Cili drejtues do t’i shpëtojë “mallkimit” të Kadastrës Durrës?!

26/10/2019 - 17:25

Operacioni policor “Rodoni” çoi pas hekurave ditën e premte 3 ish-drejtorë të Kadastrës Durrës. Së bashku me arrestimin e ish-drejtorit Liridon Pula më 1 tetor, shkon në 4 numri i ish-drejtorëve që kanë përfunduar në pranga, pavarësisht se Gjykata e Apelit la ndaj Pulës pak ditë më parë detyrim paraqitje. 4 drejtorë dhe ish-drejtorë pas hekurave në më pak se një muaj duket si një “mallkim” ndaj drejtuesve më të lartë të institucionit që administron pronat e durrsakëve.

Dhe si për ironi të fatit, të gjithë drejtuesit e Hipotekës së Durrësit në 6 vitet e fundit kanë vuajtur nga ky “mallkim”!

Ish-drejtori Jurgis Çyrbja do të jepte dorëheqjen nga ky post për të marrë mandatin e deputetit, por kusuret për të do të nisnin pak më vonë dhe do të lidheshin pikërisht me qëndrimin e tij në krye të ZRPP Durrës. Krahas presionit “të të fortëve” gjatë kohës që mbante postin e drejtorit, problemet për Çyrbjen nisën në gjyqin e Emiljano Shullazit dhe nga akuzat e opozitës, që e cilësonin si anëtar të bandës së tij.

Edhe drejtori që do ta pasonte nuk do të ishte më fatlum. Gjatë kohës kur ushtronte detyrën, ish-drejtori Ani Dyrmishi do të bëhej pjesë e “listës së zezë”, 100 emrat e të cilës u publikuan nga kryeministri Edi Rama, në 12 korrik 2017. Gjithsesi, Dyrmishi nuk do të shkarkohej për këtë shkak nga ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi, por sepse u shfaq në një takim elektoral të kandidates së atëhershme për deputete Milva Ekonomi. Më pas, emri i Dyrmishit do të lakohej në përgjimet nga dosja 339, të publikuara nga gazeta gjermane Bild. Për këto, Dyrmishi është thirrur për të dëshmuar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndaj Dyrmishit janë regjistruar edhe dy atentate, një me eksploziv poshtë makinës së tij dhe një tjetër pak javë më parë, kur mbi makinën që figuronte në pronësi të shoferit të tij, por e përdorur edhe nga Dyrmishi u qëllua me pistoletë.

Drejtori që do të pasonte Dyrmishin në post do të ishte një nga më jetëshkurtrit në detyrë. Adrian Kona, që ka mbajtur për një kohë të gjatë postin e nëndrejtorit të Hipotekës, do ta merrte postin pas shkarkimit të paraardhësit të tij, por më pas do të detyrohej nga kryeministri Rama, së bashku me homologë të tjerë nga rrethet, të jepte dorëheqje kolektive në fund të korrikut 2017. Ditën e premte përfundoi pas hekurave në kuadër të operacionit policor “Rodoni” që prangosi ish-drejtorë dhe zyrtarë të Kadastrës.

Etleva Nova do të komandohej për pak muaj në postin e kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme Durrës, deri në zhvillimin e konkursit për zëvendësimin e drejtorëve që i detyruan të jepnin në mënyrë kolektive dorëheqjen. Ajo do të qëndronte në këtë post deri në fillim të janarit 2018. Nova ishte mes të arrestuarve të operacionit policor “Rodoni”.

Në janar 2018, në krye të Hipotekës Durrës u emërua Ardjan Iljazaj, i shpallur fitues nga konkursi i zhvilluar nga Ministria e Drejtësisë. Shkarkimi i Iljazajt do të bëhej nga vetë kryeministri Rama, një vit pasi drejtori i Hipotekës kishte nisur detyrën. Shkak u bë një emision investigativ, që shfaqi videon e një qytetari që sorrollatej nëpër zyrat e ZRPP-së Durrës dhe të cilit Iljazaj i tha: Shko të ta zgjidhë problemin Rama! Kaq do të mjaftonte që drejtori të cilësohej halabak nga kryeministri dhe të shkarkohej menjëherë. Edhe Iljazaj ishte mes ish-drejtuesve të Hipotekës që përfunduan pas hekurave në kuadër të operacionit “Rodoni”. Si për ironi të fatit në pranga përfundoi edhe qytetari që një vit e ca më parë e denoncoi dhe u bë shkaktar i shkarkimit të tij!

Pas shkarkimit të bujshëm të Iljazajt në krye të ZRPP-së Durrës do të caktohej Florian Alimadhi. Ai, së bashku me një ekip prej 12 punonjësish nga Tirana, zëvendësoi punonjësit e larguar nga puna në Hipotekën e Durrësit, pas valës së kontrolleve të ushtruara nga Ministria e Drejtësisë në këtë institucion. “Mallkimit” nga i cili shpëtoi në Durrës, Alimadhi nuk do t’i shpëtonte në Kadastrën e Vlorës, pasi pak javë më parë u shkarkua nga posti i drejtorit që mbante nga muaji maj i këtij viti.

Me krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (bashkim i ZRPP-së dhe ALUIZNI-t), në maj të këtij viti do të emerohej në krye të ASHK Durrës, Liridon Pula. Pula u arrestua më 1 tetor të këtij viti, pas akuzave të ngritura ndaj tij nga prokurori Arjan Ndoja. Arrestimi i Pulës do të përdorej nga kryeministri Rama për të denoncuar prokurorin, që sipas tij i shërbente një grupi kriminal. Në gjyqin e Pulës në Gjykatën e Durrësit ishte i pranishëm edhe zv/kryeministri Erjon Braçe, gjë që do të cilësohej nga mediet dhe opozita presion ndaj gjyqësorit. Pula fitoi lirinë nga Gjykata e Apelit pak ditë më parë dhe u la në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

“A do të vazhdojë të "presë më koka" ky institucion mjaft i rëndësishëm në Durrës?!”,- shkruaja më 1 tetor, ditën e arrestimit të ish-drejtorit Pula. Tani, pas arrestimit brenda një dite të 3 ish-drejtorëve mbetet vetëm për të thënë:

Kush drejtues do t’i shpëtojë “mallkimit” të Kadastrës Durrës?! 

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një djalë i ri humbi jetën pasditen e djeshme.

Nga Mentor Kikia

Nuk i duroj më këta karagjozë që paguhen si deputetë me paratë e mia!

Dita e sotme mund të quhet fare mirë dita e dorëheqjeve në Durrës.

Nga Fatbardha Kadiu

"Mimoza llastica luan vetëm"

Pas fjalimit të deputetes Majlinda Halilaj që u bë viral ditët e fundit, shumë kolazhe të tjera të publikuara në media risollën edhe njëh

Largimi i Vangjush Dakos nga bashkia e Durrësit ka nxjerrë në pah gjatë muajve të fundit gjithë kundërshtitë e akumuluara mes socialistëv