Ismail Kadare fiton çmimin "Jeruzalemi 2015"

14/01/2015 - 14:56

14 janar 2015 -  Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare ka fituar çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Mësohet se ky çmim do t’i dorëzohet shkrimtarit në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit muajin e ardhshëm, në Jeruzalem. Gazeta Haaretz thekson se Kadare i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

“Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit, personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale", thuhet në motivacion.

Në ceremoni do të jenë të pranishëm edhe fituesit e mëparshëm të çmimit prestigjioz të cilët janë:

Bertrand Russell (fitues i parë), laureati i çmimit Nobel, Mario Vargas Llosa, Milan Kundera, Simone de Beauvoir, Susan Sontag, Arthur Miller, Haruki Murakami dhe Ian McEwan. Librat e përkthyer në hebraisht të autorit janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma”, etj.

Panairi ndërkombëtar i librit “Jeruzalem” do të hapet më 8 shkurt dhe do të zgjasë pesë ditë.

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: