Nga Leonidha Musai

Lexova një koment nga një koleg gazetar nga Kosova dhe jam ndjerë shumë i ofenduar si qytetar i Durrësit dhe njëkohësisht si koleg i tij. Gazetari Adriatik Kelmendi ka "vjellë vrer" kundrejt prefektit Emiljan Jani, i cili sqaroi në një prononcim për "DurrësLajm" situatën e krijuar me autobusët me pushues nga Kosova.

Adriatik, duke quajtur "tru peshk" kryetarin e Durrësit ke ofenduar mbarë qytetarët durrsakë, sepse ai "tru peshku" siç e quan ti është i pari i qarkut të Durrësit dhe na përfaqëson të gjithëve pa përjashtim. Të tilla fyerje për prefektin e qarkut Durrës mund t'i prisja pa asnjë lloj kompleksi nga ndonjë qytetar apo pushues nga Kosova, por kurrsesi nga një gazetar që duhet t’i zgjedhë fjalët para se t’i nxjerrë nga goja apo t’i shkruajë. Si gazetar që je mund të kishe gjetur epitete të tjera për Prefektin e Durrësit, i cili në rastin konkret nuk po ndikon negativisht, por po thotë një të vërtetë që edhe ti e di.

Për të dalë tek tema: Nuk ka bllokim të autobusëve që vijnë nga Kosova, por thjesht është përcaktuar një vend qëndrimi për këto mjete transporti. Autobusët me pushues nga Kosova dhe autobusët që sjellin turistë të huaj janë dy gjëra të ndryshme.

Autobusët që vijnë nga Kosova ndalojnë vend e pa vend në rrugën "Pavarësia" dhe krijojnë kaos në trafik, ndërsa autobusët që sjellin turistë nga vende të ndryshme të Europës kanë destinacion hotelet përgjatë vijës bregdetare, sepse vijnë të organizuar dhe parkojnë në parkingun e hotelit, pra nuk krijojnë probleme në trafik. Siç e sheh janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

Nëse nuk e di po ta tregoj unë, rruga "Pavarësia" është vetëm 3.5 km e gjatë. Pra është një distancë shumë e shkurtër për t'u përshkuar, qoftë edhe në këmbë. Tani nuk mund të çojmë kosovarët shtëpi më shtëpi (destinacion) me autobus, kjo është e pamundur. Ku ke parë ti Adriatik në botë që autobusi të ndalet, (nëse nuk ka stacion) sa herë që duhet të zbresin pasagjerët?!

Nga Ura e Dajlanit e deri në skajin më të largët të rrugës “Pavarësia” (në Plepa) që përshkon përmes plazhin e Durrësit, taksia kushton vetëm 3 euro dhe nëse marrin urbanin vetëm 30 lekë. Ti thua se po diskriminohen pushuesit kosovarë dhe kjo nuk është aspak e vërtetë.

Pushuesit kosovarë shikohen me përparësi nga autoritetet, të cilat u kanë krijuar mjaft lehtësira dhe infrastruktura të përshtatshme që ata të ndihen komod.

Po të marr vetëm një shembull. Me urdhër të qeverisë shqiptare asnjë mjet me targa të Kosovës nuk duhet të ndalohet në territorin shqiptar, ndërkohë policia neve na ndalon çdo 100 metra. Sa për rracizmin; ti e di mirë historinë, ju kemi pritur e përcjellë si të ishit vëllezërit dhe motrat tona, madje me muaj të tëra kemi ndarë shtëpitë me ju.

Mos u trego mosmirënjohes koleg i dashur dhe kërko falje për çdo fjalë të papërgjegjshme që ke shkruar duke ofenduar prefektin e qarkut tonë, sepse ke ofenduar të gjithë durrsakët. Ne ju konsiderojmë vëllezër, kurse ti na quan tru peshq. Faleminderit vëlla!!!