Nga Klodian Tomorri

Katër vjet më parë qeveria shqiptare pajtoi një kompani të njohur greke për të hartuar Strategjinë Kombëtare të Rrugëve me Pagesë. Për 6 muaj Egnatia Odos studioi të gjithë rrjetin rrugor të Shqipërisë dhe në fund dorëzoi raportin, në të cilin listoheshin akset potenciale për t'u bërë me pagesë si dhe tarifat përkatëse, që duhet t'u ngarkoheshin qytetarëve.

Sipas raportit, niveli i tarifave të kalimit në rrugë duhet të varionte nga 0.01 euro për kilometër deri në 0.035 euro për kilometër. Kjo e fundit është gjykuar nga konsulenti si nivel maksimal i tarifës së kalimit që mund të përballojnë qytetarët shqiptarë. Pra e thënë ndryshe kompania konsulente i sugjeroi qeverisë që në një rrugë me gjatësi 100 kilometër, tarifa e kalimit për automjetet duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar nuk duhet të ishte më e lartë se 3.5 euro në rastin më të keq.

Por rekomandimi u thye që herën e parë. Në koncesionin e autostradës Milot-Morinë, një segment me gjatësi totale 116 kilometër, qeveria e vendosi tarifën e kalimit 5 euro, pra 25 për qind më të rëndë se sa niveli maksimal i përballueshmërisë që sugjeroi konsulenti. Vendosja e tarifës mbi nivelin e përballueshmërisë, coi në zemërimin e qytetarëve Kuksianë. E gjendur përballë protestave, qeveria lehtësoi tarifat e kalimit për përdoruesit e shpeshtë të rrugës, por koston e transferoi sërish në buxhet duke ja u ngarkuar të gjithë qytetarëve.

Skenari i Milot-Morinë po pësëritet, madje këtë herë edhe më i rëndë. Pak ditë më parë ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se në vjeshtë qeveria do të nisë procedurat për të bërë me pagesë aksin më të rëndësishëm rrugor të vendit, Superstradën Tiranë-Durrës.

Në fakt, ideja për të bërë me pagesë rrugën Tiranë-Durrës, është lakuar që nga vitet 2000'. Por gjatë gjithë kësaj kohe, ajo ka qenë thjesht ide dhe asnjëherë qeveritë që kanë qenë në pushtet, nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret për ta realizuar. Situata ndryshoi vitin e kaluar.

Në kulmin e valës së koncesioneve rrugore, diku nga fundi i vitit të kaluar në Ministrinë e Infrastrukturës mbërriti një propozim i pakërkuar për të marrë me koncesion rrugën Tiranë-Durrës. Propozuesi ishte një kompani indiane e quajtur Kanoria, por pas saj qëndrojnë edhe dy kompani shqiptare; Albstar dhe Trema Inginiering. Sipas ofertës së pakërkuar të koncesionit, ky konsorcium do të investonte një shifër rreth 150 milionë euro për ta zgjeruar rrugën me dy korsi shtesë dhe në këmbim do të vendosej një tarifë kalimi nga 2 deri në 5 euro për çdo automjet, në varësi të madhësisë së tij.

Rruga Tiranë-Durrës është 34 kilometra e gjatë në total. Sipas propozimit të konsulentit tarifa maksimale e kalimit në këtë rrugë nuk duhet të ishte më shumë se 1 euro për kalim në të gjithë distancën e saj, por tarifa e kërkuar nga kompania private ishte të paktën 2 herë më e lartë se sa niveli maksimal.

Pavarësisht tarifës së kripur qeveria u vu në lëvizje. Por e vënë nën presion nga FMN dhe publiku për valën e koncesioneve rrugore, qeveria u detyrua që të bëjë përkoësisht një hap pas duke miratuar një darft, i cili rrëzon automatikisht çdo ofertë të pakërkuar pas datës 1 korrik. Projektligji pritet që shumë shpejt të kalojë edhe në seancë plenare duke rrëzuar ofertën e pakërkuar për rrugën Tiranë-Durrës. 

Përballë këtij ngërçi, qeveria po e ringjall projektin përmes një manovre tjetër. Ajo që ka lindur si ofertë e pakërkuar nga privatët, tani po shpallet si thirrje e vetë shtetit. Gjasat janë që koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës të përfundojë në duart e ofertuesit të pakërkuar, dhe po me të njëjtën tarifë kalimi, 2 euro për automjetet e thjeshta dhe 5 euro për autobusët dhe mjetet më të rënda.

Një tarifë të paktën 2 herë nga niveli më i rëndë i propozuar nga konsulenti, që do u ngarkohet qytetarëve në kurriz, përmes një koncesioni që i bie ndesh edhe Kushtetutës. Shqiptarët paguajnë 160 milionë euro në vit si taksë qarkullimi tek karburantet, mbi këtë do të paguajnë tarifa kalimi në akset me kyç të vendit. Pra 2 pagesa për të njëjtin shërbim, edhe pse Kushtetuta e ndalon qeverinë të taksojë dy herë të njëjtën gjë.

Dhe ky është një biznes marramendës. Në rrugë kalojnë 50 mijë mjete në ditë, që do të thotë se janë të paktën 50 milionë euro në vit të ardhura të garantuara për privatin.