Nga Mentor Kikia

Po ndodh ajo është e pashmangshme, si në festa ashtu dhe në fatkeqësi. Ndërsa qeveria ka urdhëruar mbylljen e shkollave, restoranteve, teatrove, palestrave, lokaleve e mejhaneve të tjera, njerëzit janë dyndur të blejnë ushqime rezervë dhe ilaçe.

Një moment i artë ky për kategorinë më të pacipë të biznesit, për mashtruesit më të paskrupullt dhe shtresën më të ndyrë të shoqërisë. Në dyqane e marketë janë rritur menjëherë çmimet e artikujve.

Por kanë gjetur një mënyrë tinëzare për ta bërë. Për artikujt që janë më të kërkuar, në rafte, ose kanë hequr etikatet e çmimeve që blerësi të mos e dijë sa kushton, ose kanë lënë ato të vjetrat, ndërsa në kompjuterin e kasës i kanë ndryshuar. Dhe askush nuk mund të llogarisë, apo të mbajë mend se sa shënonte një artikull në raft e sa shënon në faturë, kur ka një karrocë plot me artikuj e në radhë plot njerëz.

Ju të tatimeve, ju të AKU-së, ju të policisë bashkiake, ju me uniforma gri apo bezhë, pra ju që nuk keni punë me virusin, ndiqni këta maskarenj, identifikojini dhe vërini kyçin përfundimisht çfarë do të jetë, dyqan lagjeje, market apo supermarket.

Njerëz, mos blini pa verifikuar më parë çmimet.

Nëse vëreni mashtrime, denoncojini publikisht, me emër, supermarketet që abuzojnë.

P.S: Jeni të lutur ta shpërndani këtë denoncim