Nga Bujar Kapexhiu

I nderuar KryeM… 

Për herë të parë në jetën time po të shkruaj një letër të hapur, ndërkohë që ti në jetën tënde më ke shkruar një letër të mbyllur, me disa bashkëshkrues. E ruaj ende atë letër si diçka artistike, shoqërore dhe historike për Akademinë e Arteve në fillimet e demokracisë.

Po e filloj kështu me “ti”… Ah, më fal, e teprova…një letër për JU, miku im! Vazhdoj t’ju quaj kështu, se unë i dua dhe i ruaj me fanatizëm miqtë ashtu siç janë, me të mirat, të metat apo të këqijat e tyre, sepse vetëm kështu ata mbeten të vërtetë, më interesantë e më me vlerë me mua që i vizatoj dhe bëj humor me ta.

Kemi shkëmbyer pak mesazhe me njëri-tjetrin dhe batuta e zakonshme dhe e përhershme, në përgjigje të kërkesës sime, ka qenë: “Kjo bëhet kur të vijnë ata tuajt.” Cilët janë të mitë?! E cilët janë tuajt?! Të mitë janë të gjithë. Edhe ju i imi jeni. Dhe nëse nëndonjë çast zemërak ju deklaroni që nuk jam i yti, unë përsëris: Ju jeni i imi. Unë nuk përjashtoj asnjë, se kështu do varfëroja veten dhe artin tim. Arti im figurativ e gazmor nuk lejon të braktisë asnjë dhe unë i përkushtohem secilit, mbi letrën e bardhë, me shumë pasion e dashuri, pavarësisht nëse atij i pëlqen apo nuk i pëlqen. Është dakord apo kundërshton. Mund të ketë dhe hatërmbetje, por unë vazhdoj ta pranoj e respektoj.

Për artin tim humoristik, goditës e deformues, por pa fyer e denigruar, nuk ka tabu. Nuk ka të paprekshëm. Sigurisht këtu mbi tokë. Kam bërë shumë karikatura për probleme e dukuri politike, përfaqësuar nga persona të veçantë. Ndoshta diku në ndonjërën prej tyre edhe mund të kem gabuar dhe tepruar, por e them me bindje e sinqeritetqë kjo jo me dashje, por më ka shpëtuar, kalimthi, pa u menduar gjatë. Diçka spontane. Dhe çuditërisht ato janë pëlqyer më shumë. Ju e dini miku im se spontaniteti në art është i magjishëm. Ju e keni provuar dhe vetë me lëvizjet dinamike të flamasterit mbi shkresat zyrtare. Përveç artit figurativ ju keni provuar vetë batutat me humor apo ironinë pa buzëqeshje e kalimthi, që lënë një shije të keqe kur godet pa sensin e masës.

Për të mos u zgjatur me probleme anësore e të parëndësishme për këtë kohë të nxehtë të politikës xanxare, po ndalem te problemi zhurmëmadh i Teatrit. Më e papranueshmja: grindja e mosmarrëveshja midis artistëve. Edhe kur ata janë kryeqeveritarë. Absurde!

Ju thoni që Teatri është karakatinë. Edhe unë kështu them, karakatinë. I kujt është faji? Përse ka ndodhur kjo? Sepse ju dhe paraardhësit tuaj e braktisët këtë godinë të shenjtë, me mendimin e fshehtë për ta shembur. Nuk u kujdesët kurrë për ta mirëmbajtur, ashtu siç bëni çdo vit me mirëmbajtjen e zyrave tuaja ose, më saktë, jo me mirëmbajtjen po mirëzhvatjen. E latë të degradojë deri në këtë gjendje, me fiksimin pervers për ta shembur. Ju thoni që është turp. Turp, them dhe unë. Por jo për Teatrin, por turp për ju që e braktisët për t’ia arritur një qëllimi të mbrapshtë. Shembje.

Ju bëni një listë me emra të shquar të artit skenik dhe citoni copëza apo rreshta që ju interesojnë e ashtu të shkëputura nga e tëra nuk thonë të vërtetën. Ju qëmtoni emra personash që nuk jetojnë më dhe që, sigurisht, në këtë situatë të tensionuar, nuk kanë sesi t’ju kthejnë përgjigje. Përmendni Mihal Luarasin, pedagog i nderuar, regjisor i shkëlqyer, familjar i mrekullueshëm e qytetar dinjitoz. Ai jetoi midis nesh. Përherë ankohej për Teatrin që po shkatërrohej. Edhe ai donte një Teatër të ri, por kurrë nuk tha që të shembet ky i vjetri dhe në tokën e tij të ndërtohen kulla. Përmendni aktorin gjenial, pedagogun tim të veçantë NaimFrashëri. Edhe me të ndjerin profesor,në oborr të teatrit, në skenë, në dhomat e grimit, ankoheshim për konditat e vështira për artin teatror.

Duhet një Teatër i ri, por kurrë nuk tha që duhet prishur ky i vjetri. Mos u merrni me artistët që janë larguar nga kjo jetë. Me ta jeni i humbur! Protesta është amaneti i tyre. Ata janë midis nesh në rreshtin e parë. Edhe sot aktorët, regjisorët, Budina, Çipi, Liçaj, Zenelaj e të gjithë të tjerët duan një Teatër të ri, por jo të prishet i vjetri dhe ju të bëni sevap me pronën publike. Edhe qytetarët që u goditën dhunshëm nga policia duan një Teatër të ri, por të mos rrënohet i vjetri. Ai të rikonstruktohet. Ju, jo! Të shembet! Ju thoni se ky Teatër nuk është dinjitoz për Teatër Kombëtar. E vërtetë. Kështu siç është katandisur, nuk është. E pra, nëse juve ju ka lindur në zemër e ju është ngulitur në mendje për të ndërtuar një Teatër dinjitoz, që meriton emrin Kombëtar (gjë që më bën të qesh, se jeni shumëkomik), atëherë, nëse kjo është e vërtetë, ndërtojeni atë, por diku tjetër. Vende ka plot.

Restauroni këtë ekzistuesin e mos e quani Teatër Kombëtar, por i vini emrine një aktori të famshëm shqiptar. Ka plot. Nuk është vështirë të zgjedhësh. Ju thoni se kjo godinë e vjetër tashmë e rrënuar nuk rikonstruktohet. Gënjeshtër. Mos merrni në zyrat tuaja, për gjoja konsultë, arkitektë e konstruktorë që vënë firmat në bordero shtetërore, se edhe ju e dini që ata janë të pabesueshëm e të paaftë. Se po të ishin të zotë nuk punonin në shtet, por dilnin në privat, me firmë ndërtimi. Shoqata e arkitektëve njëzëri deklaroi hapur, me argumente profesionale, se godina e Teatrit mund të rikonstruktohet. Ju, jo! Të shembet! Instituti i Monumenteve të Kulturës e kundërshtoi me ngulm prishjen e kësaj godine, duke e vlerësuar atë si një monument historik e arkitektonik, si monument kulture që duhet rikonstruktuar. Ju, jo! Të shembet!

Mos merrni shembuj aktorë që kanë vite të larguar, që nuk interpretojnë më në këtë skenë dhe presin me padurim e ankth pensionin e veçantë, duke iu përkulur në gjunjë lapsit tuaj, nga frika se u vë vizën emrave të tyre. Presion. Shpirtligësi. Disa miqtë mi shumë të afërt, shumë të nderuar, që ju me të drejtë u keni dhënë atë që meritojnë, sot heshtin sepse ruajnë një mirënjohje për ju dhe nuk duan të dalin si bukëshkalë. Zgjedhja e tyre. Unë i kuptoj. Ju keni premtuar se asnjë centimetër toke që i takon këtij Teatri nuk do të jepet për të ndërtuar kulla.

Teatri i ri, sipas premtimit tuaj (jo sipas projektit që keni paraqitur), do të ndërtohet në të gjithë territorin që i takon sot Teatrit. Pa kulla. Ne nuk ju besojmë. Hapni një konkurs kombëtar apo ndërkombëtar për një projekt Teatri apo kompleksi teatror, që të zërë të gjithë territorin ekzistues të Teatrit. Ta shikojnë të gjithë. Artistë e qytetarë, të binden e të zgjedhin. Ky është edhe slogani juaj “Bashkëqeverisim”, e jo me projekte në formë papioni, fjongoje apo ushkuri që zë një copëzë nga gjithë ai territor. Artistët e qytetarët do t’i bindni vetëm me projektet e jo me fjalë. Si Hamleti…fjalë…fjalë…fjalë, ndërsa ju, fyerje…sharje…ofendime. Duam projekte…projekte…projekte, e më pas vepra …vepra…vepra. Edhe nëse padashje del ndonjë kryevepër, e pranojmë me kënaqësi. A e dini ju se cila është vërtet e padiskutueshme dhe e gjithëpranueshmesi një kryevepër? Cila? Heqja dorë nga shembja e Teatrit Kombëtar. Kryevepër!Kjo mund të jetë kryevepra juaj! Gjer më sot nuk keni bërë asgjë më të madhe e më të rëndësishme se kjo që sapo thashë. Bëjeni! Mos ngurroni. Ky çast një herë vjen në jetë. Dy gjëra keni në dorë, që të lini gjurmë, siç ka qenë edhe dëshira juaj qysh në hapat e parë në politikë.Sot është koha më e përshtatshme për këtë. Keni në dorë dy kryevepra. Dy gjurmë. E para, hiqni dorë nga Teatri! E dyta, hiqni dorë nga froni! Të dyja janë në dorën tuaj. Koha gjykatësi më i mirë e më i drejtë.

Lexoj shumë artikuj në shtypin e përditshëm, shoh programe televizive, ndjek portale të ndryshme, zhytem edhe në facebook. Kam vënë re me kuriozitet se shumë persona që ju drejtohen përdorin emërtime të ndryshme. Variacione fjalësh. Dikush ju drejtohet: I nderuar zoti Kryeministër; një tjetër:I dashur Kryeministër; një tjetër:Kryeshërbëtor; dikush, më inatçor:Edvin; dikush tjetër më konfidencial:I dashur Edi etj. etj. Unë nuk po e shkruaj si asnjëri.

Kam stil origjinal, ashtu siç ju jam drejtuar në krye tëletrës:I nderuar KryeM… Në kuadrin e globalizmit, po e vendos germën “M” si pronë të gjithkujt, e secili të zgjedhë me germën “M” në fillim të fjalës atë që ai dëshiron apo mendon se ju përshtatet më mirë. Demokraci. Liri e fjalës. Sigurisht pa shpifje. Me germën “M” fillojnë shumë emra, kështu që çdonjëri mund të zgjedhë me lehtësi fjalët: Ministër, Mjeshtër, Maskara, Mashtrues, Mafioz, Militant, Mediokër, Madhëri, Magjar, Majmun, Marifetçi, Mbeturinë, Mburravec, Megalloman, Merakli, Monstër, Mujshar etë tjera që mund të gjeni, plot përshtatshmëri në Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Ja dhe unë tani po ju drejtohem i pari me këtë metodë të rekomanduar: I dashur KryeMik! Mos u çudit. Besoj që nuk është surprizë. Të them të drejtën, kur dëgjoj sloganin opozitar “Rama ik!”, stepem një çast, më mpihet dora e sikur nuk vizatoj dot. Edhe unë e shkruaj shpesh në karikaturat e mia, po ç’të bëj? E kuptoj, e besoj dhe bindem që jam në konflikt interesi. Se vërtet në një çast mund t’ju mbushet mendja e ashtu, për të bërë surprizë e për të luajtur blofin, ju jepni dorëheqjen. Të ikni?! Meazallah! Po karikaturat e mia? Arti im do të varfërohet. Arti i humorit e i satirës ka vlerë me persona të veçantë, me reputacion, me prestigj. E pas ikjes suaj ku të gjej tjetër kryeministër me xhaketë me shkronja, me kostum të zi e me atlete të bardha, me çitjane e pantallona treçerekëshe? Askund! Variacione të papara më parë. Fantazi e shfrenuar. Asnjë karikaturist në botë nuk ka vizatuar me fantazinë e tij Kryeministra të tillë. Unë jam i pari. Dhe i vetmi. Kjo, në sajën tuaj. Është merita juaj. Faleminderit! Dijeni mirë, se pasuri më të madhe sesa shtëpia në Surrel keni koleksionin e karikaturave të mia që i takojnë vetëm një qeveritari perëndimor. Është jeta juaj. Veprat tuaja. Është dhe arti im. Këto ditë del nga shtypi albumi me ngjyra, me dyqind karikatura, me titull “Tre kamberë në një derë”. Krijimtari njëzetvjeçare me tre kryetarëbashkie, Rama, Basha, Veliaj.

Së fundi, për ta mbyllur, një porosi që ua them shpesh miqve të mi të moshuar: Mos u grindni, mos i mbani mëri njëri-tjetrit, se nuk kemi kohë të pajtohemi!

Mirëmbetsh, KryeMinistër!

Kur do të flasim? /Mapo.al