Miti i Rozafës

27/10/2014 - 18:34

Nga Mihallaq Zhavo

DURRËS, 27 tetor 2014-  Ajo do ta persekutojë akoma shqiptarin. Legjenda e Rozafës ka pritur edhe do të presë breza të dëshpëruarish që t’i çlirojë me misterin e saj. Por cilësia e parë e jotja është neglizhenca ndaj jetës, edhe kur ajo të ka folur me kode të frikshme. Je trembur nga një grua e murosur, s’e ke dashur kurrë fatin e saj, por këtu ke humbur mundësinë e zbulimit të mesazhit që fshihet tek legjenda. I urti i legjendës është misionari i vetëdijes që i thotë tre vëllezërve se sekreti i veprës qendron brenda tyre. I urti nuk i përgjigjet pyetjes se si të ndërtohet kështjella, por pyetjes se si ajo të mos prishet, shkatërrohet. Ai që di kodin e krijimit e mosrrënimit, ai që në kohëra ka përcjellë dijen sekrete tek të tjerët është quajtur  I URTI.

 Misionar i vërtetë quhet vetëm ai që të mëson se si të mos mbjellësh shkatërrimin, ndërsa punon dhe aspiron për krijimin. Vetëm i Urti mundet të jetë misionari, nismëtar për vete edhe për të tjerët. I Urti pa se tre vëllezërit e legjendës ndodheshin në një gjendje kritike, çdo mundim i shkonte dëm me gjithë dëshirën e mirë të tyre. Dhe ti i ngjashëm si ata, ke ndoshta gjithmonë dëshirën e mirë, por ke vënë re se kjo nuk mjafton.  Teksa fajin e ke parë gjithmonë tek të tjerët, i urti i legjendes e pa dhe vazhdon ta shohë brenda teje. “Ndaluni një moment”, - u tha i Urti njerëzve, - ju jeni kthyer në makina pune, dhe në ankthin e mbijetesës keni humbur reflektimin, meditimin. Ata të shkretë punonin, por këtu qëndron edhe problemi, ata vetëm punonin, nuk sakrifikonin, nuk meditonin. Sakrifica është çelësi i Rozafës. Sakrifica është superiore ndaj punës që për ju është vetëm përfituese, e lodhshme, e detyrueshme. Por çfarë duhet të sakrifikonin ndërtuesit e kalasë ose ju që jeni ndërtuesit e jetës tuaj? Çfarë mungon tek ju që gurët e kalasë suaj të ngjiten me njëri-tjetrin, të ngrihen drejt qiellit dhe lumturia të strehohet brenda saj?  I Urti përgjigjet: “Dashuria. Ajo është substanca misterioze, lidhësja e pazëvendësueshme që i mungon gjerdanit të aksioneve tuaja.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: