A do të emërohet drejtor në Durrës, Laert Vasili?

08/09/2019 - 19:34

Aktori dhe regjisori i njohur Laert Vasili po përflitet si emri që mund të emërohet drejtor i Pallatit të Kulturës në Durrës, në vend të drejtorit aktual Eljo Bajramaj.

Vasili ka zhvilluar ndërkohë një takim edhe me kryebashkiaken Valbona Sako.

Për Vasilin, skena e teatrit të Durrësit nuk është e panjohur, pasi ai ka vënë këtu në skenë dy vepra të njohura “Elektra” dhe “Kush e solli Doruntinën”.

Por emërimi i Vasilit në Durrës, gjithnjë nëse do të ndodhë, vjen më shumë si një favor që Rama i bën atij për qëndrimin ekstremisht pro kryeministrit në të gjitha daljet e tij televizive.

Kohët e fundit, Vasili është shfaqur në studio televizive edhe në rolin e komentuesit, duke u bërë shpesh protagonist i lajmeve në media e portale për sherret verbale me panelistët e tjerë.

Në kërkimet në Google për Vasilin, të dalin me dhjetëra lajme për debate të ashpra me tone të larta të tij me studentë, aktorë, gazetarë, ish-deputetë, të cilët kanë të përbashkët kundërshtinë e tyre me kryeministrin për politika që kanë të bëjnë me universitetin, Teatrin Kombëtar, aksionin opozitar etj..

Kur u shpallën kandidaturat e PS-së për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, në rrjete sociale bënë xhiro meme që ironizonin zhgënjimin e Vasilit, kur nuk e pa emrin e tij si kandidat për kryebashkiak, për më tepër që një tjetër koleg i tij u kandidua dhe tashmë është kryetar bashkie i zgjedhur në votimet ku nuk kishte përballë asnjë rival. 

Pa dashur të vëmë në diskutim aftësisë profesionale të Vasilit, madje dhe aftësinë e tij si zhurmues nëpër studio televizive, Durrësi është një qytet që ka nxjerrë emra mjaft të njohur jo vetëm në teatër, por edhe në fushat e tjera të artit.

Nëse institucionet përgjegjëse vlerësojnë se drejtori aktual nuk është në lartësinë e detyrës apo duhet një frymë e re për të rigjallëruar jetën artistike në qytetin bregdetar, le të zgjedhin një figurë të njohur të artit në Durrës.

Katapultimi i një delvinjoti në krye të një institucioni mjaft të rëndësishëm, vetëm për t’i bërë një favor për aftësitë teatrale të shfaqura në debatet televizive dhe servilosjen ndaj politikave të Ramës, nuk do t’i bënte nder Këshillit të ri Bashkiak të Durrësit (vetëm përmes votimit të anëtarëve të Këshillit mund të emërohet Vasili në postin që aspiron). 

Për emërime të tilla zakonisht këshilltarët votojnë në bazë të vullnetit politik që u imponohet dhe në një kohë kur PS e dominon totalisht parlamentin e qytetit, nëse Rama do të dojë, sigurisht që Laert Vasili do të emërohet në Durrës.

Fundja, nuk është i pari as i fundit drejtor që zbarkon nga kryeqyteti për të dhënë kontributin e “vyer” në drejtimin e institucioneve të rëndësishme në qytetin tonë!

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: