Klajdi Gjeci “mbron” autorët: Nuk më rrëmbyen

29/12/2015 - 19:11

“Arrest me burg”, i caktoi masën e sigurisë Gjykata e Tiranës, tre të rinjve që dhunuan dhe më pas rrëmbyen për disa orë Klajdi Gjeçin në kryeqytet.

Para gjykatës, tre të dyshuarit Martin Seferi dhe dy vëllezërit Klejdi e Erald Yzeiraj mohuan akuzat e “heqjes së paligjshme të lirisë”, duke u mbështetur në deklarimet e 37-vjeçarit Gjeci. Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Yzeiraj dhe shoku i tyre Seferi, mbrëmjen e 25 dhjetorit në rrugën e “Dibrës”, kanë rrahur dhe më pas e kanë marrë me forcë nga mjeti i tij, Gjeci. Kjo skenë është denoncuar nga kalimtarët e rastit në polici, të cilët disa orë më pas arrestuan autorët e kësaj dhunës dhe liruan të dëmtuarin. Por, para hetuesve Klajdi Gjeci ka mohuar faktin se ishte rrëmbyer nga të dyshuarit. Ai ka pranuar faktin se është rrahur nga tre të rinjët, por ka mohuar se është rrëmbyer apo detyruar me forcë të hip në makinën e tyre.

Në deklarimin e Gjeçit, thuhet ndër të tjera, se ndodhej në rrugën e “Dibrës” kur një makinë i ka zënë rrugën dhe prej saj kanë dalë 3 persona, të cilët pa parlajmërim e kanë qëlluar me grushta e shkelma duke e nxjerr me dhunë nga makina e tij. 37 vjecarit i ka thënë hetuesve, se i kishte kërkuar sqarime tre të dyshuarve për shkakun e dhunues dhe ata kishin pretenduar se Gjeci i kishte rrahur menaxherin e lokalit të tyre. Por Klajdi Gjeçi ka mohuar konfliktin me menaxherin e tyre duke kërkuar ballafaqim, veprim për të cilin ai thotë se ka hipur në makinën e tyre me vullnet të lirë për të bërë ballafaqimin me menaxherin. Në këtë kohë, policia është njoftuar për sherrin në rrugën e “Dibrës” dhe është vënë në ndjekje të autorëve të kësaj dhune. Në takim me menaxherin, ky i fundit ka mohuar faktin se ishte Gjeci ai i cili e kishte dhunuar dhe për këtë fakt, tre të dyshuarit i kanë kërkuar falje Gjecit, të cilin po e kthenin te makina e tij me taksi, kur edhe janë arrestuar nga policia, raporton abcnews.

Dëshmia e Klajdi Gjecit, që i heq nga përgjegjësia penale tre të dyshuarit, ka ngritur dyshime se Klajdi Gjeci mund të jetë kërcënuar dhe për këtë fakt, deri në sqarimin e situatës, prokuroria ka kërkuar që dy vëllezërit Yzeiraj dhe shoku i tyre Seferi të mbahej në burg pa afat.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: