Ja propozimet për maturantët. Meta negocion me Nikollën

10/09/2016 - 09:54

Kauza e maturantëve që nuk u shpallën fitues sipas formulës së re të pranimeve, ka marrë mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka nisur negociatat brenda koalicionit.

Kreu i saj, Ilir Meta, mblodhi pasditen e djeshme kryesinë e kësaj force politike, duke dalë me një qëndrim ku kërkohet më shumë bashkëpunim midis MAS e universiteteve.

“Nga diskutimet e bëra deri tani edhe me grupet e ish-maturantëve dhe aplikantëve për universitete apo të prindërve të tyre, por edhe me përfaqësues të universiteteve, është i qartë që ka nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë midis Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve për të zgjidhur të gjitha shqetësimet”.

Ky takim mësohet të jetë pasuar nga një tjetër me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Mësohet se Meta u ka bërë të ditur propozimin e LSI-së për zgjidhjen e ngërçit që prej ditësh po mban pezull mijëra maturantë.

Pjesë e bisedimeve mësohet të kenë qenë negociatat për ndryshimin e udhëzimit nr.13, datë 22.07 2016, mbi procesin e aplikimit dhe regjistrimin në universitete. Ndërkohë që një gjë e tillë të ndodhë e ka përjashtuar kategorikisht zv.ministri Redi Shtino në një prononcim për “Panorama”.

“Nuk ka shans të ndryshojë udhëzimi, pasi nuk ka arsye. Qëllimi i tij është që të realizojë si target final regjistrimin e çdo studenti sipas meritë-preferencës që ka për vendin e tij që i takon. Të jeni të bindur që ky udhëzim e arrin këtë target”.

PROPOZIMET

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, bën publike paketën e propozimeve ose formulën e zgjidhjes për maturantët e pakënaqur. Sipas saj, duhet të ketë tri raunde pranimesh, të cilat duhet të zhvillohen brenda një kohe të shkurtër, jo shumë larg nga fillimviti akademik. E po ashtu të ndryshohet edhe numri i preferencave.

“Duhet t’i jepet hapësirë udhëzimit të pranimeve, duke bërë disa ndryshime. Konkurrimi në fazën e dytë duhet të ketë pesë alternativa, jo dhjetë, pasi bllokon shumë kuota. Gjithashtu duhet të ketë një fazë të tretë ku të jenë vetëm tri preferenca në formular. Me përfundimin e këtyre fazave, të zhvillohet një postraund për realizimin e kuotave të lira, duke zhvendosur vizën e kuqe”.

Veç kësaj, kërkohet që në fazën e mëpastajme të rikthehet parimi meritë-preferencë, ku maturanti të pranohet në degën ku siguron më shumë pikë. Një tjetër propozim është që kuotat e universiteteve private të mos futen në formularin e aplikimit në IAL, dhe aplikimi tek ato të vijojë të bëhet me dosje.

Lidhur me lëndët me peshë të caktuar që ka caktuar secili universitet, kërkohet fleksibilitet në vlerësimin e grupeve të lëndëve, me qëllim për të mos penalizuar maturantët, që as nuk janë zhvilluar në disa shkolla të mesme. I gjithë procesi, sipas zëvendësministres, duhet të monitorohet nga një grup ad hoc, i cili duhet të krijohet me përfaqësues të ministrisë dhe universiteteve.

Gjithashtu në çdo fakultet të ngrihen zyra këshillimi derisa të mbarojë procesi i aplikimit, ankimimit dhe regjistrimit të studentëve. Nga ana tjetër, maturantët e kanë bërë të qartë: protesta, nëse MAS nuk tërhiqet nga ky sistem pranimesh. Ajo e radhës është vendosur të zhvillohet të martën e javës që vjen, më 13 shtator, ndërsa nuk është vendosur ende vendi ku do të protestohet.

Dy janë alternativat: përpara Kryeministrisë, si dhe universiteteve përgjegjëse për lëndët e vendosura dhe që u zeruan për maturantët që nuk i kishin zhvilluar si lëndë në shkolla. Maturantët i qëndrojnë kërkesës së tyre për rikthimin e sistemit të vjetër meritë-preferencë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: