KESH: CEZ të importojë energji për humbjet. Reagon CEZ

12/07/2013 - 15:47

TIRANE, 12 korrik 2013 - Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Halit Velaj kërkon nga kompania “CEZ Shpërndarje” që të importojë energji për mbulimin e humbjeve dhe të shlyejë borxhet ndaj korporatës, e cila ndodhet aktualisht në vështirësi financiare. 

“Në qoftë se nuk blihen humbjet, për një muaj mosblerje humbjesh, liqeni i Fierzës bie me 6 metra. Sot në këto kushte që flasim, duke futur energjinë që i kemi dhënë, plus energjinë që ka marrë nga ne për humbjet CEZ i ka kompanisë tonë 450 milionë dollarë.”- deklaroi Velaj. 

Kreu i KESH-it deklaron se për shkak të borxheve të pashlyera, korporata nuk ka mudnësi aktualisht të paguajë një pjesë të detyrimeve të saj. 

“Përveç detyrimeve që i kemi tatimores, detyrimet në sigurimet shoqërore, detyrimet nga një kredi që është futur garant shteti. Investime deri tani nuk kemi bërë. Një barrë e rëndë për kompaninë tonë janë prodhuesit e vegjël, që sot aktualisht KESH-i iu ka një borxh rreth 20 milionë dollarë dhe nuk ka mundësi për ti pagaur. Në këto momente, përderisa nuk kemi mundësi ti paguajmë, të gjitha llogaritë e KESH-it janë të bllokuara nga përmbaruesit.”- u shpreh Velaj. 

Drejtori i KESH-it kërkon mbështetje me fondet e buxhetit nga qeveria e re. 

“Zgjidhja është, qeveria e ardhshme, ERE duhet që furnizuesin publik me shumicë, i cili sot është KESH-i, të dalë jashtë KESH-it, të zbatohet modeli i tregut. KESH të jetë divizioni i gjenerimit të energjisë, kompani publike prodhuese. Të merret parasysh edhe në buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm, mënyra e likuidimit të këtyre prodhuesve.”- deklaroi ai. 

Drejtori i KESH-it, Halit Velaj ka deklaruar se garantohet furnizimi me energji i qytetarëve, në rast se kompania “CEZ Shpërndarje” do të importojë energji për mbulimin e humbjeve sipas marrëveshjes. 

REAGON CEZ: KEMI NISUR SHLYERJEN E DETYRIMEVE 

Kompania “CEZ Shpërndarje” ka reaguar pas deklaratave të kreut të KESH-it, duke theksuar se importi për mbulimin e humbjeve do të nisë menjëherë. CEZ garanton se brenda 16 korrikut do të sigurohet energjia për të mbuluar humbjet. 

Lidhur me borxhet ndaj KESH-it, CEZ nënvizon se ka nisur shlyerjen e detyrimeve dhe të vijojë të shlyejë faturat koherente. Sipas CEZ-it, shlyerja e faturave të prapambetura e pezulluar nga Enti Rregullator i Energjisë. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: