Shkelet master-plani, anija me sondë nafte çohet te kromi

26/01/2014 - 15:29

• Favorizohen privatët gjermanë në kurriz të ndërmarrjes publike duke lënë pa punë terminalin perëndimor, të cilin e administron shteti

• Nuk dihet pse zz. Selim Belortaja (LSI) dhe Artjan Qirici (PS) u kundërvihen deputetëve të koalicionit për hetimin e koncesioneve

• A mos vallë ka ndonjë ujdi për të ecur në gjurmët e ish-drejtuesve blu?

Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi

DURRËS, 22 janar 2014 – Shkelet me të dy këmbët master-plani i portit për interesa korruptuese, teksa favorizohen privatët gjermanë të Terminalit Lindor në kurriz të portit shtetëror duke lënë pa punë terminalin perëndimor, të cilin e administron. Krerët e rinj të portit, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë shtetërore / publike i Autoritetit Portual Durrës (APD) sha Selim Belortaja (LSI) dhe një nga zëvendësit i tij, Artjan Qirici (PS), janë “peng” paraardhësve të tyre (PD), të cilët, me sa duket, mund të kenë ndikuar në emërimet e tyre. Për lexuesit po bëjmë publik tekstin e një letërkëmbimi midis Dyrrah”-ut dhe drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të APD sha.

PYETJE MË 21 JANAR 2014

Zotërinj! Redaksia e gazetës “Dyrrah” (web: durreslajm.com) ka lexuar, jo pa habi, në raportin ditor të anijeve të transportit se anija “BBC Colorado” e kompanisë gjermane “Bockstiegel Reederei”, me filial kompaninë tjetër gjermane “EMS Shipping and Trading GmbH”, koncesionar i terminalit lindor “EMS APO”, është planifikuar nga ana juaj të shkarkojë 421 tonë makineri në kalatën nr. 11 (terminali lindor), i destinuar, në bazë të master-planit, për minerale.

Sipas njoftimit të zyrës suaj të shtypit, z. Selami Belortaja ka deklaruar, ndër të tjera, para delegacionit kinez, më 17 janar 2014: “Pritshmëritë tona nga koncesionet kanë qenë të larta, sepse kemi ndarë logjikën që kompanitë private do të operonin me eficencë. Fatkeqësisht ne shohim që kjo nuk ka ndodhur ashtu siç pritej dhe kjo ka ndodhur sepse ai proces është kompromentuar nga interesa dhe veprime të gabuara. Kjo ka bërë që ne sot të kemi pakënaqësi serioze në lidhje me profesionalizmin e operatorëve privatë, pakënaqësi serioze në lidhje me cilësinë e kontratave të koncesionit të realizuara, të cilat nuk vijnë nga kundërshtia jonë për privatizimin por sepse zgjidhjet konkrete janë bërë gabim... Terminali perëndimor është një zonë e zhvilluar tashmë pret t’i dorëzohet një operatori ekspert në fushën e ekonomisë portuale”. 

Terminali perëndimor, që administrohet nga APD-ja, është e specializuar për mallra të përgjithshme, pra për makineritë e “BBC Colorado”-s. A mund të na sqaroni pse lini pa punë terminalin publik perëndimor, duke i shtuar pafrytshmërinë (ineficiencë) ekonomike, dhe favorizoni privatin e terminalit lindor, për më tepër që këtë koncesion e konsideroni të gabuar? Ju kujtojmë se është detyrim ligjor në kuadër të transparencës të na jepni një përgjigje me shkrim.

Me nderime: Thanas Mustaqi. Redaktor përgjegjës i “Dyrrah”-ut (durreslajm.com). 

Durrës, 21 janar 2014”.

PËRGJIGJE MË 23 JANAR 2014

Sqarim: Për Redaksinë e Gazetës “Dyrrah” (durreslajm.com)

Nuk është drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së, ai që përcakton vend-përpunimet e anijeve në çdo rast konkret. Këtë e bëjnë hallkat e ngarkuara me shpërndarjen e trafikut dhe përpunimin brenda portit, bazuar në kërkesat e agjencive detare.

Në rastin konkret agjencia detare i ka kërkuar dispeçerisë përpunimin në terminalin EMS, kjo e fundit në konsultim me eprorin e vet, ka vetëm një kriter për ta vendosur në planin paraprak “nëse këtë ngarkesë specifike e lejon apo jo profili i terminalit”. Pra, nëse agjencia preferon Terminalin Lindor dhe jo Terminalin publik (Perëndimor), për një ngarkesë “mallrash gjenerale”, APD nuk ka instrument juridik për ta “devijuar” anijen atje ku ajo ka më shumë interes – te Terminali Perëndimor.Kjo sepse Autoriteti Portual, pavarësisht mendimit dhe vlerësimit që ka drejtori për mirëfunksionimin apo eficencën e konçesionarëve privatë, është i shtrënguar të respektojë rregullat kontraktuese dhe ato të konkurrencës. Ai nuk mund të abuzojë me autoritetin e vet administrativ për t’i hequr punën normale një operatori dhe për t’ia kaluar një tjetri.Nga konsultimet tona të brendshme del se, kjo do të përbënte një rast juridik të pakëndshëm dhe në disfavor të administratës publike. Sepse përpunimi i mallrave gjenerale është një e drejtë që kontrata e koncesionit ia njeh edhe operatorit EMS, pra terminali Perëndimor (publik) nuk ka ekskluzivitet mbi këtë lloj përpunimi. Ndërkohë që Terminali Lindor e ka të përfshirë në kontratë edhe përpunimin e mallrave të përgjithshme.Prandaj dhe referenca e vetme për dispeçerinë (për ta përfshirë apo jo në planin paraprak) në këtë rast mbetet kërkesa e agjentit detar dhe e operatorit EMS. Megjithatë, jemi ende në fazën e planit paraprak të dispeçerisë. Deri në ditën e përpunimit të anijes mund të ketë zhvillime të tjera, të cilat mund t’i japin hapësirë APD-së, që të vendosë ndryshe. Një hapësirë e tillë mund të jetë p.sh. kërkesa e ndryshuar e agjentit detar dhe kompanisë stivadore, ku ata të shprehen për preferencë të Terminalit Perëndimor. Sa i përket qëndrimit tonë ndaj kontratave koncesionare që ka lidhur Ministria me operatorët privatë, ai mbetet i pandryshuar, por nuk ka asnjë efekt juridik sa kohë që kontratat nuk anulohen nga ato instanca që i kanë lidhur.

23 janar 2014, Zyra e Shtypit e Autoritetit Portual Durrës

LOJËRA FJALËSH

Sqarimi i zërës së shtypit është një përgjigje e hartuar me kujdes, me veshje juridike. Por në të ka lojëra fjalësh: “Autoriteti Portual... është i shtrënguar të respektojë rregullat kontraktuese dhe ato të konkurrencës”.

Së pari, kontrata e ministrisë nuk mund të prevalojë mbi master-planin e miratuar me vendim qeverie dhe fare mirë drejtoria e përgjithshme ekzekutive mund të kërkonte në ministri shfuqizimin e kësaj pike të kontratës për mallrat gjenerale / e përgjithshme dhe jo të shfajësohet: “sa i përket qëndrimit tonë ndaj kontratave koncesionare që ka lidhur Ministria me operatorët privatë, ai mbetet i pandryshuar, por nuk ka asnjë efekt juridik sa kohë që kontratat nuk anulohen nga ato instanca që i kanë lidhur”. 

Së dyti, “rregullat e konkurrencës” këtu shkelen, pasi Teminalit Lindor i jepet ekskluziviteti edhe për mallrat e përgjithshme, edhe për kontejnerët, duke e shndërruar në një terminal universal me bekimin e shtetit / drejtuesve të portit. Së treti, nga njëra anë thuhet se “nuk është drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së, ai që përcakton vend-përpunimet e anijeve në çdo rast konkret. Këtë e bëjnë hallkat e ngarkuara me shpërndarjen e trafikut dhe përpunimin brenda portit, bazuar në kërkesat e agjencive detare”. Nga ana tjetër thuhet se “megjithatë, jemi ende në fazën e planit paraprak të dispeçerisë. Deri në ditën e përpunimit të anijes mund të ketë zhvillime të tjera, të cilat mund t’i japin hapësirë APD-së, që të vendosë ndryshe. Një hapësirë e tillë mund të jetë p.sh. kërkesa e ndryshuar e agjentit detar dhe kompanisë stivadore, ku ata të shprehen për preferencë të Terminalit Perëndimor”. Vërejmë se shtegu i hapur për të vendosur ndryshe, nuk do të respektohet se edhe në raportin ditor të anijeve, BBC Collorado është planifikuar në terminalin lindor, kalata 10, vetëm data e mbërritjes ndryshon, nga 24 janar në 1 shkurt 2014. 

SPEKULIME

Nuk duam të spekulojmë se këtë qëndrim, që dëshmon hipokrizinë para kinezëve, z. Selim Belortaja e ka të trashëguar nga koha kur ishte ministër i PD-së dhe aderoi në LSI. Nuk duam të spekulojmë pse z. Belortaja pranoi një post të ulët, duke qenë një ekspert i shkëlqyer ekonomie. Nuk duam të spekulojmë për arsyet e vërteta: erdhi për t’u pasuruar në industrinë detare apo thjesht është një “mashë” në duar klanesh biznesi afër LSI-së. Nuk duam të spekulojmë se z. Belortaja i kundërvihet njërit prej figurave qendrore të LSI-së, sikurse është deputeti dhe ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili ka deklaruar pikërisht në Kuvend: “Siç thonë vetë durrsakët: “na e rrëmbyen gjermanët kalatën lindore” [EMS Shipping and Trading GMBH]. Kur porti administrohej nga shteti, punonin mijëra durrsakë dhe, kur për të ngarkuar a shkarkuar një ton, kushtonte vetëm 5 800 lekë të vjetër. Porti merrte 70 për qind të kësaj shume, pra 4 060 lekë dhe agjencitë që kishin të punësuar mijëra punëtorë, merrnin 1 740 lekë për ton. Dhe në total porti merrte 3,5 milionë tonë të barabarta me 14 miliardë lekë. Dhe agjencitë durrsake 9,1 miliardë lekë. “Po pse duhet t’ua jepte Bushi [Eduard Ndreu, ish-drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD sha] gjermanëve koncesionin?”, pyesnin durrsakët. Edhe tani që blenë vinçat e rinj, akoma nuk e kanë marrë përgjigjen. Gjermani u tregua i pamëshirshëm: hoqi qindra durrsakë nga puna dhe çmimin e ngriti nga 5 800lekë në 7 000 lekë për ton dhe, në shenjë “mirënjohjeje”, porti merrte vetëm 11 për qind, pra vetëm 770 lekë të vjetër. Pra, 3 milionë e 500 mijë tonë për 770 lekë baras me 2 milionë e 695 mijë euro. Nga 14 miliardë porti merr më pak se 3 miliardë. Thënë me pak fjalë, kjo është një mbledhje me turp”. Po ashtu nuk duam të spekulojmë pse ish-kreu i PS-së në Greqi, biznesmen në transportin detar në Pire, 23 vjet emigrant, inxh. Artjan Qirici, i projektuar fillimisht në krye të portit të Durrësit, ka pranuar të jetë numri 2, nën “komandën” e Selim Belortasë të LSI-së. Për meritat e jashtëzakonshme në shërbim të PS-së, duke sjellë me mijëra emigrantë, të qenit ekspert në inxhinierinë ushtarake, në inxhinierinë detare etj, inxh. Qirici mund të ishte emëruar edhe zëvendësministër Transporti, Mbrojtjeje, Industrie, apo shef sektori në Kryeminstri. Nuk duam të spekulojmë për arsyet e vërteta: erdhi për t’u pasuruar në industrinë detare apo thjesht është një “mashë” në duar klanesh biznesi afër PS-së, biznesit detar grek, apo pse të afërm të tij punojnë në një kompani detare greke me seli në adresat: 17 B Polytechnlou STR 546 26 Selanik Greqi dhe Rr. Kavajës, pallati "SPED", kati II Tiranë, Shqipëri (konflikt interesi). Nuk duam të spekulojmë se z. Qirici u kundërvihet deputetëve të PS për zhbërjen e koncesioneve në port. Nuk e kuptojmë pse zotit Qirici i dogji titulli “Bllokimi i portit të Durrësit, alarmohet Kryeministri Rama” i një lajmi në “Dyrrah” më 23 dhjetor 2013, që parafrazonte thënien e tij se “Kemi njoftuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Edmond Haxhinasto”, të cituar në ligjëratë të drejtë në tekstin shpjegues, duke refuzuar komunikimet me një nga autorët e shkrimit. Mister. Vërtet, mister.

POHOJNË ME GOJËN E VET

Po u kujtojmë krerëve të portit se vetë kompania gjermane që ka koncesionin në Terminalin Lindor, reklamon në sajtin e saj: “EMS Albanian Port Operator Shpk operon terminalin lindor të portit të Durrësit që nga korriku i vitit 2013. Terminali përdoret kryesisht për ngarkim-shkarkime dhe depozitim mallrash, si minerale, xeherore, qymyr, klinker, skrap, çimento dhe vaj ushqimor. Terminali aktualisht ka dy kalata dhe një zonë magazinimi prej rreth 200 000 metra katrorë. Është planifikuar të ndërtohet një kalatë e tretë me magazinim shtesë. EMS APO është anëtar i EMS-Fehn-Group. EMS APO është degë e EMS Shipping & Trading GmbH, kompani gjermane logjistike. Terminali Lindor ofron akses të shkëlqyer si nga toka dhe nga deti. Terminali ofron zonë stokimi me sipërfaqe të përgjithshme 200 000 metra katrorë (planifikohet zonë shtesë depozitimi), thellësi uji 8.2 metra (pas thellimit 11.5 m); dy kalata me gjatësi të përgjithshme prej 430 ml (planifikohet kalata e tretë), 3 vinça hekurudhorë-portalë 15 tonësh, 2 vinça hekurudhorë-portalë 27,5 tonësh, riç stejker (reach staker), trajlerë për ngarkesa të rënda, vinça pirun, akses të drejtpërdrejtë në rrjetin rrugor shqiptar dhe hekurudhor” (shih fotot e bëra nga vet kompania).

KOINCIDENCA

Seç ka ca koincidenca: anija “BBC Colorado”, me flamur të Antigua Barbuda-s, e flotës së kompanisë gjermane “Bockstiegel Reederei” me seli në Emden, që ka si filial kompaninë tjetër gjermane “EMS ConBulk Befrachtungs GmbH & Co. KG” me seli në Leer, është marrë me qira nga kompania “Viking”. Anija është nisur nga porti amerikan i Hjustonit (Houston) dhe ndodhet në Mesdhe me 481 tonë makineri (sondë) për kompaninë kanadeze “Stream Oil & Gas” Ltd. (TSX-V: SKO), që ka marrë nga Albpetrol-i fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Gorisht Kocul, Ballsh-Hekal dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Sipas deputetit socialist Erion Braçe, kur ishte në opozitë, janë katër kontratat apo marrëveshjet e naftës, të nënshkruara mes kompanisë Albpetrol dhe kompanisë Stream Oil dhe të miratuar nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha në datën 8 gusht të vitit 2007, përmes këtij vendimi. “Në vijim të dëshmive tona për shkelje të ligjit për konfliktin e interesit për të garantuar për politikanë, qeveritarë dhe familjarë të tyre favore duke marrë pasurinë publike të shqiptarëve dhe vënë nën administrim të tyre, do të doja të bëja publik faktin se; në kohën kur këto marrëveshje, pra në korrik-gusht të vitit 2007 janë nënshkruar mes kompanisë Albpetrol dhe kompanisë Stream Oil, zonja Albana Vokshi (aktualisht deputete e Durrësit), sot në statusin e deputetes, ka qenë anëtare e Këshillit mbikëqyrës së kompanisë Albpetrol, autoritet që ka pasur vendimmarrjen e plotë për dhënien e këtyre 4 kontratave apo 4 marrëveshjeve hidrokarbure tek kompania Stream Oil”. Sipas Top-Channel në një lajm të 1 nëntorit 2013, Qeveria ka nisur procedurat për prishjen e koncesionit të parë të madh, i cili mesa duket do të jetë në fushën e naftës. Albpetrol, kompania publike që mbikëqyr koncesionet e naftës, ka filluar zyrtarisht procedurat për të prishur marrëveshjen me kompaninë kanadeze Stream Oil, për shkak të parregullsive në shlyerjen e detyrimeve financiare të përcaktuara me ligji.. ndonëse i shfrytëzon 4 burime prej disa vitesh duke nxjerrë fitime, sipas Albpetrol, kompania kanadeze nuk ka paguar detyrimet që i rrjedhin nga marrëveshja koncesionare, posaçërisht ato të ndarjes së prodhimit. Sipas burimeve konfidenciale bëhet fjalë për 50 mijë tonë naftë; 10 milionë metër kub gaz si dhe shumë fatura të tjera për energjinë dhe shërbime të tjera të përfituara nga kjo kompani, të cilat Stream Oil duhet t’i kishte derdhur në Albpetrol por që prej vitesh nuk e bën. Sipas përllogaritjeve, vlera totale e dëmit shkon nga 30 deri në 35 milionë dollarë, para të cilat duhet të kishin përfunduar në arkën publike, por të cilave kompania kanadeze u është shmangur në kundërshtim me ligjin”.

Info

Territori aktual i terminalit lindor të Portit të Durrësit iu dorëzua më 15 korrik 2013 shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk, në zbatim të kontratës që ka lidhur kjo kompani me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, njofton zëdhënësja e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD). Ndërkaq APD-ja është kujdesur të sqarojë se “kontrata e koncesionit e datës 6 maj 2013 “Për menaxhimin dhe Operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit” është lidhur ndërmjet MPPT dhe operatorit “EMS Shipping and Trading GMBH”, sipas procedurës së koncesionit të ndjekur nga kjo ministri në rolin e autoritetit kontraktues, dhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 493 datë 1 gusht 2012, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontrakues, “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading GmbH” si dhe Master Planit të Zhvillimit të Portit të Durrësit”. Autoriteti Portual Durrës që nga 15 korriku 2013 nuk do të jetë më Operator në ofrimin e shërbimeve të ngarkim-shkarkimit, pasi të gjitha burimet e terminalit (burimet njerëzore, infrastrukturë dhe superstrukturë) do të transferohen për shoqërinë koncesionare EMS APO shpk, e cila në vijim ka të drejtë t’i menaxhojë ato dhe të lidhë kontrata shërbimi etj, sipas kushteve të kontratës koncesionare dhe tarifave të publikuara nga APD. Zona e koncesionit është territori aktual i Terminalit Lindor të Portit te Durrësit, që në vijim do të trajtohet sipas perspektivës së zhvillimit të projektit koncesionar. Shoqëria koncesionare, sipas kushteve të kontratës do të paguajë për MPPT pagesën prej 2 për qind të xhiros vjetore. Po ashtu ajo do të paguajë për Autoritetin Portual pagesën në masën 11 për qind të të gjitha tarifave të aplikuara, si dhe pagesën etarifës së qerasë në masën 544 lekë metri katror për zonën koncesionare. (shih më hollësisht” http://www.durreslajm.com/ekonomia/durres-achtung-gjermane-ne-terminalin... dhe http://www.durreslajm.com/speciale/skandal-terminali-lindor-pasi-mbyllet... etj.).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nëse nuk je i vëmendshëm kur bën prenotimin, rrezikon që pushimet e ëndërruara gjithë vitin, të kthehen në makth, madje në ndonjë rast të

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një

Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për të lënë të lirë një pilot Italian të dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh nark

Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kal

23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranoj

7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin ita

 *Dyshime të forta për sigurinë në lundrim të anijes.

·       “Hija” e mosmarrëveshjes midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor për licencimin e s

DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih:

·       Detyrimi ndaj hekurudhave të tjera për orëqëndrimet e vagonëve në territorin shqiptar, deri më datën 31 tetor 2014, arrin