Kur do nisë ta menaxhojë siç duhet situatën emergjente bashkia e Durrësit?

08/12/2019 - 13:33

Në ditën e 13-të pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Durrësin, Thumanën, Shijakun etj, duke lënë pas një faturë mjaft të lartë financiare dhe kosto sociale për mijëra familje e biznese të dëmtuara, situata në qytetin bregdetar duke ende mjaft larg menaxhimit efektiv dhe zgjidhjes afatshkurtër të problematikave të ndryshme.

Në Durrës janë me qindra familjet të cilave u janë shpallur shtëpitë apo apartamentet të pabanueshme dhe që prej ditësh sorrollaten zyrave të njësive administrative apo bashkisë me dokumentin e lëshuar nga autoritetet vendore.

Vetëm ditën e shtunë, në ditën e 12-të pas të tërmetit Këshilli Bashkiak miratoi listën me 660 familje që do të përfitojnë bonusin e qirasë. Nuk dihet ende nëse kjo shifër do të jetë e mjaftueshme për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve të prekura, pasi vetëm dje u bënë publike edhe 4 dokumentet që duhet të dorëzojnë qytetarët në bashki për të përfituar bonusin e qirasë.

Edhe vlera sesa do të jetë bonusi i qirasë nuk dihet ende, pasi zv/ministrja e brendshme Rovena Voda ishte mjaft evasive kur deklaroi se “vlera e pagesës së qirasë mujore do të jetë në varësi të madhësisë së familjes, tipit të banesës dhe nivelit të çmimit mesatar në treg”.

Nëse zv/ministrja nuk e din akoma, vlera minimale e një shtëpie apo apartamenti me qira në Durrës është 150 mijë lekë të vjetra në muaj, amdje ta gjesh me mik në këto ditë kur kërkesa për shtëpi me qira ka kapur majat. Me të drejtë, shumë qytetarë të mbetur pa shtëpi, e që tani u shtohet edhe një kosto shtesë në shpenzimet mujore që do të jetë qiraja, duan të dinë saktësisht sesa do të jetë shuma mujore me të cilën do t’i mbështesë bashkia.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka thuajse një javë që e ka miratuar bonusin e qirasë, Këshilli Bashkiak i Lezhës po ashtu miratoi qira të plotë për një vit rresht (me vlerat përkatëse për secilën strukturë apartamenti 1+1, 2+1 apo 3+1), ndërkohë që në Durrës gjërat janë ende në pikën zero. Me qindra qytetarë nuk dinë akoma ku do fusin kokën dhe sa do t'u rëndojë xhepave të tyre të varfër qiraja e banesës. 

Menaxhimi i situatës kritike në Durrës, megjithëse qeveria Rama ka ardhur me shërbim të përforcuar, po nxjerr në pah paaftësinë e strukturave shtetërore për të përballuar me sukses situatën e emergjencës. Sikur të mos mjaftonte situata emergjente në Durrës, vetë bashkia është në gjendje emergjente, pasi funksionon me vetëm 2 nënkryetarë nga 4 që duhet të ketë dhe me drejtoreshën e kabinetit me raport mjekësor.

Madje edhe kryetari i përkohshëm Zhulien Varfaj do të ishte me raport mjekësor deri me datë 7 dhjetor, por dorëheqja e ish-kryebashkiakes Valbona Sako e ngriti në këmbë! Me 3 drejtues të lartë mangut në strukturë, në një kohë kur situata kërkon angazhimin e çdo burimi njerëzor, bashkia e qytetit bregdetar është në situatë kaotike për vete. 

Nga ana tjetër kemi një zv/ministre të brendshme, si Rovena Voda, stafi i së cilës në dy ditë të ndryshme ngatërroi shifrat përsa i përket dëmeve të shkaktuara në Durrës nga tërmeti, ndërsa të premten “harroi” t’i përditësonte ato.

Ndërkohë, në daljet publike me kryeministrin apo në mbledhjet e qeverisë, ministri fuqiplotë Bledi Çuçi raporton njëherë 12 ndërtues dhe njëherë 18 ndërtues që kanë shprehur gatishmërinë për të nisur riparimin e dëmeve në pallatet e ndërtuara prej tyre, por nuk kemi asnjë hap konkret në praktikë që do të çelte dritën jeshile për dhënien e lejeve dhe nisjen e riparimeve.

Për popullin e Durrësit, të dërrmuar e traumatizuar nga tërmeti, menaxhimi i mirë i situatës nga ana e strukturave shtetërore do të thoshte një siguri më shumë për t'i kaluar sa më lehtë pasojat shkatërrimtare të tërmetit. Dhe po flasim vetëm për qytetarët, pasi për bizneset e dëmtuara e të shkatërruara, strukturat shtetërore deri më tani i kanë mbyllur sytë.

Nëse vazhdohet në këtë formë si tani, rimëkëmbja e Durrësit do të jetë shumë, shumë e vështirë.

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori