Rrëfimi i Mira Kaurit: Ja kush ishin firmëtarët e parë të PD-së në Durrës, populli na inkurajonte

Postuar: 15/04/2017 - 21:49

Ish deputetja e Partisë Demokratike dhe një nga nismëtaret për krijimin e degës së kësaj force politike në qytetin e Durrësit, Mira Kauri, i kthehet kujtimeve të atyre ditëve. “Ajo që do të kujtoja dhe që mbetet e pashlyeshme është mbledhja e parë që është bërë me Doktor Berishën te xhamia aktuale” rrëfen pediatrja e njohur, e cila konstaton se pjesa më e madhe e aspiratave të atyre ditëve sot është bërë realitet. Teksa është kundër largimeve nga kjo forcë politike, ish-deputetja kërkon njëkohësisht që PD aktuale të ketë memorie për nismëtarët e 90-tës.

DurrësLajm po riboton intervistën e plotë të ish-deputetes, botuar për herë të parë në gazetën “Dyrrah”, më 17/03/2012. Në intervistë, Kauri risjell edhe njëherë në kujtesën e demokratëve durrsakë firmëtarët e parë të kësaj force politike për krijimin e degës së PD-së Durrës.

Znj. Kaurri, mund të na thoni diçka në lidhje me fillesat e lëvizjes demokratike në Durrës?

Ata të cilët e formuan Partinë Demokratike kanë qenë idealistë, njerëz që ju kishte ardhur në kockë thika e regjimit komunist dhe ëndërronin për një jetë më të mirë. Përsa i përket hapave të parë të PD-së do të thosha se të parët që më kanë kontaktuar në atë kohë kanë qenë Vaso Llapa dhe Artan Hoxha. U krijua një bërthamë shumë e vogël në spitalin pediatrik, por ajo që do të kujtoja dhe që mbetet e pashlyeshme është mbledhja e parë që është bërë me Doktor Berishën te xhamia aktuale, që atëherë kish një tjetër funksion. Në atë takim ishin dhe firmëtarët e PD-së. Ajo natë ka qenë e paharrueshme. Të mos harrojmë se Sigurimi i Shtetit ishte nëpër këmbë. Për mendimin tim, nuk ishim të guximshëm vetëm ne që u mblodhëm atë natë me Doktor Berishën, por i guximshëm ishte gjithë ai popull i Durrësit që mbushi teatrin atë natë.

Kënaqësia ishte se kur dola në rrugë, të gjithë qytetarët durrsakë që takoja më inkurajonin, duke u shprehur krenarë për atë që ne kishim bërë. Unë mendoj se i gjithë populli shqiptar e kërkonte ndryshimin, madje dhe vetë komunistët, pasi një pjesë e tyre mezi mbyllnin 15-ditëshin. Frika e madhe i bënte ata që të ishin të tillë. Unë mendoj se deri më sot pjesa më e madhe e idealeve tona të atyre viteve janë plotësuar. Më kujtohet ajo natë kur ishim së bashku me Lindita Priftin, Vaso Llapën, Tan Hoxhën, Ideal Sheshin dhe të tjerë emrat e të cilëve për momentin nuk më kujtohen. Atë natë na u duk se kishim fituar mbi diktaturën. Pas momentit të themelimit të degës së PD-së (nga firmëtarët e parë si Shkëlqim Shtylla, Vaso Llapa, Artan Hoxha, Minush Jero, Vango Stamo, Bardh Balza, Krenar Koçi, Shyqyri Cara etj), do të doja të kujtoja më pas mitingun te stadiumi “Niko Dovana”. Oratorët kishin hipur mbi një rimorkio, nga ku flisnin e flisnin duke kërkuar me çdo kusht ndryshime demokratike. Në ato minuta frika po thyhej.

Mbaj mend më pas një takim tjetër që kemi bërë me gratë demokrate te Durrësit, pasi sapo u krijua Partia Demokratike u krijua dhe Lidhja e Gruas Demokrate. Unë personalisht jam ndër nismëtaret e këtij forumi që dha një kontribut të konsiderueshëm në atë kohë. Ne ishim në çdo iniciativë që bëhej si në Durrës dhe në Tiranë. Më kujtohet një takim në Tiranë ku ne ishim te sheshi para Pallatit të Kulturës duke deklaruar se e duam Shqipërinë pa Ramiz Alinë, në një kohë që shumë pranë nesh ishte Komiteti Qendror dhe vetë Ramiz Alia. Janë momente të paharrueshme. Do të doja që të kujtoja dhe një moment tjetër shumë interesant nga ditët e rrëzimit të diktaturës. Pasi populli i Durrësit rrëzoi bustin e diktatorit Enver Hoxha nga porti, busti u zvarrit në rrugët e qytetit.

Kujtoj një moment shumë interesant kur busti kalonte te ish-MAPO e vjetër dhe te ish-dyqani i luleve. Unë së bashku me fëmijën tim 3-vjeçar shikoja nga ballkoni një skenë të jashtëzakonshme. Ndërsa sampistët me skafandra kishin rrethuar njerëzit, një burrë i moshuar ju afrua një sampisti dhe i hoqi ngadalë skafandrën duke thënë: “Policia është me ne“. Nga ai moment kjo shprehje pati jehonë te të gjithë njerëzit që zvarritën në qytet bustin e diktatorit, por dhe te sampistët që nisën të hiqnin skafandrat.

Cili ka qenë roli i Azem Hajdarit në lëvizjen demokratike të Durrësit?

Azem Hajdari ishte deputet i Shijakut. Azemin e kam njohur nga afër kur isha në parlament, pasi në Durrës ai ka qenë së bashku me Arben Imamin. E kujtoj në parlament Azem Hajdarin si një tip energjik që gradualisht u bë dhe një intelektual shumë i mirë. Ishte mbi të gjitha trim dhe i sinqertë. Unë kujtoj me nostalgji se kur rrija në një bankë me atë dhe ai ngrihej për të diskutuar me shumë pasion, e tërhiqja nga xhaketa për ta qetësua. Erdhi një moment sa thashë se do të ndërroj bankë, se Azemi mund ta pësojë ndonjë ditë. Në fakt ashtu ndodhi. Unë isha në Itali dhe atë e qëlluan në parlament. Më vonë e vranë. Një humbje e madhe për demokracinë dhe Shqipërinë. Përsa i përket takimeve dhe protestave ku Azem Hajdari ish prezent në Durrës, më kujtohet koha kur para degës së punëve të brendshme Azemi dilte përpara dhe thërriste vetëm për liri. Vetëm njerëz trima si ai mund të kishin guximin për të kundërshtuar regjimin në mënyrë të tillë. Falë këtyre njerëzve, ne arritëm dhe atë liri që gëzojmë dhe sot.

 Cili është opinioni juaj në lidhje me kontribute njerëzore dhe vlerësimin e tyre brenda PD-së?

Unë personalisht gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve kam qenë pjesë e PD-së dhe do të mbetem gjithmonë kështu. Nuk ka njerëz të përjetshëm në poste në një demokraci. Ky është koncepti im. Synimi im personal ka qenë për të vendosur një gur në demokracinë e Shqipërisë dhe mendoj se e kam vënë dhe unë një gur modest në themelet e kësaj demokracie. E them me bindje se nuk jam dakord që dikush pa pasur eksperiencën e duhur të ngjitet lart dhe befasisht të gjendet në majat më të larta.

Në vendet perëndimore edhe sikur të mbarosh universitetet më të njohura si ai i Harvardit psh, nuk mund të marrësh poste pa pasur eksperiencën dhe kontributet e duhura. Unë mendoj se PD-ja aktuale duhet të hedhë më shumë sytë nga nismëtarët dhe kontribuuesit idealistë të viteve 90-të. Vitet kanë kaluar dhe ndoshta nuk është më ai idealizmi i parë i viteve 90-të. Në PD ka shumë njerëz idealistë që vazhdojë të kontribuojnë për demokracinë, pavarësisht nga balta që hidhet nga socialistët. Kujtoj se kur isha në parlament socialistët kishin një parullë: “Gënje- gënje, se diçka do të mbetet“.

Flitet shumë nga të majtët dhe sot në këtë stil, por unë mendoj se Shqipëria ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Vendi ynë është bërë me rrugë mbi të cilat ecin të gjithë, të majtë dhe të djathtë. Nuk është e ndershme që të hidhet baltë mbi këto punë dhe ndryshime që janë bërë.

Cili është vlerësimi juaj në lidhje me largimet ciklike që janë bërë nga PD-ja?

Unë nuk jam aspak dakord me largimet nga PD-ja. Ka shokë që janë larguar dhe rikthyer, por është çështja e tyre. Unë personalisht nuk do t’ia lejoja vetes një gjë të tillë. Mendoj se këta zotërinj që janë larguar do të bënin më mirë që të qëndronin aty dhe ta shprehnin mendimin e tyre. Nuk jam dakord dhe me ata të cilët thonë se në Partinë Demokratike nuk të lënë të flasësh. Ne kemi folur dhe debatuar për shumë gjëra dhe askush nuk na ka përndjekur. Më kujtohet se kishte raste kur e kundërshtonim me zë të lartë dhe Doktorin dhe nuk e kuptoj se pse këta njerëz deklarojnë se ka qenë e pamundur të debatosh në PD. Do të thosha pak me humor se të gjithë shqiptarët e duam një karrige kryeministri, por një është ajo e shkreta.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Me tone të forta akuzuese, dajli i Enver Hoxhës, teksa tregon prapaskena nga mënyra e mjekimit të të atit të tij dhe forcon idene se a

   Mësuesja e shkollës 9-vjeçare në Malësinë e Madhe akuzon ish-eprorin.

   "Duke qenë se KLP nuk është konstituuar, ligjvënësi ka parashikuar një Prokuror të përkohshëm".

   Liliana Hoxha, bashkëshortja e Sokolit, djalit të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, akuzon vjehrrën e saj, Nexhmije Hoxha, dhe Ra

   Kjo është intervista e parë e Alexandër Arvizu për një media shqiptare pas largimit nga Departamenti i Shtetit. Në të shfaqen hend

Herë Aja nga radhët e popullit e herë Jozefina Topalli nga kupola politike, mes këtyre dy karaktereve qëndron personazhi i vërtetë, Rudin

   Në një intervistë ekskluzive për ABC News, raportuesi per Shqipërinë, Knut Fleckenstein, deklaron se nuk ka rrugë tjetër përveçse hapj

   Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet të ratifikojnë marrëveshjen e d

   Nazire, është një vajzë 19-vjeçare nga Kavaja e cila studion për juridik në Universitetin e Durrësit.

Ajo është parë shpesh në ekranet televizive në formate të ndryshme të show-bizit me një stil ndryshe e tepër të veçantë.