Durrës. Tregu i peshkut: “mbyll e çil”. Të mashtrosh edhe amerikanët

19/02/2014 - 20:55

 

 Prefekti i Durrësit Roland Xhelili nuk është si homologu i Vlorës, Besnik Dervishaj, megjithëse të dy lebër: mund të ketë frikë jo nga Kryeministri Edi Rama, por nga kryetari përmetar i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, anëtar i Kryesisë së PSSH-së, që ka ndikuar dhe në emërimin e ish-vartësit të tij Afrim Bakaj në krye të AKU-së

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 19 shkurt 2014  Lidhur me sigurinë ushqimore, pushtetarët vendorë të Durrësit nuk mashtrojnë vetëm banorët e qytetit bregdetar, por edhe amerikanët.

Më 14 shkurt 2014, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) i Shqipërisë i ka deklaruar uebsajtit “Southeast European Times”, që financohet nga Komanda Evropiane e SHBA, komanda e përbashkët ushtarake përgjegjëse për operacionet e SHBA në 52 vende: “Ne mbyllëm tregun e peshkut në Durrës” (shih http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2014/02/14/feature-01 dhe faksimilen e uebsajtit). Lajmi i botuar nga ky portal prestigjioz amerikan bëri xhiron e botës. Por, me sa duket, kishim të bënim me një mashtrim të pushtetarëve vendorë të Durrësit (dhe drejtori i përgjithshëm i AKU-së Afrim Bakaj, ka qenë drejtor i parkut të autobusëve dhe kryetar i policisë ndërtimore të bashkisë së Durrësit), pasi tregu u rihap më 15 shkurt 2014. “Dyrrah”-u pyeti më 17 shkurt 2014 drejtorin e drejtorisë rajonale Durrës të AKU-së Altin Murto nëse është lejuar prej inspektorëve rihapja e tregut të peshkut pranë “Tregut të Përditshëm” të bashkisë së Durrësit, ai e mohoi dhe premtoi se do të bënte verifikime. Më 18 shkurt 2014 “Dyrrah”-u shkoi sërish në Shkozet te z. Murto, por ai ishte i zënë. “Dyrrah”-u kontaktoi në telefon me kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe gojarisht me shefin e kabinetit të kryebashkiakut Lavdosh Beqiri, të cilët konfirmuan që nuk ishte dhënë leje. “Dyrrah”-u kontaktoi edhe me prefektin e qarkut Durrës-Krujë, Roland Xhelili, i cili premtoi se do ta sqaronte problemin me drejtorinë rajonale të AKU-së. Për tri ditë, 17,18, 19 shkurt 2014, nuk pati asnjë informim për problemin në fjalë. “Dyrrah”-u ftoi prefektin Xhelili të bënte verifikim në vend, meqenëse ai nuk besonte në fjalët e gazetarit dhe sipas “kryeministrit” rajonal, autori i këtij shkrimi mund të ishte i nxehur. Në orën 14:00 të 19 shkurtit 2014, “Dyrrah”-u ka realizuar këto foto në merkatën e peshkut. Dallohet lehtë se në ç’gjendje është ky vend, ku tregtohet një artikull ushqimor delikat sikurse është peshku: që nga tabela e shkatërruar, banakët e kalbur, arkat me peshk përtokë. Ngjitur është një njësi private shitjeje peshku, por me banakë frigoriferikë, gjithçka e pastër. “Dyrrah”-u është i shqetësuar nga apatia, por edhe mendjelehtësia, me të cilën veprojnë personazhet e këtij shënimi. “Dyrrah”-u hamendëson se prefekti i Durrësit, që mund t’ua mbledhë rripat të gjithëve për shëndetin e banorëve, nuk është si homologu i Vlorës, Besnik Dervishaj, megjithëse të dy janë lebër. Prefekti i Durrësit mund të ketë frikë jo nga Kryeministri Edi Rama, por nga kryetari përmetar i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, anëtar i Kryesisë së PSSH-së, që ka ndikuar dhe në emërimin e ish-vartësit të tij Bakaj në krye të AKU-së. Dako u ka shtruar dreka gazetarëve të Durrësit në lokalin e tij “Pineta” në Golem, ku ka qerasur me peshk dhe fruta deti të garantuar. Se ç’bëhet me peshkun e “miletit” askush nuk do t’ia dijë në Durrës. Guxojnë të bëjnë shou edhe para amerikanëve.

Lajm në mediet shqiptare

Duke marrë shkas nga ankesat e shumta të ardhura në Drejtorinë Rajonale të AKU-së në Durrës, në lidhje me kushtet jo të përshtatshme, në të cilat ndodhej tregtimi i peshkut, qumështit dhe nënprodukteve të tij, pranë ambienteve të tregut të përditshëm bujqësor, në qytetin e Durrësit, për të bërë të mundur garantimin e kushteve higjienike, mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik, bazuar në Ligjin nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin” dhe në Ligjin nr. 10433, datë 16.06.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, drejtoria rajonale e AKU-së në Durrës ndërmori një aksion inspektimi. Për të bërë të mundur realizimin me sukses të kësaj nisme dhe zbatimin rigoroz të ligjit, DRAKU Durrës kërkoi bashkëpunimin e bashkisë Durrës, gjë që u bë i mundur. Gjatë këtij inspektimi u konstatua, se kushtet e përgjithshme të higjienës janë të papërshtatshme për tregtim peshku dhe tregtimit të bulmetit. Bazuar në sa më lart, inspektorët e DRAKU Durrës dhe Bashkisë Durrës vendosën që markata e peshkut duhet të mbyllet menjëherë pas vlerësimit të inspektorëve të AKU Durrës dhe inspektorëve  të bashkisë Durrës. Në konsensus dhe me tregtarët u arrit në një marrëveshje që t’u lihet një afat 1 ditë për të bërë të mundur largimin e të gjitha materialeve dhe produkteve të peshkut (produkt tregtimi), i cili ndodhej brenda këtyre ambienteve. Me konsensus dhe me tregtarët të cilët firmosën dhe Proces- Verbalin përkatës,  u arrit në një marrëveshje edhe me 20 subjektet e bulmetit, që t’u lihet një afat 6 ditë kohë në dispozicion për të ndaluar aktivitetin e tyre në ambientin e sipërcituar. Ndërkohë, Bashkia e Durrësit do të rikonstruktojë tregun e qytetit, për t’u krijuar kushtet sipas standardeve këtyre tregtarëve, të cilët vetëm atëherë do të mund të rinisin aktivitetin e tyre  

Info

Uebsajti “Southeast European Times” është një burim qendror lajmesh dhe informacioni rreth Evropës Juglindore në shtatë gjuhë: anglisht, boshnjake, greqisht, kroatisht, maqedonisht, serbisht dhe shqip.

Qëllimi i “Southeast European Times” është të paraqesë njoftime të sakta, të ekuilibruara dhe me vështrim nga e ardhmja e zhvillimeve në Evropën Juglindore.

Faqja paraqet lajme nga rajoni dhe për rajonin dhe paraqet analiza, intervista dhe komente nga korrespondentë të paguar nga SETimes.com.

Njoftimet e “Southeast European Times” dallohen nga një njohje e thellë e çështjeve lokale, lojtarëve kryesorë, ngjarjeve dhe ndjeshmërive që mund të shkaktojnë zhvillime të rëndësishme, të trajtuara nga një këndvështrim ndër-rajonal. Ato identifikojnë prirjet, zgjidhjet dhe sukseset që mund të shërbejnë si modele për përparim në të gjithë rajonin.

“Southeast European Times” financohet nga Komanda Evropiane e SHBA, komanda e përbashkët ushtarake përgjegjëse për operacionet e SHBA në 52 vende.

EUCOM është e angazhuar për nxitjen e stabilitetit, bashkëpunimit dhe begatisë në rajon.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nëse nuk je i vëmendshëm kur bën prenotimin, rrezikon që pushimet e ëndërruara gjithë vitin, të kthehen në makth, madje në ndonjë rast të

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një

Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për të lënë të lirë një pilot Italian të dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh nark

Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kal

23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranoj

7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin ita

 *Dyshime të forta për sigurinë në lundrim të anijes.

·       “Hija” e mosmarrëveshjes midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor për licencimin e s

DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih:

·       Detyrimi ndaj hekurudhave të tjera për orëqëndrimet e vagonëve në territorin shqiptar, deri më datën 31 tetor 2014, arrin