Ku e sheh ministrja Nikolli suksesin në arsim?

02/08/2014 - 23:05

Nga Xhevahir Gradica

Durres 2 Gusht 2014 - Nuk e di pse, por mendova se kryeministri Rama do e anashkalonte analizën e 300 ditëve të qeverisjes në sektorin e arsimit. Bindjen ma shtoi fakti se është i vetmi sektor që veç llafollogjive, nuk kishte mundur të bënte qoftë edhe një gjë të vetme sado të vogël në shërbim të rimëkëmbjes së arsimit në këto 300 ditë. Pastaj kjo analiza e 100 ditëve, e 300 ditëve, u bë bozë, me shifra të fryra, me auditore, ku pjesmarrësit veçse hapin gojën nga mërzia e gjumi, nuk japin e as nuk marrin gjë tjetër. Por nuk qe e thënë.

Rama duket se ka këshilltarë të tipit Maqo që në kohën e Berishës ( jo shumë larg, një e dy vite më parë) kanë rrjepur nxënësit e vobektë duke u shitur tekstin e Anglishtes 30 dollarë, duke i detyruar të blejnë kompjuter në shtëpi, të paguajnë internetin muaj për muaj, ndryshe detyrat dhe mësimi nuk bëheshin. Analiza, në i thënçin analizë e këtyre 300 ditëve të shkuara, u bë. Ministrja foli e foli, tha ca shifra, përmendi diçka lidhur me kurrikulën, maturën shtetërore, meritokracinë, transparencën, programin e BE për arsimin. E pata të vështirë të kuptoj thelbin e fjalës së ministres ndaj të nesërmen hapa faqen e MAS në interent dhe lexova me kujdes atë që ishte thënë për 300-ditëshin e arsimit nga Nikolli. E kam shkruar edhe herë të tjera, por meqë ministrja përsërit të njëjtat gjëra gjithandej, edhe unë po ndjek të njëjtën linjë duke sistemuar atë që kam shkruar prej disa vitesh për gjendjen në të cilën është katandisur arsimi.

Së pari ministrja Nikolli ndihet krenare se e ka depolitizuar arsimin. Janë jo njëqind, por njëmijë fakte që e rrëzojnë këtë pohim. Edhe vet ministrja e di mirë që ka thënë një të pavërtetë ashtu siç tha të pavërtetën (për të mos thënë gënjështrën) e madhe që krerët e drejtorive arsimore në qarqet e Shqipërisë u zgjodhën me konkurse; që drejtorët e shkollave u zgjodhën me konkurse; që vendet e lira të punës u zunë me testimet përmes konkurseve; që… Në këtë drejtim i vetmi ndryshim është makiazhi.  Ata që deshën, qëndruan në karrige. Me teserinë të PD, apo me teserinë të blerë në PS brenda një nate, pak rëndësi ka. Si dje, edhe sot bëjnë “reformën” në emër të shtetit po ata që nuk lanë gjë të pistë pa bërë në kohën e PD. Ministrja të shoh se ç’është bërë në administratën e digasterit të saj; se me ç’kritere janë punësuar në inspektariatet që ajo mbulon. Po të jetë nevoja për shembuj, emra ka plot. Këtu në Durrës në një të mirë janë bërë dhjetë të këqia. 

Këtu në Durrës mësuesen që i shtynte vitet me KEMP duke marrë kështu ngarkesë mësimore si invalide; që nuk hynte fare në mësim; që i bënte karshillëk kolegëve; që u merrte nxënësve 50 mijë lekë për t’u vënë një pesë (kurse private nuk ka bërë kurrë se nuk ka qenë e zonja); që në anketimet me nxënës ka rezultuar më e korruptuara dhe më e përfolura, është bërë drejtoreshë. Ia dha truri të bëhej drejtoreshë, u bë. Edhe në PD, edhe në PS. Po të dojë në karrigen më të mirë në MAS shkon. Ky është një shembull. Pa mbarim të tjera. Ajo dhe shumë si ajo nuk duan t’ia dëgjojnë emrin politikës, janë vet të depolitizuara. Leku, ortakëria, biznesi, flirtet e të tjera fije janë në mes të kontratës së kësaj kategorie.

Së dyti ministrja në 300 ditët e “sukseseve” në arsim kujtoi se shkolla u përket nxënësve, mësuesve, prindërve. E vërtetë për aq kohë sa nuk ka reagim, denoncime, protesta. Ministrja e di shumë mirë se nxënësit detyrohen të blejnë atë libër që u thotë mësuesi dhe ky i fundit atë që urdhëron kreu drejtorisë arsimore. Ministrja e di shumë mirë se fëmijët detyrohet të ndjekin kurse private; të paguajnë mijëra lekë për t’u blerë mësuesve dhuratën e 7 Marsit; të paguajnë lekë për mirëmbajtjen e shkollës (para që shkojnë në xhepat e drejtorëve); të paguajnë biletat e shpërndara me detyrim për koncerte, festivale, filma; të paguajnë për të blerë librat jashtëshkollor që ua japin mësuesit me urdhër të drejtorit… Ajo që po ndodh me trupën mësimore sot është e njëjtë me atë që ndodhte në kohën e Berishës. Nuk guxon të ngre kokë mësuesi se i bëhet e ditur rradha e gjatë e pritësve. Të shtuna e të diela në punë pa pagë. I ndërrojnë bankën ku merret paga pa e pyetur fare dhe nuk nxjerr zë. I thuhet se kreditet duhen blerë me lekë dhe paguan… Të ankohen tek sindikata e shkollës, tek sindikata e Madhe? Tek krerët e këtyre sindikatave që janë vegla e mashë të krerëve të institucioneve!? 

Së treti u tha në atë analizë se sukses më vete është unifikimi kornizës kurrikulare të arsimit parauniversitar me atë të Kosovës. Në 15 vite akoma nuk është bërë e mundur të kemi si komb, së paku Shqipëri-Kosovë, një Abetare të përbashkët. Të tjerat nuk duan koment. 

Së katërti u vlerësua arritje e madhe përmirësimi i teksteve. Jo! Vërtetë janë hequr nga katalogu ose pritet të hiqen 120 tituj librash problematik. Por pas kësaj nuk qëndron gjë tjetër veçse ajo që bëri PD në mandatin e saj, krijoi monopolet për një grusht botuesish të lidhur me kupolën. Ikën ca të PD, erdhën ca të PS. Për arsimin asgjë e mirë. Mësuesve u janë shpërndarë edhe këtë vit një grusht me tekste mësimore. Çdo gjë fiktive. Më i miri mësues ka shfaqur preferenca lidhur me atë që ka parë në kopertinë, apo emrat e autorëve. Kaq. Gënjehet ministrja Nikolli nëse do të mendojë se mësuesit dhe grupet e punës i morën librat, i shfletuan, mbajtën shënime e të tjera. Mashtrim si në kohën e PD. 

Së pesti, së gjashti e me rradhë asgjë e saktë dhe e studiuar për performancën e shkollave; asgjë e saktë dhe e studiuar për maturën shtetërore. Shkollat janë po ato, si dhe më parë. Në Durrës e mesmja “Naim Frashëri” do të grumbullojë në klasën e dhjetë nxënës me mesatare mbi 8 dhe do të degdisë në shkollat e tjera “mistrecët”; e mesme “Olsi Lasko” dë të grumbullojë të mbeturit nga shkollat e tjera. Shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” do të grumbullojë nxënësit më të mirë; shkolla “Adem Reka” pjesën që mbetet. Shkolla private “Rilindja” sërish do të shpallet më e mira; “Talenti” i mesëm e i lartë në  avazin e vet…Mësuesi që ka mik e lekë do të zërë vend të mirë; të tjetër i ndihmoftë fati se meritat, ndershmëria dhe mundi nuk kanë hyrë ndonjëherë në punë në politikën e kuadrit. Në shkolla nuk funksionojnë fare kabinetet, laboratoret, bibliotekat. Drejtorët e shkollave japin VJK, edukatë,vizatim… Saktësisht vetëm se shkruajnë temat. Në kabinetet e informatikës punojnë vetëm dy kompjutera, në të tjerat shih e shkruaj. Për ç’performacnë do të bëhet fjalë? 

Së gjashti ministrja u ndie e lehtësuar teksa tha se është bërë më e mira lidhur me Maturën Shtetërore. Realiteti është tjetër. As në Tiranë nuk është ashtu siç pretendohet. Veç stresit, pritjes së gjatë, burokracisë, telendisjes, ecejakeve, maturantët nuk fituan gjë tjetër. Së fundi, nëse ne do të vijojmë t’i themi të bardhës, të zezë dhe të zezës të bardhë, atje ku na la PD do të mbetemi.

/Gazeta Bulevad/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Largimi i Vangjush Dakos nga bashkia e Durrësit ka nxjerrë në pah gjatë muajve të fundit gjithë kundërshtitë e akumuluara mes socialistëv

Gazetari Klodian Tomorri ka reaguar për skandalin me pedagogun Denis Himcin, i cili i kërkonte studentes favore seksuale kundrejt marrjes

Pas Saimir Tahirit, të cilin po mundohet ta bëjë kokë turku me se s’bën, pas Ditmir Bushatit në Shkodër, Edi Rama duket se i ka vënë shke

Në dukje, pak gjëra mund ta ndajnë komedianin nga karagjozi, por në thelb botët e këtyre të dyve janë shumë larg njëra-tjetrës.

Nga Mentor Kikia

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe te qeta edhe të dhunshme;