Për të disatën herë, banorët e njësisë administrative Xhafzotaj protestuan sot duke mbajtur të bllokuar për disa minuta aksin nacional Durrës-Shijak. Në kërkesën e tyre bazike, banorët e kësaj zone përsëritën për veshët e pushtetarëve të shurdhët apelin për rikonstruksionin e këtij aksi, amortizimi i të cilit e ka bërë atë thuajse të pakalueshëm.

E kam përshkuar vetë këtë rrugë çdo ditë për më shumë se 2 vite vajtje-ardhje, kur punoja në Shijak. Është e pakonceptueshme që, në një aks ku ushtrojnë aktivitetin e tyre dhjetëra fasoneri me qindra punëtorë, ku ndodhen me dhjetëra biznese të mëdha e qindra biznese të vogla e të mesme, që xhirojnë në xhepat e shtetit me qindra milion lekë në muaj me pagesat e energjisë elektrike, ujit, sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimeve, infrastruktura rrugore të jetë tërësisht e degraduar. Është një komunitet i tërë, ku secila familje ka të paktën një person që jeton në vendet perëndimore. Kthimi i tyre në atdhe i përball me një realitet, ku rrugë të tilla do të ishin të denja për Shqipërinë e viteve 30-40, por jo atë të vitit 2019. Mjafton të kujtoj këtu protestën e 18 prillit 2018, kur një i ri nga Xhafzotaj, në një shpërthim që habiti shumëkënd në atë kohë, u bë lajm në të gjitha mediat, sepse ngriti zëri dhe kërkoi të shtrohej rruga.

Dua të kujtoj këtu se qyteti i Shijakut dhe zona e Xhafzotajt ka një numër të madh tregtarësh makinash të përdorura. Si për ironi të fatit, njëri nga protestuesit e sotëm i kujtoi qeverisë se ka vënë në zbatim ligjin që makinat që qarkullojnë në vend të jenë të vitit 2010 e sipër. Se ku do të qarkullojë një makinë e tillë në një rrugë gropave të së cilës i tremben edhe kamionët, autobuzët apo furgonat e lartë që e përshkojnë atë, kësaj duhet t’i japin përgjigje drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës që në gjithë këto vite kanë harruar të akordojnë një fond për rikonstruksionin e saj.

Nëse në një moment, të gjitha bizneset e kësaj zone do të ndalonin së paguari detyrimet në shtet, aty do të turreshin brenda dy muajsh, inspektorët e tatimeve, të OSHEE-së, Ujësjellësit, Inspektoriatit të punës etj. Do të kërkonin nga bizneset që të shlyenin pa vonesë detyrimet, ndryshe do të ndëshkoheshin. Po përballë kërkesës shumë vjeçare të banorëve të kësaj zone, të intensifikuar veçanërisht 2 vitet e fundit, gjithkush bën veshin e shurdhët dhe syrin qorr. Pra nëse preket xhepi i shtetit të gjitha hallkat vrapojnë të rikuperojnë dëmin ekomomik, kur preket xhepi i qytetarit të thjeshtë që duhet të harxhojë shuma të konsiderueshme për automjetet që po i dalin jashtë përdorimit për shkak të rrugës, se vë njeri ujin në zjarr.

Ka nxjerrë dy deputetë kjo zonë në këtë legjislaturë parlamentare, të dy pjesë e maxhorancës qeverisëse, të dy banorë të kësaj zone; Jurgis Çyrbja dhe Ilir Ndraxhi. Asnjëri prej të dyve se ka ngritur zërin nga foltorja e parlamentit për gjendjen katastrofike në të cilën ndodhet aksi kombëtar Durrës-Shijak (le që Ndraxhi futej në listën e deputetëve që se kishin marrë fjalën asnjëherë në Kuvend!). Dhe po flasim këtu për një zonë industriale, me mijëra të punësuar apo të vetëpunësuar, jo për një zonë të thellë, ku rruga do t’i vinte në ndihmë vetëm një komuniteti prej disa dhjetëra banorësh.

Nëse të gjithë drejtuesit e ndërmarrjeve të mëdha në këtë zonë do t’i vinin kyçin bizneseve të tyre derisa të akordohej fondi për rikonstruksionin e kësaj rruge, nëse me mijëra të punësuar do të dilnin të protestonin sepse kishin mbetur pa punë, nëse banorët e kësaj zone do të mbanin të bllokuar aksin derisa zëri i tyre të shkonte në veshët e qeverisë, nëse i gjithë komuniteti do të marshonte drejt Tiranës, para ndërtesës së kryeministrisë, a do të kujtohej vallë qeveria Rama sesa në harresë e ka lënë këtë komunitet që po kërkon vetëm diçka bazike: Rrugë, rrugë, rrugë…

Kryeministri Rama ka filluar të pohojë gjithnjë e më shpesh kohët e fundit se ai dhe qeveria nuk i dinë të gjitha. Ndoshta nevojiten veprime demonstrative, që qeveria të mësojë se ka një rrugë kombëtare në mes të Shqipërisë që është në pikë të hallit, se është një komunitet i tërë që penalizohet për hir të një rruge.

Rilindja urbane e qeverisë Rama preku edhe qendrën e Shijakut, gurët dekorativë të së cilës janë arnuar disa herë kur ka më shumë se dy vite që u përurua. Kur u gjetën para për të bërë fasadat, si nuk gjendet një fond për të rikonstruktuar një rrugë kombëtare 8 km të gjatë. Nëse për një vit, bizneseve të kësaj zone do t’u ishte thënë mos paguani taksa, por lekët mblidhini dhe investojini për rikonstruksionin e këtij aksi e them pa frikë se banorët do ta kishin bërë vetë rrugën, madje një pjesë të parave që do të tepronin, mund t’ia kalonin qeverisë që ta përdorte për një tjetër rrugë. 

M.B.