Që nga ditët e fundit të vitit të kaluar, më saktësisht data 27 dhjetor, në grupin në Whatsapp ku policia e Durrësit shpërndan njoftimet zyrtare për ngjarjet, arrestimet, procedimet penale apo aksidentet me vdekje të ndodhura në rang qarku, nuk është dërguar asnjë informacion për gazetarët.

Policia e Durrësit na sqaroi sot zyrtarisht se “grupi është aktiv, por nuk kemi pasur asnjë njoftim për të kaluar këto ditë”.

Gjatë 11 ditëve të para të vitit 2019, në Durrës kanë ndodhur dy ngjarje që kanë marrë vëmendjen dhe janë pasqyruar në mediet lokale dhe kombëtare; arrestimi i shoferit të një kamioni me 4 kg heroinë në portin e Durrësit dhe djegia e një automjeti tip Benz, në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar.

E pyetur për këto dy ngjarje, policia sërish zyrtarisht bëri të ditur se “nuk është dhënë njoftim për shkak të hetimeve që zhvillohen”. Meqënëse për këto ngjarje po kryhen hetimet kaq ‘sekrete’ sa policia detyrohet të mos japë as informacionin paraprak për ngjarjen, drejtuesit e policisë së Durrësit do bënin mirë të sqaronin për mediet se pse në rastet e ngjashme është shpërndarë informacion paraprak, ndërkohë që tashmë policia kalon në heshtje totale.

Në Durrës, rastet e kapjes së sasive të ndryshme të drogës, sidomos në port, kanë qenë të shumta, po ashtu edhe numri i automjeteve të djegura qëllimisht apo për shkak të ndonjë difekti dhe në secilin prej këtyre rasteve policia ka dhënë versionin e saj mbi ngjarjen.

Policia nuk ka dhënë detaje më të hollësishme për mediet lidhur me të dyshuarit apo personat që mund të mbahen nën vëzhgim sepse mund të kenë lidhje me vepra të ndryshme kriminale për të cilat uniformat blu janë duke hetuar (dhe këtë gazetarët e kanë respektuar, pasi ka të bëjë me sekretin hetimor), por deri më tani, asnjëherë më parë, policia s’ishte treguar kaq hermetike dhe me mungesë të theksuar transparence.

Policia e Durrësit që nxitonte të hartonte një reagim dhe t’ia dërgonte medias për publikim për një lajm lidhur me një denoncim për dy gjoba të vendosura nga rrugorët, konsideron të parëndësishëm për ta ndarë me mediet si informacion paraprak kapjen e 4 kg heroine apo djegien e një automjeti. Për të mos folur për ngjarje të tjera që mund të kenë ndodhur në Durrës, Krujë apo Shijak e për të cilat mediet dhe opinioni publik nuk dinë asnjë, sepse policia ka ‘kyçur gojën’.

Gjithsesi, duket se problemi nuk qëndron tek policia e Durrësit, por tek qasja që Policia e Shtetit po ka tashmë me mediet. Dy ditë më parë, DurrësLajm publikoi një lajm ku denonconte heshtjen totale të Policisë së Shtetit përsa i përket raportimit ditor të arrestimeve dhe procedimeve penale në shkallë vendi, në dy ditët e para të kësaj jave. Nga e mërkura e në vazhdim, Policia e Shtetit ka nxjerrë raportin ditor të punës së saj, duke bërë një rezyme të arrestimeve, procedimeve, aksidenteve, kërkesave për pajisje me urdhër mbrojtjeje, vjedhjeve etj. por pa specifikuar aspak inicialet e të arrestuarve, ndaluarve apo proceduarve penalisht, moshën dhe vendbanimin e tyre, komisariatin e zonës ku ka ndodhur ngjarja, akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit, ndaluarit a të proceduarit penalisht.

Ka 5, 8, 10 persona, më pak apo më shumë të arrestuar në ditë, por akuza apo akuzat që rëndojnë mbi ata i di vetëm policia, mediet nuk duhet të dinë asgjë. Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit vazhdon të jetë Ardi Veliu, pra nuk ka ndryshuar drejtori që të ndryshojë dhe qasja e policisë me mediet. Kjo gjë të shtyn të mendosh se ndoshta pas kësaj mbylljeje të policisë për shpërndarjen e informacionit qëndron ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj. Kur policia drejtohej nga Tahiri apo pasardhësi i tij Xhafaj, raporti ditor i policisë publikohej çdo ditë dhe me transparencë, pavarësisht ndonjë denoncimi tek-tuk për fshehje të ngjarjeve.

Me këtë qasje të re të policisë së Lleshajt, logjika të çon të mendosh se mediet do të informohen vetëm për arrestimet që i interesojnë ministrit apo drejtuesve të uniformave blu, ngjarje të ndryshme si dhuna në familje, kanosjet, përdhunimet, plagosjet, sherret, konfliktet e pronësisë etj do t’i fshihen vëmendjes së opinionit publik, sepse nuk do të denoncohen autorët e tyre. Madje, në rastin më të keq, mund të krijohen precedentë që të arrestuar apo të ndaluar të ndryshëm të lirohen menjëherë apo pak pas ngjarjes, pasi mediet nuk do të kenë më akses për t’u njohur me akuzat që rëndojnë mbi ata dhe as për t’i denoncuar si raste.

Në momentin e publikimit të njoftimit të dorëheqjes së ministrit Xhafaj dhe zëvendësimit të tij nga ministri i ri Lleshaj, kryeministri Rama tha se Sandër Lleshaj do të vazhdonte me një impuls më shumë punën e nisur nga ministri që u largua nga posti fill pas disa arrestimeve të bujshme. Pas ndaljes së arrestimeve, (Xhafaj kishte paralajmëruar edhe të tjera pak ditë para dorëheqjes së tij), ndalimi i informimit të medieve për ngjarjet, arrestimet, procedimet etj mund të jetë një tjetër ‘arritje’ e ministrit të ri Sandër Lleshaj.

M.B.