Nga Vladimir Shyti

Gjatë gjithë jetës aktori i skenës dhe i filmit Gulielm Radoja ruajti mall për vendlindjen e tij Shkodrën, por qyteti që i dha vlerat njerëzore e artistike, Durrësin kurrë nuk e braktisi. Qysh herët në mëngjez ai përshkonte me biçikletë dhe herë në këmbë qytetin bregdetar. Rrëzë kodrave e bregut të Curriave tek-tuk ai shëtiste nën korin emocional të pulëbardhave, që fluturonin shumë pranë tij. Përshkonte vijën bregdetare, të mbuluar nga drita e ngrohtë e mëngjezit. Dallgët që përplaseshin me shkumëzim dhe deti me një hapësirë të pafund dukej sikur pëshpëritnin me të dhe me qiellin e mëndafshtë.

Në një nga mëngjezet si këto, u takuam rastësisht me Gulielmin pranë një lokali tek brryli,ku të çon në plazhin e Currilave. Po çelte një ditë plot diell. U ulëm jashtë në bar-kafe, ku plloçat dhe tryezat rrumbullake vezullonin nën qiellin e kaltër dhe nga pas dëgjoheshin lehtë dallgët që përlesheshin me leshterikët. Mbasi pimë kafet, i fola për dramën qe sapo e kisha mbaruar së shkruari. U tregua i gatshëm të më ndihmonte në redaktim dhe në ndonjë gabim që ai mund të haste gjatë leximit dhe më la ditën, orën dhe vendin se ku do të takoheshim, për të sjellë materialin artistik.

Forca shpirtërore e zotit Radoja, sekreti për të ruajtur veten krejtësisht të papërlyer, dëshira për t’u dhënë me gjithë shpirt vetëm pas asaj që përfshin gjithçka në jetë, sidomos jetën artistike. Një aktor, i zgjedhuri, t’u dhurojë të tjerëve gjithçka që mund të japë nga vetja. Nuk dëshironte realitetin “që shkatërron”, por synoi përjetësisht botën e paqtë e të papërlyer. Këto veti ai i shprehte qartë edhe në rolet skenike dhe kinematografike,si në personazhet pozitive ashtu edhe ato negative.

Abonenë e trenit, e cila ndonjëherë dhe e hidhëronte e mbante gjithnjë me vete. Treni dhe biçikleta ishin mjetet e tij për të udhëtuar drejt Tiranës, ku zhvillonte jetën e atij artistike. Mbrëmjeve kur kthehej, ai shihte dritat e qytetit si veshukë të argjendë, që mbushnin kodrinat e plazhet përreth dhe shkriheshin me mjegullën, që ngrihej nga deti në ajër. Ndihej plot jetë dhe i kënaqur me modestinë që e karakterizonte dhe bëhej njësh me qytetin e tij. Personazhi në jetën e përditshme nuk e njeh shprehjen e tërthortë organike, por flak tutje, sa më larg vetes, atë luftë të brendshme për t’u çliruar nga nevojat e tepërta që e mbajnë njeriun në shtërngesë të vazhdueshme. Thjeshtësia midis njerzëve shkonte përballueshëm tek ata; vetëm ajo mund t’u jepte formë konkrete kundërshtive të tij, për dhimbjet e natyrshme të aspekteve jetësore.

Gulielmi pikëllohej kur shihte artin të zvarritej si një shumkëmbësh, që nuk dihej se ku shkonte. Përndizej dhe vinte në lëvizje avujt e shpirtit, ku dhe hynte në elementin jo natyror, të kundërvënieve. Këtë gjë e vura re më qartë, kur mësoi për fatin e keq të dramës, pasi e kishte lexuar e korigjuar pjesërisht.

“Ne durrsakët gatuajmë më shumë për të tjerët…”, shpërtheu ndjesi me një forcë të madhe emocionale dhe dukej krejt i padjallëzuar. E ç’tjetër nuk i kishte hije aktorit të madh, ku dhe përballë vdekjes e kërkonin në skenën e artit. Ai u largua nga ne me entuziasmin më të lartë; shpirti tij vërshoi e do të ngjitet në skenat hyjnore. Këtu la velin e tij të mëndafshtë, që do të shfaqet herë pas here në brigjet e Adriatikut dhe në këtë tokë që ai e dashuronte.