Për Indritin, që se lanë të kthehej i gjallë në shtëpi...

23/08/2019 - 20:03

Indrit Çelaj u nis mëngjesin e së enjtes si çdo ditë tjetër për të shkuar në punë. Kur kaloi pragun e derës nuk e mendoi se kjo ishte hera e fundit që e kalonte i gjallë. Sot u rikthye sërish në shtëpinë e tij, por fatkeqësisht në arkivol.

Shkoi për të fituar bukën e gojës me punën modeste me të cilën mbante familjen e tij, përfundoi i vrarë nga një plumb në kokë, i qëlluar nga dy vëllezërit Kusi, Griseldo dhe Albanoqë vendin duket se duhet ta kishin pas hekurave, pasi rezultonin me disa precedentë penalë.

Babai i tij, Baftjar Çela, me dhimbjen e çdo prindi që do të humbte dritën e syve, ndihej i pafuqishëm jo vetëm sepse humbi djalin e vet, por sepse në mendjen e tij ai druhet se nuk do të gjejë drejtësi. Sa prindër të tjerë si Baftjari e kanë provuar të njëjtën situatë; pafuqinë e tyre para drejtësisë së korruptuar që nuk çon pas hekurave kriminelët, por i lë të marrin jetë të pafajshme.

Askush nuk do t’ia rikthejë Baftjarit djalin që i humbi pa nisur jetën ende, por askush në këtë shtet “të fortësh” nuk i garanton se autorët do të marrin dënimin maksimal. Pas vrasjes, aspak të tronditur, vëllezërit Kusi kishin qenë aq mendje kthjellët saqë i kishin kërkuar një shokut të tyre të merrte përsipër vrasjen! Tentativa e rradhës për t’ia hedhur drejtësisë, ashtu siç kishin bërë herët e kaluara…

Pasditen e sotme, nëpër media nisi të qarkullojë lajmi se Inspektoriati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit ka nisur verifikimet për ligjshmërinë e ndërtimit të vilës 3 katëshe të familjes Kusi, ku u vra Indriti, që kishte shkuar të rregullonte kondicionerin.

“Zyrtarët e IKMT-së dyshojnë se pronari i saj Bujar Kusi ka shkelur lejen e dhënë nga Bashkia e Tiranës. Ndërkohë për familjen e Griseldo dhe Albano Kusit kanë nisur hetime për pastrim të parave”,- thuhet në njoftim.

Nuk di pse rasti më sjell ndërmend atë të Porto Palermos, të pak ditëve më parë. Për rreth dy orë, të gjitha televizionet transmetonin matrapikun që prishte lokalin e Mihal Kokëdhimës, Van-Damit shqiptar. Nuk është çudi që pas disa ditësh, shteti të derdhet në vilën e Kusëve për të shembur shtesën pa leje që familja ka bërë. Nuk është çudi as që prona të sekuestrohet, nëse vërtetohet se vila është ndërtuar me para të pista. Në këto raste, shteti të prish edhe nëse je me leje, si për të treguar “forcën” ndaj “të fortëve”. Është shtet i fortë që ndëshkon të fortët që i ka lejuar po vetë të “lulëzojnë”.

Por pyetja që lind është ku ishte ky shtet kur kjo vilë po zgjerohej në mes të kryeqytetit? Nëse inspektorët zbarkojnë për të ndalur një mur a rrethim që ngrihet në një zonë periferike nga një fshatar i thjeshtë, pa lidhje me shtetin, si nuk u bie në sy një shtesë abuzive në mes të Tiranës.

Duhej të vritej Indriti që shteti të ndërgjegjësohej se para syve të tij po ngrihej një shkelje? Duhej të vritej Indriti që vëllezërit Kusi të paktën njëherë të vetme të dënohen nga drejtësia për veprën për të cilën akuzohen?

Edhe kur shkon për të fituar bukën e gojës në mënyrë të ndershme nuk të lënë. Ta marrin jetën, sepse për ta ti nuk je veçse një i mjerë, që mundohesh të mbijetosh me ndershmëri.

Që prindërve të tjerë të mos u përmbyten sytë me lot nga dora e të fortëve, drejtësia duhet të nisë të funksionojë e ndëshkojë, shteti duhet të godasë paligjshmërinë pikërisht tek ata që ndihen të gjithpushtetshëm. Reagimi vetëm pasi kryhet krimi nuk i shpëton të pafajshmit.

Pak muaj më parë, i pyetur për të fortët e kriminelët kryeministri Rama do të deklaronte: Hëngshin kokat e njëri-tjetrit!

Duke pritur të hanë kokat e njëri-tjetrit, po hanë kokat e të pafajshmëve…

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një djalë i ri humbi jetën pasditen e djeshme.

Nga Mentor Kikia

Nuk i duroj më këta karagjozë që paguhen si deputetë me paratë e mia!

Dita e sotme mund të quhet fare mirë dita e dorëheqjeve në Durrës.

Nga Fatbardha Kadiu

"Mimoza llastica luan vetëm"

Pas fjalimit të deputetes Majlinda Halilaj që u bë viral ditët e fundit, shumë kolazhe të tjera të publikuara në media risollën edhe njëh

Largimi i Vangjush Dakos nga bashkia e Durrësit ka nxjerrë në pah gjatë muajve të fundit gjithë kundërshtitë e akumuluara mes socialistëv