Avioni lodër që tronditi Serbinë

17/10/2014 - 08:58

Nga Gladiola  Busulla

DURRËS, 17 tetor 2014-  Droni  i sofistikuar, me hartën e Shqipërisë së Madhe që valëvitej nën qiellin serb dukej sikur fluturonte nga e shkuara historike, i vulosur me ëndrrën nacionaliste të shqiptarëve, sidomos atyre të përtej kufijve zyrtarë. Futbolli konsiderohet sporti më popullor në botë, por  në vendin tonë dhe në çdo hapësirë shqipfolëse është shndërruar në kryefjalën e ditës, prej një flamuri, që ndonëse nuk figuron realisht tronditi Serbinë.

Meqë është një “gënjeshtër e madhe etnike”, pse i tremben kaq shumë serbët atij? Nëse ata s’i besojnë apo e mohojnë, përse ky flamur u trazon aq shumë shpirtrat dhe vetëdijen patriotike? E pabesueshme ! Një avion fëmijësh i trembka kaq shumë ?!

Rikthehemi në stadiumin “Partizani”. Që nga viti 1967, qe hera e parë që Shqipëria vizitonte Beogradin. Tensioni ishte shumë i lartë. E pashmangshme që stereotipet ballkanike të fitonin. Ndonëse Ballkani është djegur e therorizuar ndër vite për këtë motiv, sërish të gjithë së bashku, brohoritëm urrejtjen ndaj njëri-tjetrit. Shqipfolësit në Shipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni u solidarizuan për të mbrojtur “Shqipërinë e Madhe”, a thua se në këtë të voglën, punët po na rrjedhin vaj.

Duke iu referuar raportit të  Gallup Balkan Monitor 2010, "ideja e Shqipërisë së Madhe” është mbështetur nga shumica e shqiptarëve në Shqipëri (63%), Kosovë (81%) dhe Republika e Maqedonisë (53%).

Euforia shqiptare, këtë radhë shpërtheu furishëm, turmat vërshuan në rrugë për të festuar (3-pikëshin utopik  në tavolinë). Eh ! Gjithnjë jemi gënjyer me lugën bosh. Si s’ mësuam të vetëpërmbahemi ! Është shenjë qytetarie që bën dallimin e madh, që i shërben pastrimit të imazhit aspak pozitiv që ekziston për ne. Gjithsesi, para opinionit botëror, dhe ne mbartim një pjesë të mirë të fajit. Sepse ata nuk duan të shohin, as karriget që fluturonin mbi kokat e futbollistëve tanë, as sendet e forta, as dhunën e ushtruar, as thirrjet “Mbytni shqiptarët”,  as vërshimin e tifozëve në fushë, por duan të shohin vetëm një drone provokativ dhe futbollistët që me të drejtë (kishin frikë për jetën) nuk u kthyen në fushë për të rifilluar lojën.

Në fakt, incidenti me flamurin u krye në një moment delikat. Sapo kishte çelur një rreze shprese për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, teksa kryeministri Rama njoftoi se më 22 tetor do të vizitojë Beogradin dhe do të takohet me Aleksandër Vuçiç, homologun serb.

Sa do të dojë ende Rama të shkojë në Serbi, (edhe pas akuzave për përfshirje ndaj vëllait të tij) pavarësisht se duhet të shkojë, pasi ka deklaruar se do të shkojë. Situata është ende e ndezur. Shqipëria do të tregojë që qëndron në lartësinë e duhur për të përballuar incidente sportive që degjenerojnë në konflikte verbale politike. Gjithsesi moment historik kërkon emancipim, kapërcim të komplekseve dhe stereotipeve ballkanike, që s’kanë pse të na personifikojnë më. Ka ardhur moment të çlirohemi dhe nëse është e nevojshme ta tregojmë ne të parët që i përkasim Evropës më shumë se vendet e tjera të gadishullit.

Carl Bildt, ministri suedez i Punëve të Jashtme ka deklaruar në Tëitter se ajo që ndodhi në Beograd ishte "një provokim i papërgjegjshëm". (Po rikujtoj që e ndjera Anna Lindh, Ministrja e jashtme e Suedisë u vra nga një 46-vjeçar serb në 2003). Gjithsesi, as Suedia nuk po mban anën tonë, përkundrazi.

Pra, ai shpreson që të dy  kryeministrat ta gjykojnë të arsyeshëm "përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe". Gjithashtu dhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffman e këshillon Edi Ramën ta kryejë këtë vizitë.

 Në fund, cili ishte rezultati i ndeshjes të së martës, në atë mbrëmje luftarake, që dukej si e çmendur, deri diku e etur për kurban. Ajo natë shëmbëllente me një arenë lufte nga ana e serbëve, por fatkeqësisht mbetëm të përlyer dhe ne. Me apo pa dashje, shfaqja e dronit po gjykohet nga opinioni botëror si një provokim nacionalist, dhe në rastin më të keq po krahasohet me një bombë siç u shpreh Mishel Platini që u shfaq hapur pro serb, me këtë deklaratë. Ndonëse shqiptarët duken të ndërgjegjësuar se Shqipëria e Madhe mbetet në kuadrin e një dëshire, përsëri ajo është një prirje në zhvillim. Në fund të fundit jetojmë në një “botë të lirë”!

Por, a e gjeti ideatori i banerit, vendin e duhur për ta shpalosur atë, në  mes të stadiumit të Beogradit, ku gëlonte një atmosferë armiqësore që i bënte djemtë shqiptarë të ndiheshin realisht të rrezikuar? Pra, sa i nevojshëm ishte ky simbol, në rrethana të tilla?

Më saktë duhet bërë një tjetër pyetje serioze: Kush e e hodhi drone-in? Në mes mijëra forcave policore brenda dhe jashtë stadiumit, flamurin e hodhi një patriot shqiptar? Por ky i ngjet më tepër një skenari të hartuar me kujdes. Shqipëria- vend  terrorist dhe destabilizues në rajon, e udhëhequr nga një kryeministër, vëllai i të cilit (qytetar shqiptaro-amerikan) kryen akte kriminale (alibi perfekte).

Serbët u shfaqën mesjetarë, racistë, primitive, ksenofobë dhe mbi të gjitha dinakë si kurrë më parë, ndaj kjo ndeshje duhet artikuluar seriozisht nga Evropa.

Personalisht bëj me faj dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila u tregua paksa naive dhe nuk bëri parashikimet e duhura. Patjetër që duhej të kishte marrë masa parapake. Pengimi i tifozëve shqiptarë, ndalimi i simboleve, shoqërimi i djemve të kombëtares nga policia serbe, zëvendësimi i emrit Albania me Digitalb, zhvillimi i ndeshjes në një terren aspak dashamirës janë tregues të pakontestueshëm, se futbollistët po shkonin në Serbi si”cjapi te kasapi”.  

Sepse në këtë “ ndeshje- përleshje” ndodhi idem, siç ndodh në luftë;  nuk u shënua asnjë gol, asnjë fitore, një barazim i dhimbshëm dhe viktimat ishin kuqezinjtë që kaluan minuta shumë të vështira në atë fushë; minuta që mund t’u jenë dukur vite. Ata meritojnë një bravo të madhe; për qytetarinë e tyre absolute.

Si në një batutë të filmit “Koncert në vitin 36”, ku qeverisë nuk i vjen asnjë e keqe nga kënga e “Kongresit të Lushnjës”, të njëjtën pyetje ngre dhe për Serbinë: Ç’e keqe i vjen një vendi (Serbisë) me sipërfaqe 88.360 (km. katrorë) nga një flamur inekzistent në dokumente zyrtare dhe ligjore, që një “të  çmenduri” iu tek ta hidhte në një stadium të veshur me mijëra flamuj serbë?! Apo mos ndoshta ky ishte një rast për t’u shfrytëzuar maksimalisht, pikërisht tani që klima në Ballkan shfaqet e qetë dhe paqësore? Shqipëria tashmë është në NATO. Serbia po pranon kushtet e saj. Në këtë moment shfaqet në skenë një tjetër aktor protagonist i politikës botërore, Vladimir Putin. Ai viziton Beogradin. Asgjë në këtë botë nuk është rastësi, apo rastësia mbret i botës ?! Qeveritarëve serbë (që mesa duket, s’iu shqitka Slloboja nga mendja) ndoshta u intereson më shumë se ç’e imagjinojmë ne kultivimi i pandërprerë i një politike shoviniste anti-shqiptare? U intereson vërtet një “casus belli”? Politikanët serbë përqafuan një retorikë brutale, aspak të denjë për shekullin ku jetojmë; në vend që të mbanin përgjegjësitë, viktimizonin veten.

Për t’u rikthyer pastaj tek ne shqiptarët, që jemi një popull që dimë mirë si t’i bëjmë keq njëri-tjetrit, një popull që s’ngre krye për problemet reale, një popull “i urtë që udhëhiqemi si një tufë delesh”. Nuk ngrihemi në këmbë, kur na vidhen milionat nën hundë, kur na prishet cilësia e jetës, dhe heshtim, kur na bëhen padrejtësi. Pra, përveç shqetësimeve me fqinjët kemi probleme serioze me veten, me vëllezërit tanë të të njëjtit gjak, me mungesën e përkrahjes nga përfaqësitë tona jashtë shtetit etj. Dhe bota s’është aspak e verbër. Ajo e shikon qartë se sa na mbron e përfaqëson shteti ynë. Ndaj s’e ka për gjë të na shkelë. Në të tilla pozita, ne i kemi miq të gjithë, por askush s’na del për zot.  

George Williams (ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal të Zi) shprehej: “Njerëzit e Shqipërisë shohin te Krishti dhe Muhamedi dy profetë që i nderojnë si të tillë. Ç’fatkeqësi! Ata i thërrasin më kot! Si njeri e si tjetri të ndihmojnë vendin e tyre. O Krisht! O Muhamed! Kujt t’i drejtohen që të drejtat e tyre tashmë të njihen?”.

Me keqardhje, ndër shekuj: show must go on !

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: