Kokteje në fluturim

15/12/2012 - 16:49

 

SHBA - Disa kompani ajrore në Shtetet e Bashkuara ofrojnë tani kokteje për të gjithë udhëtarët, në përpjekje për të shtuar luksin në aeroplanë dhe për të ndihmuar në largimin e stresit të fluturimit. Menutë e reja përfshijnë porosi koktejesh, birra artizanale si dhe lista elegante verash.

Rradhët e gjata, rregullat e sigurisë që ndryshojnë shpesh si dhe debatet për hapësirën në raftet e valixheve në bord e kanë bërë udhëtimin shumë më stresues. Prandaj, nuk është e çuditshme nëse pasagjerët kërkojnë pak argëtim.

Pijet që reklamohen në faqet e fundit të revistave të disa linjave ajrore ose në ekranet interaktivë prapa ndenjëseve, kanë filluar t’u ngjajnë atyre që shërbehen në lokalet më të mira.

Kompania furnizuese e linjave ajrore amerikane GuestLogix, e cila përpunon rreth 90 për qind të transaksioneve të kartave të kreditit në bordet e aeroplanëve për Amerikën e Veriut, thotë se ditët e javës dhe koha gjatë ditës në të cilën njerëzit fluturojnë është një faktor i rëndësishëm në sasinë e pijeve të konsumuara. Sipas të dhënave të tyre njerëzit pijnë më shumë të enjteve dhe më pak të hënave. Vendmbërritja është një tjetër faktor që ndikon.

Analisti i industrisë së udhëtimit Henri Harteveldt thotë se kompanitë ajrore po bëjnë çdo gjë të mundur që njerëzit të shijojnë sa më shumë udhëtimet e tyre.

Sipas tij kompanitë ajrore amerikane shpresojnë që me koktejet të sjellin të njëjtën atmosferë të lokaleve edhe në 10 mijë metra lartësi

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: