Tërmeti i mëngjesit të së dielës, ditës kur shumëkush prej nesh preferon të qëndrojë pak më gjatë në krevat, na riktheu dhe njëherë në vëmendje gjithçka kemi kaluar përgjatë këtij viti të vështirë.

Në të njëjtën periudhë, një vit më parë, Durrësi dukej i gjunjëzuar. Rrënoja kudo nëpër qytet, që të kujtonin në çdo hap panikun e përjetuar në të gdhirë të 26 nëntorit. Një vit më pas, Durrësi merr disi frymë më lirisht, megjithëse muajt e gjatë të pandemisë me të vdekurit dhe të infektuarit i kanë lodhur njerëzit. Pavarësisht dekorit të festave, dritave të pemës së vitit të ri, që shumë nxituan ta vinin para datës së caktuar për të sjellë pak shpresë në zymtinë që mbjell ngado Covidi, njerëzit ndihen të tulatur. Çdo ditë dëgjojmë për familjarë, miq apo të njohur të prekur nga koronavirusi. Në ditë të veçanta dhimbja bëhet edhe më e fortë, kur dëgjojmë për të njohur e të panjohur që ndahen nga jeta prej kësaj flame që ka futur në çark gjithë globin.

Vitin e kaluar mendonim për sigurinë e shtëpive tona, këtë vit për shëndetin dhe imunitetin. Ndërsa pritëm plot shpresë se viti i veçantë me dy 20-ta do na largonte makthin e 2019, ky vit na provoi se e keqja po na testonte sërish. Këtë herë jo me fortësinë e tullave dhe mureve të shtëpive, por me fortësinë e imunitetit të organizmit.

Ndërsa biznesi përpëlitet mes një viti mjaft të vështirë të shënjuar nga tërmeti dhe covidi, banorët e mbetur pa shtëpi kalojnë vitin e dytë në çadra e shtëpi me qira.

Durrësi dje ndezi dritat e festës dhe si përherë të vegjlit janë ata që u gëzohen më shumë. Shumë prej tyre pozojnë mes morisë së dritave shumëngjyrëshe, por mijëra të tjerë e kanë të pamundur t’u gëzohen, pasi në shtëpi prindërit s’mund t’ua vendosin pemën, ndërsa dritat e qendrës së qytetit janë larg banesave të tyre. Ato mund t’i shohin dhe prekin ato vetëm në ëndrra.     

Larg dritave të qendrës, në lagje të ndryshme të qytetit vihen re dritat e bizneseve që vazhdojnë ushtrojnë aktivitetin në katin e parë të pallateve të dëmtuara rëndë, e që prej një viti janë të pabanuara. Edhe aty pritet të mbërrijë Viti i Ri, megjithëse në ditë me kohë të keqe ndonjë copë suva shkëputet nga sipër dhe bie në trotuar apo asfalt. Lutja e pronarëve shkon për më shumë punë e klientë, sepse në të kundërtën rrezikojnë mbijetesën.

Në rrugët kryesore të qytetit farfurisin dritat e festave, por në akse të tjera mungon edhe ndriçimi. Pikërisht në to atmosfera është shumë më e vakët dhe askush nuk ndalet për një selfie, madje dhe droni i ngritur për të fiksuar atmosferën festive i shmang ato. Aty Viti i Ri vjen mes halleve të përditshme dhe shpesh nuk bën ndryshim nga ditët e tjera.

Për të tjerë që kanë familjarë të prekur nga Covidi apo fatkeqësisht të ndarë nga jeta, ky Vit i Ri mund të vijë i hidhur shumë. Por aty ku ka jetë ka edhe shpresë. Në fund të fundit çdo vit i ri vjen me shpresën se të këqiat do t’i lëmë pas.   

Pas këtij viti të mbrapshtë kemi aq shumë nevojë të shpresojmë…

M.B.