Rrëfehet e dashura e Izet Haxhisë: Po kërcënohem se flas në emër të tij

Postuar: 23/08/2018 - 13:54

Për opinionin publik shqiptar, që prej disa muajsh, ajo njihet thjesht si “e dashura e Izet Haxhisë”, e kthyer tashmë në të vetmen urë lidhëse mes tij, nga burgu 302 dhe botës jashtë. Shumë pak dihet për vajzën, që i ka pushtuar zemrën të burgosurit më të diskutuar për momentin në Shqipëri, ish-bodigardit të Sali Berishës, i cili premton një tërmet politik nëse rihapet dosja “Hajdari”.

E dashura e Izet Haxhisë ka tentuar të mbajë një profil të ulët, duke mos folur asnjëherë. Deri më tani, ajo që dihet është se kjo vajzë është kthyer në të vetmin burim përcjellës të asaj, që i komunikon Izeti përmes bisedave telefonike, që, më pas, postohen në llogarinë personale të Haxhisë në Facebook.

Sot Shqiptarja.com, përmes një interviste ekskluzive, zbulon se kush është ajo. Erjona P., nga Franca ku jeton, tregon, në këtë intervistë ekskluzive me detaje se si është njohur me Izet Haxhinë dhe kostot që është duke paguar për atë që bën, duke u kthyer në të vetmin kanal komunikimi mes tij dhe publikut. Erjona tregon pse po e kërcënojnë, madje kanë arritur ta etiketojnë si një “Mata Harri”.

Megjithatë, ajo thotë se është e vendosur t’i qëndrojë në krah me çdo kosto, me çdo çmim, të dashurit të saj Izet Haxhia, i cili po tenton të pastrojë emrin e tij nga akuzat dhe dënimi me 25 vite burg, dhënë në mungesë, për ekzekutimin e Azem Hajdarit, cilësuar si vrasja e shekullit.

Për opinionin publik ju njiheni shumë pak, por vetëm si “e dashura e Izet Haxhisë”, e cila, kohët e fundit, në emër të tij, poston komente në Facebook. Kush është Erjona dhe me çfarë merret ajo?

Në të vërtetë, ajo që më bën publike në Shqipëri, është vetëm fakti që jam e dashura e Izet Haxhisë… Pavarësisht se vij nga dy familje tepër të njohura… Por, për miqtë e mi në Shqipëri dhe opinionin në Francë, unë jam soprano, pedagoge kantoje dhe në përgatitjet e fundit të mbrojtjes së një doktorature. Jam arsimuar dhe punësuar në opera të ndryshme të Frances, ku jetoj prej 18 vitesh.

Si jeni njohur me Izetin, në një kohë kur ai ka jetuar në Turqi, ndërsa ju prej vitesh në Francë?

Me Izetin jemi njohur ne Tirane, para 21 vitesh. Fare rastësisht, ndërsa prisja pedagogen time të kantos, Nina Mulën, u gjenda me ca shoqe më të rritura se unë, në një tavolinë me Izetin. E kisha parë në televizion, por nuk e kisha shumë idenë kush ishte… Jeta ime ishte partitura dhe vetëm papritura… Di që ai takim me la tepër mbresa, sepse në ditarin e 16-17-vjeçares së dikurshme gjej faqen ku kam shkruar për këtë takim dhe përshtypjen tepër të mirë që më la Izeti.  E para, ishte i vetmi ne tavoline që nuk më përqeshi, sepse në atë kohë mbaja tela në dhëmbë dhe çdo fjalë e imja fillonte dhe mbaronte me "th". E dyta, sepse m’u duk si "tip shefi" i atyre dy burrave të tjerë, që nuk m’u ngjitën e nuk ma shpifën, si zakonisht në ato kohë, falë Izetit! Tepër serioz, tepër korrekt, tepër i respektueshëm! Po flasim për vite, kur të fortët na kishin futur tmerrin para Liceut dhe kur jeta e një vajze nuk ishte aspak e sigurtë… Jemi rigjetur para një viti… me dashjen e Zotit, që na ofroi një mundësi të dytë, meqë të parën nuk e kishim kapur… Sidomos Izeti, në fakt, që, jo vetëm s’ma fërshëlleu fare, por i lexohej në fytyrë një rëndesë dhe komplikim punësh… Ishte në mes të problemeve të politikës, që mua as nuk më shkonte mendja se ekzistonin. Ishim në dy botë komplet të ndryshme…

Kush e bëri hapin e parë për të ndërtuar një lidhje. Ju, apo Izeti? 

E vërteta është që të dy komentuam diku dhe mua s’më thoshte asgjë emri i tij, pasi nuk kisha patur më asnjë lidhje politike me Shqipërinë dhe isha tërësisht e zënë me muzikën dhe karrierën time. Por pamja e tij më solli diçka turbull… Dhe, mbasi u përqendrova pak tek fotoja e tij, m’u rikujtua ai "tip shefi" i kafes në Tiranë! M’u kujtua që, në ato kohëra katrahure, ishte nga të vetmit që më kishte lënë një shije respekti dhe korrektësie! Dhe indiference në një farë mënyre (qe, për një gocë Liceu, ishte pak e çuditshme dhe e pazakontë). I shkruajta unë e para, plot mirënjohje të sinqertë, për ta falenderuar për atë moment të bukur fisnikërie, që kishte lënë në kujtesën e 16-vjeçares së dikurshme… Ishte një mesazh i çuditshëm për Izetin, që ishte mësuar të fliste gjithmonë fillimisht për politikë… Por, unë duhet të isha nga të paktët shqiptarë në botë, që as nuk e kisha idenë se çfarë kishte ndodhur me Izet Haxhinë dhe peripecitë e tij! Mbasi, edhe në mes të rrëmujave të 97-98-ës e më vonë, jeta ime ishte e mbushur vetëm me opera dhe Maria Callas… Sigurisht që, kur Izeti filloi të më tregonte "aventurat e Çufos" (siç e quaj unë jetën e tij), u trondita jashtë mase… Çfarë ishin këto gjëra politike, juridike, policeske… Uuuuu, çfarë ngatërrese! Po kjo tani? Nga na doli ky njeri me kaq komplikime??? Por zgjati vetëm pak minuta… sepse ishim aq shumë të fokusuar tek e tashmja, tek momenti present, në të cilin po komunikonim… ndihej në ajër një rrjetë fijesh të padukshme, tërheqjeje intelekti dhe shpirti. Diçka e çuditshme, e pashpjegueshme me fjalë… Diçka që vetëm mund të ndjehet e s’mund të përshkruhet me shkronjëza a fjalëza. Shpresoj për ju, që më kuptoni për ç’lloj ndjesie magjike flas…

A nuk përbënte problem për ju fakti që po ndërtonit një lidhje me dikë, që e kërkonte Drejtësia shqiptare dhe i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit?

Siç e thashë, lidhja erdhi tepër spontane dhe tmerrësisht e fortë në të njejtën kohë; asnjë gjë nuk mund ta ndalte, as Drejtësia, as dënimi, as tsunami e as bomba nukleare. Çdo gjë ishte sekondare, ajo që po na ndodhte ishte e vetmja e vërtetë, për të dy! Dhe shumë më e fortë se sa ne të dy dhe mendjet tona prej frymorëve normal… Dashuria me gjithë dashuritë brenda, me gjithë shpërthimet dhe ëmbëlsine e saj… Nuk kishte më kthim…

Sa e lehtë apo e vështirë ka qenë për ju të mbani gjallë një lidhje në distancë, pasi ju ishit në Francë dhe ai në Turqi?

Nuk ka qenë e lehtë, shumë mall, shumë vështirësi, shumë komplikime. Por dashuria është më e fortë se gjithshka, pavarësisht se ky duket thjesht si nje sllogan klishé… Por për ne ashtu është! Dashuria është më e fortë se kufinjtë dhe çdo gjë që na ndante, madje më e fortë se Erdogani e Macron, të mbledhur bashkë.

Sipas jush, përveç se i dashur, çfarë përfaqëson Izet Haxhia, i cili, në sytë e opinionit publik shqiptar, është një vrasës, ndërsa për disa të tjerë një viktimë e padrejtësive të Drejtësisë shqiptare?

Ne fillim fare, kur Izeti më tregoi jetën e tij, hyra në youtube dhe pashë ç’thuhej për të…. U trondita nga shumë komente të zeza sterrë për të, por treçereku ishte inkurajues dhe solidar me Izetin, me pafajësinë e tij! Por unë jam natyrë kurioze dhe e pavarur në mendimet dhe bindjet e mia… fillova të studjoj dhe analizoj vetë ngjarjet, politikën dhe ato çfarë rrodhën më pas… Mbështetja ime, solidariteti im me Izetin nuk erdhën vetëm sepse duheshim, por sepse u binda, pa asnjë ndikim shpirtëror e emocional, që pafajësia e tij ishte më shumë se sa e vërtetë! Izeti përfaqëson pikë së pari jetën e një njeriu të përdorur padrejtësisht, por edhe forcën dhe burrërinë për të qendruar në këmbë, pa u lëkundur, as nga vështirësitë, as nga vetmia, as nga varfëria, as nga sulmet e gjithanshme! 

Si është pritur në familjen Haxhia lidhja juaj?

Nuk mund të flas në emër të tyre… Secili ka të drejtën të ndjejë lirisht atë, që i duket e besueshme dhe e vërtetë! Për ne të dy, kjo nuk ndryshonte asgjë, gjithsesi…

A jeni takuar ndonjëherë me nënën apo vëllezërit e Izetit?

Jo, shpresoj që një ditë të takohemi të gjithë e të festojmë lirinë e Izetit buzë Valbonës!

Pasi ju u bëtë aktive, duke postuar komente në emër të Izetit, një lumë me komente ofenduese u derdh ndaj jush. Kjo ndodh sa herë ju postoni diçka në llogarinë e tij personale në Facebook. Si i keni pritur? Pse gjithë kjo histeri dhe urrejtje ndaj jush?

Sulmet, kërcënimet, shantazhet kanë ardhur që ditën kur Izeti (me dëshirën e të dyve) bëri publike lidhjen tonë. Ishte dita kur morëm vesh vendimin për ekstradim dhe, në ato momente, çdokush mundohet të kapet fort tek e vetmja gjë e bukur dhe me dritë që ka: për ne ishte dashuria jonë! Ndaj vendosem ta bëjmë publike, sepse na bënte mirë ne të dyve, sepse diçka kaq e madhe nuk mund të mbetej e fshehur, sidomos në atë moment shumë të vështirë për ne! Shumica e njerëzve nuk e kuptuan këtë, duke filluar që nga familjarët tanë të ngushtë… Na gjykuan e paragjykuan me çdo lloj fantazie! Nuk arritën të kuptonin që e vetmja gjë që na interesonte, ishte se si të ndihmonim njeri- tjetrin në atë moment aq të tmerrshëm për të mos u çmendur nga dhimbja e ndarjes dhe e panjohura që na priste… Asnjë llogari, për askënd, nuk bëmë dhe s’kemi bërë kurrë; as unë, as Izeti! Jemi të dy spontanë dhe jo-llogaritës!

Përveç komenteve në Facebook, a ka patur kërcënime në rrugë të tjera dhe të çfarë natyre kanë qenë ato?

Kërcënimet kanë qenë reale, në jetë. Prindët tanë pleq, që jetojnë në Shqipëri, janë kërcënuar me vrasje e me shantazhe nga më të turpshmet! Le të mos flasim për lumin e pandalshëm të sharjeve, mallkimeve dhe kërcënimeve ndaj meje dhe fëmijëve të mi… Moda e fundit është hipoteza që unë jam një profesioniste, e futur nga dikush (Zoti e di se nga kush!), që bëj lojë se gjoja jam në Francë, sepse ‘Arsen Lypenët’ kanë "zbuluar", me pasqyrën magjike të shtrigës së Borëbardhës, se ndodhem në Shqipëri… kushedi në çfarë bunkeri, e fshehur me aparatet e 007-ave… Më vjen edhe për të qeshur… ndërkohë që i lexoj këto, duke punuar për doktoraturën, ose duke bërë drekën për fëmijët… Është turp, në fakt, se sa groteskë mund të jenë njerëzit… Më mirë të qeshim…

Sipas jush, ata që ju kërcënojnë, çfarë qëllimi final kanë?

Sigurisht që qëllimi final është dëmtimi i Izetit; unë jam thjesht "pika e dobët", ku ata u sulën si egërsira… Sepse për ta Izeti s’meritonte të ishte i lumtur, nuk mund të konceptohej të dashuronte dhe që dikush të ndjente dashuri për të; Izeti duhej të mjaftohej me thërrimet e një jete të thërmuar, Izeti duhej të rrinte, ose i syrgjynosur, ose në burg… por, gjithsesi, jo i lumtur!

Izeti ju quan - citoj - "Shota ime e pamposhtur, e mençur dhe bashkëluftëtarja" në këtë betejë, që ai ka nisur. Çfarë jeni e gatshmë të bëni për të, në këtë betejë të vështirë dhe me të panjohura deri në fund?

Nuk e di nëse keni dashuruar ndonjëherë dikë, për të cilin jeta juaj do të ishte minimumi që mund të falnit… Gjithshka do të bëja për të! Dhe do të ishte nderi im të bëja, qoftë edhe për një minutë, të lumtur një njeri aq të bukur në shpirt dhe që më mahnit çdo ditë, që më bën të bie në dashuri çdo ditë nga e para…, që më krijon ndjesinë se jeta është dhurata më e bukur që kemi, pikërisht sepse mund të dashurojmë kështu… Unë vetëm në opera kisha kënduar histori të tilla, kurrë nuk imagjinoja që një ndjenjë aq e pastër, aq e panegociueshme në madhështinë e saj, do të vinte në jeten time dhe do të ulej këmbëkryq, bash në thelb të shpirtit!

Marrë nga "Shqiptarja.com"

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Aktori Julian Deda rikthehet sërish në Televizionin Klan këtë herë në programin më të ri të humorit “Duplex”.

Gregor Rama, djali i kryeministrit Edi Rama, vjen sot në një rrëfim të veçantë për jetën, pasionet dhe familjen e tij.

“S’ka inat” ishte klipi ku çifti i famshëm i këngëtarëve nga Kosova, Robert Berisha dhe Nora Istrefi, u bënë bashkë për të na rrëfyer për

Teuta ka ndryshuar rrënjësisht në këtë sezon, duke filluar nga stafi teknik te merkato, e cila ka qenë tepër cilësore.

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, u shpreh i lumtur për superkupën, por në përgjithësi pati edhe nga një koment për shumë tema.

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips thotë se ideja e ndarjes apo e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është al

   Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet K

Romantik në muzikë dhe rebel në jetë, Endri Prifti i shpreh me zë të lartë të vërtetat e jetës së tij dhe pakënaqësitë nga realiteti e de

   I debatuar tashmë prej muajsh, pakti mes Shqipërisë e Greqisë duket sikur është afër por njëkohësisht edhe larg së arriturit.

Ka lënë pas zgjimet metropolitane në televizion, për t’u zgjuar gjithë adrenalinë në vendet më të bukura turistike të Shqipërisë, nga ver