Ja shkaktarët e humbjes së PD-së në Durrës*

10/07/2013 - 18:46

Nga Artur Llana

Nuk kanë kaluar shumë ditë dhe Berisha e ka marrë veten.

Ai shikohet si humbës dhe pse po tregohet gjithnjë e më shumë triumfator.

Po e bukura e gjithë kësaj, ka të bëjë me një lloj angazhimi që po bëjnë disa drejtorë duke mbajtur statusin e liderëve lokalë, të cilët po mundohen me përkushtimin e tyre të tregojnë se PD-ja nuk ka vdekur po është e gjallë, për të treguar se ajo rron në tenderët e tyre ,në vjedhjet e tyre dhe, mbi të gjitha, në klanin e tyre.

Që Berisha është mjeshtër për të mos bërë analizë është e qartë, që mosbërja e analizës për këto lloj zgjedhjesh po çon në shpërbërjen e PD-së pa e kuptuar, kjo është akoma më e vërtetë.

Po mes zgjedhjes që Berisha ka bërë për të anashkaluar zgjedhjet dhe për të mos bërë analizë të asaj që ka ndodhur, është brenda edhe fakti pse ai e ka kthyer në metodë punë këtë gjë dhe tashmë ka mobilizuar tenderistat dhe mbi të gjitha servilët për të treguar se përgjegjësia e humbjes është e atij dhe se të tjerët kanë të drejtën që të gjejnë vetveten.

Në fakt PD –ja ka krijuar një profil të ngjashëm në të gjithë vendin.

Por me shembuj konkretë, duke qenë se e njoh mirë këtë parti në Durrës dhe meqë askush nuk ka shansin të bëjë një analizë humbjeje, po mundohem të rendis disa faktorë të humbjes.

Për këtë jam i saktë vetëm logjikisht dhe në këtë analizë nuk janë marrë parasysh klanet dhe milionat, që kanë komprementuar njerëz.

PD-ja erdhi në pushtet në vitin 2005, falë një degradimi që i kishte bërë qeverisja socialiste pushtetit.

Ajo mori pushtetin dhe këtë e bëri me të gjitha mënyrat që i serviri lidershipi, po edhe me të gjithë kontigjentin që e kërkonte ky lidership.

Ajo ishte një fitore që duhet të ndodhte, ajo që nuk duhet të ndodhte ishte pjesa pas.

PD-ja në Durrës pas kaq vitesh ose më saktë pas dy mandateve humbi, pasi ajo nisi shkatërrimin e strukturave të saj me një njeri që ishte Armand Teliti.

Një pseudobiznesmen, një klloun që e quanin Hasani i grave, një dështak që përshëndeste njerëzit duke u ofruar këpucë, me investimin e qorrët të një politikani që do të bëhej engjëlli i tij mbrojtës, si Olldashi, dhe me një biznesmen, që për herë të parë bashkë me një kushëri, i vodhi të gjithë lekët e fushatës madje deri te vinovile duke i ngjitur posterët me brum, ai kuptoi gabimisht se kjo parti nuk kishte nevojë për militantë.

Ai e bindi veten se ata që kishin sakrifikuar për të, kur ai rruante mjekrrën për 100 marka, tashmë u kishte ikur koha.

Ai nisi shkatërrimin e PD-së duke milituar në radhët e saj një turmë halabakësh të ardhur nga rruga.

Mllefi i qytetarëve do t’i jepte atij një lloj sigurie që do ta përdhoste në vitin 2007 kur u bënë zgjedhjet lokale.

I ardhur nga rruga, ai nisi instalimin e njerëzve të rrugës, i atyre që nuk kishin asnjë lidhje me PD-në, po i atyre që i kujtonin nderet e doganës dhe i atyre që mendonin shpërblimet si kosto.

Ai humbi jo vetëm bashkinë, me një kandidatë që bëri vetëm 18 ditë fushatë, po, mbi të gjitha, ai humbi në një fushatë me rrugaçë politik dhe nis kapitullin e shkatërrimit të PD-së në Durrës.

Ai është njeriu që nisi punësimin për “demokratët”, po në fakt nisi taksën që ata duhet të paguanin.

Teliti do të mbahet mend si njeriu që Berisha e mori pas vetes për të fituar, po më pas si njeriu që e ka shfrytëzuar deri në karta palestinezësh dhe kosovarësh për të larë mëkatet e tij.

PD-ja humbi, pasi vendin e Armand Telitit e zuri një tjetër njeri rruge ose më saktë një tjetër doganier.

Personalisht e njoh vetëm nga disa mashtrime, as që ia vlen të merresh me të, po ai është njeriu që vazhdoi modelin e Telitit, po jo si psikopat politik, thjesht si mashtrues politik.

Ai hoqi dorë nga modeli i emërimeve politike.

Me njohjet e tij dhe të klanit që përfaqësonte, Igli Cara falë edhe të një formimi komunist në familje, mblodhi të gjithë mbetjet dhe ia serviri Berishës si idealistë, ai mori njerëz të paaftë dhe ia sugjeroi atij si të aftë, mblodhi hajdutë dhe ia serviri atij si të ndershëm, mblodhi maskarenj dhe ia serviri atij si të përkushuar, mblodhi halabakë dhe ia serviri si liderë.

Në historinë e PD-së, Igli Cara, i cili do të vazhdojë, sipas të gjitha gjasave, të shkatërrojë PD-në, do të mbetet njeriu më negativ politik, njeriu që buzëqesh për të ndëshkuar, njeriu që bën të paditurin për t’u justifikuar dhe, mbi të gjitha, ai do të mbetet politikani lokal, që futi kriterin e dashnoreve për t’u emëruar në punë.

Ai do të mbetet një njollë turpi edhe me lëvizjet që bëri për të emëruar kryetaren e gruas, të forumit rinor dhe mbi të gjitha me atë që po bën këto ditë për t’i shërbyer Olldashit me moton një horr, një votë.

Këto janë dy modele të turpit që PD-ja prodhoi me ndihmën e Olldashit për tetë vite.

Për herë të parë, njeriu që mbajti në drejtim opozitën, Edmir Kapedani, u hoq nga këshilli bashkiak, nga kryesia e PD-së dhe për të u gjend vetëm një vend pune.

Kur ai mbushte autobuzat për të shkuar në mitingun e Tiranës, Eduard Ndreu një maskara politik me suport të Drini Kryemadhit e përgojonte si lideri i koqeve që kërkonin të rrëzonin pushtetin e Ilir Metës.

Ky ishte njeriu që do të mbështeste financiarisht të gjithë aksionet e Igli Carës për të mohuar militantët, njerëzit e lidhur me gjak dhe burg me PD-në me të vetmen motiv që e dinte vetëm simbioza e biologjisë “cariste”.

PD-ja humbi në Durrës pasi njerëzit më të përkushtuar të saj, njerëzit që kishin dhënë deri maksimumin për ta mbajtur gjallë atë parti, u përdhosën nga dy doganierë, ku i fundit ishte Igli Cara.

Sot apo nesër kur të bëhet votimi një anëtar një votë, shumë nga ata që janë themeluesit apo njerëzit që kanë dhënë shpirtin për atë parti, nuk do të votojnë dhe, në vend të tyre, Igli Cara ka shpërndarë drejtorët injorantë dhe servilë, atyre që u ka marrë 20-përqindshin duke gjobitur punonjës për të bërë anëtarësime të reja.

Ai nuk i deshi ata që e njihnin si doganier, ai e mbushi partinë me ata që kishin marrë sytjena falas pa çmim dhe pse me numra të ndryshëm.

Ai është shëmbëlltyra e doganës së sytjenave dhe Teliti për efekte erotike ka hequr dorë para këtij palo politikani që kërcënon me emra shokësh, biznesesh dhe aq më shumë që ka në gjen për të futur përçarjen sipas një formule komuniste.

PD-ja humbi në Durrës pasi ajo emëroi në poste dashnore, servilë, njerëz të afërt, njerëz me pagesë në zyra të shtetit.

Ata e kishin joshjen pikërisht në këto gjera dhe qytetarët u ndeshën me letra në dorë me lakuriqësi faturash, me gjoba që i ngjanin si lajmërime vdekjesh dhe kjo e gjitha pasi dashnoret kishin nevojë për lekë dhe drejtuesit duhet ta shpërblenin kryetarin që kishte hapur bllokun dhe bënte liderin e zyrës së punës.

Kurrë Durrësi nuk ka njohur një turp si modeli i Igli Carës në emërime apo punësime dhe aq më shumë në përqendrimin rreth tij të gjithçkaje.

Ai ishte pranë pastruesve, pranë mesuesve, pranë drejtuesve, dhe mbi të gjitha ai ishte aty ku mohohet vetvetja.

PD-ja humbi në Durrës pasi u krijuar modeli i mohimit.

Strukturat e kësaj partie u mbushën me njerëz rruge, u mbushën me njerëz ordinerë, u mbushën me njerëz të marrë peng dhe mbi të gjitha u mbushën me njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me PD-në.

Ata ishin fytyra e vërtetë e një kryetari sharlatan që mohon gjithçka nga vetja për të parë veten larg të tjerëve.

Igli Cara krijoi modelin e kryesisë më ordinere në Durrës, aq sa njerëzit kishin frikë t’i afroheshin PD-së kur kjo kryesi kishte mbledhje.

Ai e krijoi kryesinë jo mbi bazë vlerash, thjesht mbi bazë mundësish për të vjedhur, abuzuar dhe bërë presion.

Ai për herë të parë krijoi modelin e kryetarit që selinë e partisë e zhvendos atje ku bëhen emërimet dhe tenderët.

PD-ja në Durrës humbi se mashtroi Sali Berishën dhe njeriu kryesor që e bëri këtë ishte Igli Cara.

Ai e mashtroi Berishën jo vetëm me kritere të rëndomta kurvickash dhe analfabetësh, jo vetëm me njerëz imoralë dhe hajdutë, po ai e gënjeu dhe injoroi Berishën kur do t’i mbushte sheshet me ca palo drejtorë për t’i thënë se ata kishin punuar që ai të shkonte në këtë humnerë.

Igli Cara nuk i bëri 400 anëtarësime në Sukth për Sali Berishën, ai tashmë ato anëtarësime po i përdor për veten e tij.

Rreth 1550 anëtarsime po bëhen këto ditë për të votuar Olldashin, Carën dhe klanin që ka marrë peng PD-në e Durrësit.

Kjo është gjëja më e mirë që po bëjnë.

Ata që po anëtarësohen nuk janë me PD-në, ata thjesht po i thonë një mashtruesi politik që dinë dhe ata politikisht të mashtrojnë.

PD-ja humbi në Durrës pasi krijoi modelin më të keq të drejtuesve të drejtorive.

Igli Cara zgjodhi Mira Bllanin si drejtuese.

Zgjodhi atë që do të krijonte njësinë matëse të parave që duheshin paguar për të marrë mësues në punë, në fakt injorantë, për të dërguar në rrugë ata që kishin vlera profesionale, për të dërguar në rrugë ata që e donin PD-në dhe kishin bërë gjithçka për atë.

Ai zgjodhi Filip Gjonçin, maskaradën e arsimit në Durrës, një njeri që do të trembej kur i thanë të bëhej drejtor, një njeri që kishte shitur bileta për 20 vjet dhe tashmë i kishte mbetur të thërriste zyshat në raport.

Ai do të mbetet “qefli” që Igli Cara mbylli kapitullin e shkatërrimit të arsimit.

Ai heshti për fëmijët që u lakuriqësuan si institucion shteti vetëm se drejtoresha ishte e përzgjedhura e tij.

Ai është mëkatari i paaftësisë dhe horrllëkut në këtë rast.

PD-ja humbi në Durrës se krijoi modelin e njerëzve të paaftë.

Me ndihmën e Igli Carës, ajo arriti deri në fyerje ndaj qytetarëve duke emëruar në detyrë ordinerë të paarsimuar si Tan Golja, klloun cirku si Andi Lila, batakçinj si Doklead Ademi, legenë të profesionit si Tauland Baku që i bredhin njerëzit në urgjencë me receta duke blerë ilaçe dhe që paguan lekë edhe kur e shkarkojnë.

PD-ja humbi në Durrës pasi ata që e shtrydhën me emrat e mësipër dhe nuk e shtrydhën vetëm për tenderë, po edhe për dekorime vjehrrësh, morën flamurin në dorë për t’i kërkuar shpirtin e dhunuar këtij qyteti.

Dolën në fushatë rrugaçë, maskarenj, të fortë, biznesmenë, gjobvënës dhe mbi të gjithë dolën në fushatë suita e Igli Carës që kishte krijuar modelin e fytyrës së PD-së në këtë qytet.

PD-ja humbi në Durrës në qytetin që kishte luftuar aq për të shporrur komunizmin, pasi i sollën në drejtim pikërisht komunistë, i sollën njerëz pa integritet, i sollën hajdutë si drejtorë, i sollën kurvarë që pushtetin e shihnin nga shalët e sekretareve, i sollën gjithçka të keqe, përveç se nuk i sollën ëndërrën e tyre për një Durrës ndryshe.

Ata janë sot legenët që kanë shpërdoruar një qytet, ata janë sot njerëzit që kanë shkelur me këmbë një qytet.

Ata janë sot minjtë e haleve të zyrave të PD që kanë frikë të ecin rrugëve të Durrësit.

Ata kanë masakruar dhe nuk janë të pakët ata njerëz që po i kërkojnë rrugëve të Durrësit.

Ata meritojnë si vaditje të asaj që kanë ndërtuar një gëlbazë, ata janë njerëzit që po gëzojnë se nuk po bëhet analizë për humbjen.

Po ata janë njerëzit që harrojnë se ka nisur një analizë për tenderët dhe për atë që kanë bërë.

Ata kujtojnë se ia hodhën duke marrë përgjegjësitë Sali Berisha.

Këtu gabohen.

Atij do t’ja japë përgjegjësitë historia, ndërsa këtyre shumë shpejt vota.

Berisha është njeriu që inicioi humbjen duke ndërtuar sistem me të paaftë, për t’i përdorur si i donte qejfi.

Për Berishën ata janë ende mburojë, për vete ata janë lakuriqësuar aq shumë sa që një zot e di si do të përfundojnë.

Ai ka faj se krijoi modelin... po humbjen nuk e solli ai, ai thjeshtë mblodhi humbësit.

* Titulli në origjinal: “Humbjen nuk e solli ai, mblodhi vetëm humbësit”

http://bulevardionline.com/humbjen-nuk-e-solli-ai-mblodhi-vetem-humbesit/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: