hoxha ishin në qendër të vëmendjes së opinionit. Arrestimi i Nexhmijes qe kryer vetëm njëzet ditë më parë. Ngado qarkullonin fjalë se ajo akuzohej për përvetësime të pasurisë shtetërore në shuma kolosale, për fshehjen e floririt, për depozitime nëpër banka të ndryshme të botës, për korrupsion, shpërdorim të detyrës etj. Këto akuza në ngarkim të saj dëgjoheshin kudo, në rrugë, në kafene, në zyra. Ato mund t’i lexoje në shtypin e përditshëm dhe atë periodik. Ishin ditët më të çuditshme të periudhës së tranzicionit në Shqipërinë post-komuniste. Prandaj dhe të merrje përsipër mbrojtjen e kësaj të arrestuare në atë kohë, ishte më shumë se aventurë…

/gazeta "Dita"/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Prej një muaji që koronavirusi ka mbërthyer vendin dhe po merr shtrirje të re çdo ditë e më shumë duke zgjeruar hartën e vendeve të preku

Rajoni i Lombardisë është zona me numrin më të lartë të të prekurve dhe të vdekjeve në të gjithë Italinë nga koronavirusi.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka sulmuar sot PPP-të e qeverisë, paratë që jepen për të cilat sipas saj mund të përmi

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti jeton në një banesë 61 metër katror dhe mbi të gjitha me qira.

“Peku fisio center”, një ndër klinikat më moderne të hapur në pranverë të këtij viti, nën drejtimin e fizioterapistit du

Puna e efektivëve të Policisë Bashkiake në Durrës, në dobi të qytetarëve dhe jetës publike në shumë sektorë jetikë, është me rëndësi të m

Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me ngjarjen tronditëse të pak javëve më parë në qytetin e Kavajës, ku një konflikt i armatosur për

*Intervistë me Drejtorin ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare

 Ajo është ventrilokuistja e parë në Shqipëri.