Në Konferencën e Pranverës të Institutit Vjenez për Studimet e Ekonomisë Botërore që filloi këtë të enjte do të diskutohen ndryshimet demografike në vendet e Europës Lindore e Juglindore dhe pasojat e emigrimit masiv për tregun e punës. Fenomeni i largimit të fuqisë punëtore prek edhe Shqipërinë, Kosovën e rajonin. Ekspertja e këtij instituti, Isilda Mara flet për pasojat e emigrimit për Shqipërinë në një intervistë për “Deutsche Welle”.

“Po, edhe për Shqipërinë është problem. Gjatë dekadës së fundit, 2011-2017, Shqipëria ka pasur mesatarisht një rritje natyrore të popullsisë me një plus rreth 4.2% dhe një normë mesatare të emigracionit neto (diferenca midis atyre që emigrojnë ose largohen nga vendi dhe atyre që imigrojnë në Shqipëri) me një minus 6%, pra duke rezultuar në një reduktim të popullsisë me 1.8%. Gjatë 4 viteve të fundit shtesa natyrore e popullsisë është përgjysmuar. Sigurisht rënia e fertilitetit në nivelin 1.7 ( nr i lindjeve për grua) është një faktor që shpjegon rënien. Megjithatë tashmë jo vetëm faktori emigracion, por edhe shtesa natyrore e popullsisë po ndikojnë njëkohësisht në rënien dhe plakjen e popullsisë” – thotë Mara.

“Gjendja është dramatike në sensin se jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Europës Lindore tashmë kanë humbur një pjesë të mirë të forcës punëtore dhe aktive dhe nuk e kanë më atë bonus apo divident demografik që kanë pasur të paktën tre dekada më parë. Këto vende, përfshi edhe Shqipërinë, për më tepër kanë humbur jo vetëm të rinj, por edhe më të kualifikuarit. Me një normë fertiliteti që ka konverguar në nivelin e 1.57 – krahasuar ajo e vendeve të Europës Perendimore – EU-1.5 – është e vështirë të imagjinosh sesi këto vende mund të rikuperojnë apo gjejnë një zgjidhje afatshkurtër, por edhe afatgjatë për të përmbysur trendin negativ të rritjes së popullsisë” – thotë Mara.

“Nëse do të merrja parasysh Shqipërinë shumë e rëndësishme që të zbutet emigracioni, kjo duke afruar perspektiva më të mira për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri. Faktor tjetër që duhet të merret në konsideratë është edhe diaspora – përfshirja e saj më aktive për thithjen e investimeve dhe knoë-how, kjo duhet parë me përparësi dhe në këtë drejtim duhen ndërmarrë hapa. Gjithashtu remitancat – aspekti pozitiv i emigracionit të lartë – nuk duhet thjesht të shkojnë për konsum por të kanalizohen në investime dhe gjenerim vendesh pune” – thotë ekspertja.

Isilda Mara është eksperte e Institutit Vjenez për Studimet e Ekonomisë Botërore, WIIW me fokus Shqipërinë dhe Kosovën. Ajo mban titullin doktore e shkencave ekonomike nga Universiteti i Torinos, Itali. /DW