Ish-gruaja zbuloi supermashtruesin, kërkoi divorcin

04/07/2014 - 09:37

Tiranë, 4 korrik 2014 - I ishin dashur vetëm shtatë muaj për të kuptuar që Ledjan Muçaraku ishte mashtrues dhe nuk sillte asnjë të mirë në familje. Ish- bashkëshortja e 29- vjeçarit të arrestuar për krijimin e një skeme piramidale nga mashtrimet, ka vendosur të ndahet prej tij vetëm pas shtatë muajsh martesë, pikërisht sepse ai nuk ishte familjar i rregullt, shkruan “Panorama”.

Ish gruaja ka paraqitur në Gjykatën e Fierit një kërkesë padi ku kërkonte divorcin nga i shoqi, Ledjan Muçaraku. Motiv i kësaj kërkese kishte qenë mospërmbushja e misionit që ka martesa, pasi sipas saj Ledjani nuk ishte familjar i rregullt, pasi nuk vinte në shtëpi, nuk punonte dhe mashtronte për gjithçka që thoshte.

Mësohet se 29-vjeçari Muçaraku dhe ish-bashkëshortja ishin njohur bashkë gjatë kohës që kishin qenë studentë në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë dhe kanë vendosur që të lidheshin në martesë.

Pas divorcit, Ledjani duket se ka vijuar i qetë aktivitetin e tij të huadhënies me shuma të mëdha, duke bërë pre me qindra qytetarë, kryesisht biznesmenë dhe studentë që kishin nevojë për të pasur kredi në dorë sa më parë.

Arrestimi i Muçarakut u bë mbrëmjen e 30 qershorit në banesën ku ai jetonte më qira në Tiranë, pas gati 5 muajsh hetimi nga ana e Policisë së Fierit.

Atij iu bllokuan 900 kontrata me persona të ndryshëm, të gjitha të firmosura nga dy palë para noterëve, ku Muçaraku u jepte shuma të mëdha në formë kredie të interesuarve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: