Duhet një politikë që jep shpresë e jo që thith gjakun e një populli

07/01/2021 - 18:47

Nga Dr. Bledar Kurti

Pensionistët shqiptarë nuk arrinë dot të paguajnë faturat e ujit, dritave dhe ilaçet; familjet shqiptare nuk munden të mbyllin fundin e muajit pasi jetojnë me të ardhura të mjerueshme; rinia e papunë dhe e pashpresë mendon vetëm si të largohet nga ky vend; shtresa e mesme është asgjesuar dhe sipërmarrësit e ndershëm janë të zhytur në borxhe dhe kredi. Si mundet politika t’a bëjë gjumin e qetë dhe të jetë indiferente ndaj tragjedisë së një populli? Dhe më e keqja, si mundet të krekoset dhe fodulloset duke përfituar me babëzi nga ky mjerim i popullit të vet?

Kontrabandistë, trafikantë, injorantë, njerëz bosh me dëshirën për t’u ndierë të rëndësishëm ulen në Parlament e aprovojnë ligje që rëndojnë edhe më shumë mbi popullin e varfër. Mendojnë e rrinë pa gjumë duke hartuar plane vetëm se si mund të pasurohen dhe përfitojnë nga pushteti, dhe mjerimi i njerëzve të thjeshtë, nevojat që ka vendi, janë jashtë çdo radari të tyre mendimi apo imagjinate.

Politika si mjet dhe jo si qëllim është filozofia e tyre. Si mjet për t’u dhjamosur apo për të plotësuar egon e sëmurë, dhe jo si qëllim për të ndryshuar historinë e një vendi dhe të ardhmen e një populli.

Gara e tyre është se cili thith më shumë gjak nga populli ndërkohë që duhet të jetë një betejë idesh dhe vizioni për të rritur mirëqenien e shqiptarëve të cilët kurrë në historinë e tyre nuk kanë qenë asnjëherë as të pasur, as të lirë, e as në vëmendjen e qeverisjes.

Me zero keqardhje për shqiptarët, frymëzimin e kanë marrë nga këshillat e Makiavelit, babait të metodave të udhëheqjes diktatoriale, se “është më mirë që një popull të të ketë frikë.” Ndaj edhe kanë injektuar papushim frikë tek njerëzit e thjeshtë, duke e detyruar popullin përmes varfërisë të ulë kokën e të përhumbet në hallet e veta. Kjo për ata që dinë të lexojnë, sepse pjesa e madhe janë thjesht injorantë e qenie bosh që ndjekin metoda provinciale tribale apo kopiojnë shembullin e shefave të tyre.

Po për popullin e thjeshtë kush do mendojë? A ka mision më të madh dhe më finsik se të ndryshosh jetën e popullit tënd, bashkëatdhetarëve të tu, gjakut tënd? Historia e njerëzimit na tregon se nuk ka mision më të lartë se sa ky.

Në një situatë kaq të mjerueshme që ndodhet Shqipëria, mundësia për të bërë histori është kaq e madhe për këdo në qeverisje, politikë apo që aspiron të përfshihet në të. Përse nuk shfrytëzohet kjo ditë për të patur një politikë që jep shpresë dhe jo që thith gjakun e shqiptarëve? Shërbejuni njerëzve të thjeshtë dhe historia do ju lartësojë. Zhvatini shqiptarët dhe historia do ju mallkojë.

“Qeveria shërben për të mirën e përbashkët; për mbrojtjen, sigurinë, begatinë dhe lumturinë e njerëzve; dhe jo për përfitim, nderimin ose interesin privat të ndonjë njeriu, një familje ose një grupi njerëzish,” ka thënë John Adams, një prej etërve amerikanë. Dhe njerëz të tillë në mbarë botën kanë mbetur në histori, ndërsa kusarët e vegjël pa integritet gjenden e do vazhdojnë të hidhen në koshin e plehrave të kombeve.

Shqipëria ka sot më shumë se kurrë për shpresë. Ka shumë nevojë për njerëz që i japin vendit dhe njerëzve. Ka nevojë për ide, vizion dhe vullnet që vendi ynë mund të bëhet, që shqiptarët mund të jetojnë të lirë dhe në begati, të ndihen evropianë me mendje dhe zemër, me kushte dhe mundësi për të ndërtuar një të ardhme siç ata e meritojnë.

25 prilli është një shans i artë për katarsis. Një shans i afërt për një politikë të re me integritet dhe vullnet për ta bërë Shqipërinë vërtetë si gjithë Europa.   

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori