Valbona Selimllari: Ato që nuk dini për mua. Si e kujtoj plazhin e Durrësit

16/06/2014 - 19:25

Tiranë, 16 qershor 2014 - Televizioni ka një rregull të pashkruar, sipas të cilit per sonazhet e ekranit duhet të jenë të qeshur, të duken të lumtur, të shfaqin dashuri për publikun, por edhe për njëri-tjetrin. Valbona Selimllari i plotëson të gjitha këto që përmendëm më sipër, por diferenca qëndron në faktin se ajo është e tillë edhe në jetë. Njeri solar, me buzëqeshjen e bukur gjithmonë gati, Bona ose Bobi, siç e thërrasin miqtë e afërt, përçon kudo pozitivitet. Për të thonë se duhet të jetë një njeri shumë i lumtur, që nuk i mungon asgjë përderisa është kaq e mirë. Mendojmë se kjo është pjesërisht e vërtetë. Valbona është e mirë dhe kështu do të ishte edhe nëse do të bënte një jetë tjetër, edhe nëse nuk do të ishte kaq e bukur apo e famshme. Megjithatë, “Miss”-i i parë shqiptar ka vërtetë një jetë të lumtur, një copëz të së cilës e ndau edhe me ne për numrin e parë të “Summer Pages”. E ku ka mënyrë më të mirë për ta nisur... 

Valbona, si po i kalon këto ditë të nxehta të qershorit? Çfarë ke planifikuar për këtë verë? 
Këtë fundjavë e kaluam në Durrës, por plane për më vonë nuk kemi ende. Mund të lëvizim për në Selanik, po akoma s’kemi vendosur gjë. Jam një njeri që nuk bëj plane. Mund të më teket, marr makinën dhe nisem për në Spanjë (qesh). Asnjëherë nuk i kam planifikuar pushimet e verës që në dimër. Jam njeri që ia lë gjërat rastësisë dhe mendoj se pushimet më kanë shkruar gjithmonë mirë edhe për këtë arsye. 

Të pëlqen plazhi i Durrësit? Po bregdeti shqiptar në përgjithësi? 
Plazhet e Shqipërisë i dua shumë. Durrësi në fakt ka filluar të përmirësohet, sepse deri para pak kohësh ka qenë shumë keq. Këtë vit më në fund plazhet janë të pastra. Çudi e madhe! Herën e kaluar kur dola në Durrës pashë që plazhi ishte i pastër dhe bravo ju qoftë atyre që kanë punuar. Dola në breg të detit dhe rëra ishte e pastër dhe e bukur. M’u kujtua rëra e viteve kur kam qenë fëmijë dhe e adhuroja Durrësin. Ajo rëra dhe era e plazhit që më duket sikur tani nuk ekziston më, ishte rikthyer. Thashë i paska ardhur detit era e detit (qesh). 

Si ishin pushimet e fëmijërisë tënde? 
Plazhin atëherë e bënim zakonisht në Durrës, në Pogradec dhe në Vlorë. Në Vlorë kemi bërë plazh për shumë vite, pasi kishim ca miq shumë të mirë atje dhe unë edhe sot shkoj shpesh aty. Ata jetonin në Vlorë, ne shkonim e merrnim një shtëpi me qira atje dhe pushimet i bënim bashkë. Atëherë unë isha vetëm 14-vjeç. Sot ata janë ndër miqtë më të mirë të familjes sonë. 

Deri në çfarë moshe e ke bërë plazhin me familjen e me prindërit? 
Unë rregullisht e bëj plazhin me familjen deri tani (qesh). Familja është një pjesë që nuk i jam ndarë asnjëherë. Unë jam shumë e dhënë pas familjes, jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe udhëtimet e gjërat i organizojmë zakonisht bashkë. 

A nuk ke pasur periudha ku doje të shkoje në plazh vetëm me shoqet? 
E kam bërë edhe këtë po prapë një pjesë e familjes ka qenë me mua. Motrat e mia janë shoqet e mia, ashtu edhe vëllai. Ne jemi katër fëmijë dhe shoqet e mia më të mira janë motrat. Edhe kur lëviz për pushime jashtë me mikesha e mia, në rastet më të shumta e kam njërën nga motrat me vete. 

Kur del sot në plazh, a ndihesh keq për ndryshimet që ka pësuar pamja jote me kalimin e moshës? Ndodh që të kesh turp të lëvizësh nga çadra. 
Unë kurrë nuk ndihem keq! Në përgjithësi jam njeri që nuk kompleksohem dhe nuk e vras mendjen. Sigurisht që me kalimin e viteve nuk jam njësoj. Tashmë jam edhe nënë dhe normalisht s’mund të jem njësoj. Unë jam pak dembele. Dikur kam qenë sportiste profesioniste dhe ky ka qenë një favor shumë i madh, sepse e ndjej që akoma i kam të mirat e sportit në fizikun tim. Rënia e trupit me kalimin e viteve është normale dhe e pashmangshme, por fakti që unë nuk bëj asnjë gjë dhe prapë mendoj se jam mirë, besoj se e kam nga sporti i dikurshëm. Nuk kam turp fare. Mund të mos dukem dhe aq mirë, por kjo është e justifikueshme përderisa nuk kujdesem. 

Dieta, palestra, kremrat, nuk janë pjesë e jetës tënde? 
Jo, nuk bëj asgjë. Unë përtoj (qesh). Kremrat i blej, i lë aty, koha kalon dhe pastaj shoh që kanë skaduar. Përveç kremit të plazhit, të cilin s’e harroj se nuk dua që fytyra të më bëhet me pulla, e kam shumë bezdi. Dielli ka filluar të jetë shumë i keq (qesh). 

Kjo do të thotë se ke shumë fat? 
Ne të katërt fëmijët kemi lëkurë të mirë, kemi ca gjëra të mira që besoj se janë në ADN. 

Pra, ti nuk investon fare për bukurinë? 
Jo, unë investoj shumë pak për të. Megjithatë, po të kisha investuar më shumë, do isha padiskutim më e kënaqur me veten. 

Ke celulit? 
Si s’kam celulit?! Kam sa të duash. Kanë 20-vjeçaret, jo unë... Por edhe kjo nuk më shqetëson për sa kohë nuk bëj asgjë. Nëse do të impenjohesha shumë e nuk do të merrja rezultat do thosha po lodhem e s’po më ikën, atëherë po që do të shqetësohesha. 

A zgjohesh herët për të shijuar ajrin e mëngjesit e për të marrë rrezet e para? 
Zakonisht unë nuk zgjohem shumë herët. Nuk kam probleme me zgjimin, nëse kam punë mund të ngrihem edhe në katër të mëngjesit po të jetë e nevojshme. Por në përgjithësi më pëlqen gjumi i mëngjesit, ndaj preferoj që ditën ta nis vonë. Plazhi në fakt ta imponon zgjimin herët, se kur është verë nuk të rrihet shumë në krevat. 

Është e rëndësishme për ty që rrobat e plazhit t’i kesh firmato dhe të modës së fundit? Përdor aksesorë, bizhuteri? 
Jo, fare. Sigurisht që më qëllon të kem gjëra të mira, sepse më pëlqejnë por nuk jam e fiksuar pas firmatos. Kam pesë vjet që nuk blej rroba plazhi. Kam një shoqen time që më thotë “le nam, a je normale ti”. Unë i them, përderisa nuk më janë prishur pse t’i ndërroj (qesh). Nuk jam nga ato që i ndërroj rrobat e banjës tri herë në ditë. Kam dy-tri palë që i kam blerë prej kohësh. Bizhuteritë nuk i përdor fare dhe s’kam të tilla. Kur i shoh tek vajzat e reja më pëlqejnë, por te vetja nuk i shoh. Pastaj unë në përgjithësi jam shumë e thjeshtë. Po të më keni vënë re edhe nëpër spektakle, që tek e fundit televizioni të imponon diçka tjetër, unë mbaj prej vitesh vetëm dy vëthë të vegjël. Bizhuteritë e mia janë të vogla, nuk jam shumë pompoze në këtë gjë. 

Për të kaluar kohën poshtë çadrës zgjedh një libër, një revistë apo internetin?
Me internetin nuk merrem fare. Përgjithësisht luaj tavëll dhe i rrah të gjithë miqtë e mi se jam shumë e zonja. Fitoj shpesh. Pastaj bëj ndonjë lojë me letra, mund të lexoj pak nëse kam një libër shumë interesant. Nuk jam nga ato që rri poshtë çadrës duke lexuar pa pushim. Kam një kushërirën time që sa ulet poshtë çadrës, zhytet në libra duke e mbajtur edhe trupin drejt e unë që i them “po mirë moj, nuk u lodhe” (qesh). 

Po jeta e natës në verë të pëlqen? 
Jo, nuk e kam pëlqyer këtë as kur kam qenë shumë e re. Unë jam akoma shumë e re në fakt. Vërtetë kanë kaluar 22 vjet nga “Miss”-i, por unë jam shumë e re dhe kam ndërmend të rri kështu për një kohë të gjatë (qesh). E re në mendime, kuptohet... Për t’u rikthyer tek pyetja, jeta e natës nuk ka qenë asnjëherë preferencë e imja. 

Arrin një nënë e tre fëmijëve të gjejë kohën për të pushuar edhe vetë, apo duhet të jetë në “shërbim” pa u ndalur? 
T’u shërbesh fëmijëve është një kënaqësi aq e madhe sa as nuk të shkon ndërmend që të merresh me veten. Unë merrem vetë me gjithçka dhe kjo më pëlqen shumë. Sigurisht që kam njerëz që më ndihmojnë të kujdesem për ta, janë plot, nëna ime, tezja, daja, vëllai, por kryesisht i bëj gjërat vetë. 

Ç’mendon për femrat e ekranit që çdo gjë që bëjnë gjatë pushimeve, duke filluar nga veshja e deri tek ushqimi, e postojnë në rrjetin social “Instagram”? 
Është diçka e bukur shumë. Më pëlqen dhe lum ata që e bëjnë. Është diçka e bukur për syrin. 

Ti ke “Instagram”? 
Po, prej pak kohësh kam dhe unë. Unë s’jam fare nëpër rrjete sociale në fakt, por për herë të parë nipi im dhe Alketa Vejsiu më futën në “Instagram”. E nisi Alketa dhe e përfundoi nipi, kështu që unë tani kam filluar ta përdor dhe e shijoj në një farë mënyre. Për çudi kam filluar dhe unë të postoj. Gjërat e lezetshme më pëlqen t’i tregoj. Nuk jam shumë e dhënë edhe nuk bëj gjëra enkas për t’i nxjerrë në “Instagram”. Por kur më pëlqen diçka dua ta ndaj me të tjerët. Për shembull kur jam në një dyqan dhe blej rroba të lezetshme, më pëlqen edhe t’ua tregoj të tjerëve në këtë formë. Nuk e bëj aspak për marketing, megjithëse me këtë punë merrem. Në fakt, rrjetet sociale janë bërë shumë interesante dhe shpeshherë merr goxha kënaqësi prej tyre, qoftë edhe kur dikush të komenton diçka që ke veshur. 

Për në shtator cilat janë planet e tua? E mendon ndonjëherë t’i rikthehesh televizionit? 
Në shtator kam një plan në fakt (qesh). Do të rikthehem në televizion. Nuk mund të them më shumë detaje, por prisni të më shihni në ekran. Mua ekrani më mungon gjithmonë dhe shpesh njerëzit me thonë që u mungoj dhe unë atyre. Televizioni është pasioni im, prej të cili nuk jam larguar kurrë.

/Gazeta Shqiptare/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

*Intervistë me Drejtorin ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare

 Ajo është ventrilokuistja e parë në Shqipëri.

Gazetari Peter Tiede, i cili tronditi politikën shqiptare, me publikimin e 6 përgjimeve të reja nga dosja 339/1 ka dhënë një intervistë p

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi në një intervistë për Dosja.al ka folur për arsyet e krijimit të partisë së re, krizën politike

Një fytyrë e rrumbullakët e plot dritë pasqyrohet në xhamat e syzeve. Buzëqesh dhe në buzët e vogla dallon dhëmbët e parë.

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha flet në një intervistë për gazetën “standard” mbi krizën politike e kushtetuese që ka prekur ve

Me ëndrrën e fëmijërisë në mendje për t’u bërë regjisore filmash, Dalina Buzi tentoi fillimisht nga Amerika prekjen e magjisë që tërheq s

Ermina Lekaj Prljaskaj prej dy mandatesh është deputete e vetme shqiptare në parlamentin e Kroacisë, por dhe njëra prej 32 femrave të kët