Shpresa Ahmeti: Të jetosh vetë e dytë në 20m²

18/12/2011 - 00:00

Gëzon statusin e të pastrehit, por deri tani ankesat e saj pranë pushtetit lokal janë shpërfillur gjithnjë

Edhe sot, pas më shumë se 20 vitesh 67-vjeçares, Shpresa Ahmeti nuk i shqiten nga mendja dhe veshët episodet e britmave të policisë dhe të punonjësve të sigurimit të shtetit në Durrës. Arratisja e të birit solli shumë telashe për këtë grua. Të gjithë e braktisën: vëllezërit, motrat, nipërit, mbesat, komshinjtë. Edhe pse i biri nuk e kishte biseduar me të arratisjen e befasishme në kohën e shërbimit ushtarak, Ahmeti do të vendosej në qendër të përçmimit në lagje, tek njerëzit e vet dhe tek policia. Por edhe tani pas 20 vitesh përmbysje të regjimit komunist, Shpresa Ahmetit nuk i ndahen hallet. Ka mbetur në një dhomë 20 m2 me një banjo të përbashkët me fqinjët, pasi bashkia nuk i jep strehë. 67-vjeçarja tregon se nga mërzija i është shkaktuar sëmundja e zemrës. Ajo tregon se është bërë gjysëm njeri. Sa ishte mesogrua jetën ia nxiu policia, tani ka mbetur fillikat e vetme në një banesë të ish-pronarëve, të cilët kërkojnë që ajo e i biri t’ia lirojnë shtëpinë trashëgimtarëve legjitim. 

Jetoni në një banesë me djalin, ndërsa vazhdoni të mos përfitoni nga statusi i pastrehë. Na tregoni pak si jetoni?

Bashkë me djalin banojmë në lagjen numër 3 të qytetit të Durrësit, në shtëpinë e ish pronarëve. Dhoma është pronë e Beshirëve, pronarë të godinës. Aty jetojmë disa familje në një gjendje shumë të keqe. Duke qenë se shtëpia nuk është e jona, asnjë nga ne nuk ka marrë mundimin për të bërë investime, pasi edhe nëse do të kishim mundësi ekonomike jemi të bindur se një ditë prona do të shkojë tek i zoti. Sot djali është 45 vjeç. Ka mbetur pa martuar. Nuk ka nuse që vjen për të jetuar në një dhomë si kotec. Disa që kanë pasur statusin si ne të pastrehë kanë marrë shtëpi. Ka edhe nga ata që bashkia u ka dhënë strehim dhe shtëpinë e kanë lëshuar me qera pasi janë bërë me shtëpi të tyren. Nuk ka çfarë më duhet mua, ta gëzojnë se me krahët e tyre e kanë bërë. Por unë jam e pastrehë. Ajo që më mundon është se djali u bë 45 vjeç, është rritur në jetimore dhe tani nuk martohet dot, pasi nuk ka shtëpi mbi kokë.  Deri para demokracisë vuajtëm nga persekutimi. Spiunët e degës së brendshme dhe policia më kanë futur lemerinë. Gjakun ma kanë bërë ujë.

Si ndodhi arratisja e djalit nga Shqipëria?

Toni ishte ushtar në Dibër. Se kush ia ka mbushur mendjen atje dhe arratiset. Ka qenë shumë i ri, në vitin e parë të kryerjes së detyrimit ushtarak. Nuk dija asgjë se çfarë kishte ndodhur. Djali kishte lënë armën e shërbimit dhe kishte kaluar kufirin në Maqellarë për të dalë në Dibrën e madhe. Ka qenë diku ora 2 e pas mesit të natës, kur dera troket disa herë. Çdo e trokitur më e rëndë, më e fortë se tjetra. Hapa derën dhe pashë disa policë dhe civilë. Hynë brenda dhe pa më thënë gjë e kthyen shtëpinë përmbys. Mu ngri gjaku. Nuk e çova mendjen se djali kishte bërë atë veprim dhe fillova të pyesë njerëzit e xhindosur se çfarë po bënin dhe çfarë kërkonin në shtëpinë time në mesin e natës. Në mënyrë të thatë e të prerë më thanë se djali im, të cilin e quajtën armik të betuar të popullit e të shtetit, ishte arratisur. Pasi nuk gjetën asgjë, veç disa blloqeve e fotografive të djalit, më bërë disa pyetje me mendimin se unë kisha pasur dijeni për veprimin e djalit. Pasi dolën te dera dhe lëshuan fjalë të ndyra për djalin tim dhe shtëpinë tonë më kërkuan të paraqitesha në degë. Për një vit nuk mora asnjë lajm, nëse Toni ishte gjallë apo jo. Në këtë kohë të gjithë njerëzit e fisit të kthyen kurrizin.

Nuk më hynte njeri në derë. Edhe kur shkoja në dyqan apo rradhë të qumështit e të ushqimeve më mbanin kokën mënjanë. As në shkallë të pallatit nuk më fliste njeri. Më harruan të gjithë. Policia vinte kur t’i mbushej mendja dhe pasi bënte të njëjtat pyetje e kontrolle ikte duke turfulluar. Më thonin se do e gjejnë e do e kthejnë në Shqipëri dhe se do ia bënin mishin copë e grimë. Kjo më frikësonte. Po të më pyeste djali nuk arratisej, por tani që iku doja të mos binte kurrë në dorë të këtyre njerëzve të pamëshirshëm.  Edhe mua m’u lëshuan në kurriz duke më thënë se do të më internojnë. Kështu kalonin javët e muajt me zemër të ngrirë. Për djalin më erdhi një fjalë. Ishte gjallë e mirë. Kjo ka qenë dita më e lumtur në jetën time. Fjala erdhi gojë më gojë, por pa rënë në sy të degës së brendshme. Kishin afruar ditët e ndryshimeve të mëdha të demokracisë. Megjithatë në Durrës nuk fliste dot njeri hapur. Vetmia nisi të më brejë. Fillova të besoj në veten time se po i shpëtoja internimit, pasi në stacionet e huaja flitej për përmbysje të regjimit në Shqipëri. Me të ndodhur kjo vendosa të martohem. Isha e vetme dhe krejt e pambrojtur. U martova me një shqiptar në Tetovë të Maqedonisë. Kurorën e martesës e lidhëm në Tiranë. Djali më telefononte dhe herë pas here më dërgonte letër. Më tregonte se ishte mirë dhe për mua kjo ishte gjithçka. Pas dhjetë vitesh Toni u kthye në Shqipëri me mendimin se këtu gjërat kanë ndryshuar dhe se demokracia ka krijuar mundësi jetese për të gjithë. Atëherë më tregoi për çdo gjë që kishte të bënte me arratisjen dhe jetën larg vendit.

Pas kthimit të Tonit nga emigracioni ti dhe djali u vendosët në të njëjtën shtëpi?

Djali nuk ishte më ai që e nisa ushtar. Ishte rritur e bërë burrë. Dhjetë vite emigrant. Kishte mbushur 30 vjeç. Djali është rritur në jetimoren e Durrësit dhe të Tiranës për shkak të pamundësive të mia. Kthimi i tij më gëzoi pa masë. Edhe ai e kishte pritur me padurim ardhjen në Durrës. Nuk na pushoi shtëpia për ditë të tëra. Erdhën edhe ata që më kishin kthyer kurrizin në ditët më të vështira. Jam përpjekur ta mbajë larg djalin tim nga kujtimet e asaj periudhe të vështirë. Nuk i kam treguar në detaje emrat e policëve dhe të agjentëve e spiunëve, të cilët përgjonin shtëpinë tonë ditë e natë dhe as për sharjet e poshtërsitë që ata më kishin bërë. Mendova se do të fitonim një banesë dhe do e martoja për të bërë pastaj një jetë të qetë. Vendimi si familje e pastrehë i përket listës së parë të nënshkruar nga kryetari i asaj kohe Tomorr Golemi. Na mbajtën me shpresë me sot e me nesër. Gjatë kësaj kohe djali u njoh me një vajzë. Shkonin shumë mirë. Por njohja dhe gëzimi nuk shkoi gjatë. Vajza nuk mund të martohej me një djalë që nuk kishte shtëpi, që jetonte në një dhomë me nënën, që banonte në një shtëpi të rrënuar. E kam kuptuar dhembjen e djalit pas kësaj ndarje. Të dy kemi fajësuar kohën duke u ngushëlluar se gjërat do të ndryshojnë, se bashkia do të na strehojë dhe ne do linim pas kohën e hidhur.  Si unë edhe djali e kemi statusin e të pastrehëve. Bashkia këtë e di shumë mirë se na njohin të gjithë atje. Jam banore e këtij qyteti, këtu kam punuar gjithë jetën. Shtëpia është e huaja dhe duhet liruar. Ku do të rrimë ne? Pasi u kthye, djali punoi ca kohë dhe prej shumë kohësh është i papunë, endet rrugëve, nuk ka me se të merret. U arratis herët dhe nuk bëri dot shkollën që duhet. Të vetmet të ardhura që kemi është pensioni im prej 10 mijë lekësh. Detyrohem të shkoj sa në Tetovë, sa në Durrës. Shteti shqiptar ia ka refuzuar marrjen e shtetësisë burrit, por nuk na kanë dhënë asnjëherë arsyet, nuk na kanë shpjeguar kurrë pse e kanë refuzuar. Letër pas letre që nga viti 1996 e deri më sot. 15 vite shkresa dhe pritje, por deri tani pa përgjigje. E kam të pamundur t’i kthej kurrizin djalit edhe pse ai tani është i rritur e i pjekur.

Bashkia ka një listë të gjatë me të pastrehë. A keni mundur të mësoni se kur mendohet t’ju vijë rradha për të përfituar apartament?

Vërtet ka shumë të pastrehë. Por janë kategori-kategori. Ne jemi ata me më shumë përparësi pasi veç problemeve ekonomike jetojmë në banesa të ish pronarëve të cilët e kanë fituar me vendime gjyqi pronën e tyre. Janë ndërtuar disa pallate për ne të pastrehët, por bashkia i ndan ato jo sipas pikëzimeve. A e di si më thonë në bashki sa herë shkoj e kërkoj shtëpi? Më pyesin a kam lekë që të paguaj qeranë. Pasi u përgjigjem pozitivisht më nxjerrin jashtë pa përgjigje. Në maj të këtij viti më thanë se nuk kanë dosjen time. E bëra nga e para. Unë letrat i kam bërë që në atë kohë në dy kopje me vërtetime origjinale. Ua kam nisur prapë. Ata të bashkisë janë bërë edhe agresivë. Sa herë më shohin që ngjitem shkallëve nisin e flasin duke nxjerrë një mijë e një probleme. Ka pasur edhe raste kur ma kanë përplasur derën para syve duke treguar jo vetëm mungesë respekti për moshën, por edhe mungesë të etikës qytetare. Janë bërë të vështirë dhe prepotentë. Sillen shumë keq me të gjithë ne që jemi të pastrehë. As që duan t’ia dinë. Pastaj ne jemi si jetimët, pa mbrojtje. Nuk na del për zot as politika dhe as qeveria. Gjithandej të tregojnë se lista është e gjatë dhe se duhet pritur. Të gjitha janë fjalë sa për të kaluar rradhën dhe pastaj asgjë. Sa herë që kam hyrë në bashki e në zyra nuk pashë një njeri të vetëm të mbajë një shënim për fjalët që ne themi. Nuk të lë njeri një ditë takimi për të na dëgjuar deri në fund. “E dimë, e dimë hallin tuaj, kot je munduar deri këtu, ik tani se kur të vijë rradha vijmë e ju themi vetë”,- më thonë. I kam shkruar Presidentit të vendit, kryeministrit, kryetares së parlamentit. Ku nuk kam dërguar shkresa. Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për hallet tona. Nuk e di pse, por më kanë thënë se për të fituar shtëpi duhet para e madhe. E ku t’i gjej unë? Jam pensioniste dhe lekët më ikin rrugës sa për Durrës, sa për në Tetovë.

Konkretisht, kryetarin e bashkisë a e keni takuar për strehimin e familjes tënde?

E kam takuar jo një herë, por shumë herë dhe më ka thënë të njëjtat fjalë gjithmonë. Ai e di mirë se ia kam qarë hallin duke i treguar problemet që kur kanë lindur deri tani. Më mbajnë me shpresë duke më thënë se do të më japin shtëpi këtë herë e atë herë. Unë përsëri në dhomën e vogël. I kam qarë edhe hallin duke i thënë se djali tani ka nevojë të krijojë familje. Të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër. Nga ana tjetër djali ka nisur të reagojë me nervozizëm. Unë e kuptoj se jam nënë, por ndihem e shqetësuar. Përshkallëzimi i agresivitetit të tij e nxit në veprime të dhunshme dhe kjo në mos një ditë, një ditë tjetër mund të shkatërrojë të ardhmen e Tonit. Ai ikën sa në një shtëpi të një shoku, sa në një tjetrër. Kjo nuk është se e shëron shpirtërisht. Këto halle më kanë bërë gjysmë njeri. Jam e sëmurë kronike. Nga të gjitha sëmundjet vuaj. Më problem e që po më shkatërrojnë jetën janë tensioni, zemra dhe veshkat. Mjekët më kanë thënë se kam goditur zemrën dhe se kjo ka ardhur nga stresi e hidhërimi. Për të mos mjaftuar këto, djali ka disa muaj që shkon gjithnjë e më rrallë në familje. Unë jam e shqetësuar shumë për djalin. Ai është i papunë dhe shumë i tronditur nga ajo që po ndodh me ne. Tani kemi probleme edhe me energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm. Kam kërkuar të na mbyllin kontratën në të dy rastet. Nuk kemi me se t’i paguajmë. Deri para rrëzimit të sistemit të kaluar komunizmi na mori frymën kot fare, tani nënë e djalë jetojmë si nuk ka më keq. 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Shtetasi Fran Dashi kallëzon në SPAK 20 shtetas me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokuror pranë gjykatave të shkallës së Parë, Apelit, Gj

Nëse nuk je i vëmendshëm kur bën prenotimin, rrezikon që pushimet e ëndërruara gjithë vitin, të kthehen në makth, madje në ndonjë rast të

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një

Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për të lënë të lirë një pilot Italian të dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh nark

Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kal

23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranoj

7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin ita

 *Dyshime të forta për sigurinë në lundrim të anijes.

·       “Hija” e mosmarrëveshjes midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor për licencimin e s

DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih: