Klose: Ronaldo, më i kompletuari në histori

11/07/2014 - 11:40

Brazil, 11 korrik 2014 - Brazili me disfatën e tij të thellë është lënë pas krahëve, sepse tani është Argjentina e Leo Messit që ndodhet në rrugën e gjermanëve drejt Kupës së Botës. Për Miroslav Klosen, nuk mund të ecet përpara, duke e mbajtur mendjen mbrapa.

“Sigurisht që e shijuam ndeshjen kundër brazilianëve, por fokusi tani shkon vetëm te Argjentina. Na pret një ndeshje totalisht ndryshe. Duhet të japim sërish maksimumin, është një finale dhe unë e di shumë mirë si ndihesh kur humbet një të tillë. Gjithsesi ne i kemi mundësitë për të fituar”.

Në Kupat e Botës, sulmuesi rekordmen kaloi shifrën e golave të fenomenit Ronaldo, për të cilin Klose flet gjithmonë me fjalët më të mira.

“Ronaldo mbetet një nga lojtarët më të kompletuar në histori. Pa dyshim që mund t’i ketë lënë shije të hidhur rekordi im sepse ndodhej në stadium, kur unë shënova ndaj Brazilit. Ai më dërgoi mua mesazhin e mirëseardhjes në klubin e 15-es, ndërsa unë tani kam një mesazh tjetër “Mirësevini, Miroslav Klose është në klubin e 16-es dhe çdokush është i ftuar”.

Sulmuesi gjerman ka luajtur 23 ndeshje në 4 edicione të ndryshme në Kupat e Botës. Për të ardhmen, 36-vjeçari tha se nuk ka plane konkrete, do të vendosë pas largimit nga Brazili, teksa theksoi se pavarësisht moshës, ndihet ende në formë për të vazhduar karrierën me ritme të larta.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: