Nuk ka paqe në PS-në e Durrësit, një kronologji e ngjarjeve që trazuan ujërat...

10/10/2019 - 14:10

Largimi i Vangjush Dakos nga bashkia e Durrësit ka nxjerrë në pah gjatë muajve të fundit gjithë kundërshtitë e akumuluara mes socialistëve të qytetit bregdetar. Si rrallë herë, dega lokale e PS-së është përfshirë nga debatet, inatet që kanë dalë në sipërfaqe, konfliktet mes të rinjve dhe më të vjetërve në parti dhe si për t’i vënë vulën edhe ndonjë grusht i dhënë në mes të lokalit, në qendër të Durrësit.

Zgjedhjet e brendshme në të gjitha strukturat e PS-së dhe emërimet e fundit në bashki dhe drejtori rajonale shërbyen vetëm për të hapur kutinë e Pandorës të selisë rozë durrsake. Dhe ashtu siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë rebelimi, hatërmbetjet dhe mllefet kanë nisur të shpërthejnë edhe në rrjete sociale, ku profile të shumta false shpërthejnë me fjalor banal e denigrues ndaj drejtuesve të ndryshëm.

Pakënaqësinë dhe inatet e akumuluara me kohë dhe që tashmë i shprehin hapur i dëgjon nga shumë socialistë që kanë aderuar në këtë parti prej shumë vitesh, sidomos ata që punojnë në bashki dhe drejtoritë në varësi. Në 12 vitet e qeverisjes Dako, shumë nga personat që kanë qenë të punësuar aty prej kohësh nuk kuptohej se kur u fillonte apo u mbaronte orari i punës, se kur duhet të ishin në bashki apo në kafet e restorantet rreth e qark. Të mësuar me privilegjet e punës së shtetit, me mungesën e kërkesës së llogarisë (sidomos vitet e fundit) dhe me marrjen e rrogës qyl, kanë nisur të ankohen, sepse u kërkohet të bëjnë punën...

Por çfarë ka ndodhur që pakënaqësitë shprehen hapur tani?! Më poshtë gjeni një kronologji të shkurtër të ngjarjeve që trazuan qetësinë e brishtë të PS-së Durrës.

Në 2 gusht mori detyrën kryebashkiakja Valbona Sako dhe u konstituua Këshilli Bashkiak. Sako mori detyrën pas 3 mandateve të Dakos në krye të Durrësit dhe dëshirës së bazës socialiste për ta drejtuar edhe për një tjetër mandat. 

Në 16 gusht të këtij viti, atëherë kur pjesa më e madhe e durrsakëve ishin duke shijuar pushimet, një djalë i ri, ish-kreu i FREESH në Durrës, Ardit Kërtusha artikuloi për herë të parë për DurrësLajm ambicien e tij për t’u përfshirë në garën për kryetar partie. Vetëshpallja e tij shkaktoi komente mes socialistëve, të cilët e kishin në atë kohë vëmendjen totalisht të përqendruar tek bashkia, e cila sapo kishte nisur të drejtohej nga kryebashkiakja Valbona Sako.

Por vapa e gushtit i fashiti komentet e para që kishin nisur të artikuloheshin dhe pushimet vijuan të qeta. Situata do të paraqitej ndryshe në shtator, kur nisi zyrtarisht ristrukturimi i PS-së. Kërtusha tërhoqi edhe njëherë vëmendjen nga vetja, kur deklaroi se ishte shkarkuar nga puna, si drejtor i Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve të OSHEE-së Durrës, sepse kishte shpallur vetëkandidimin për kreun e degës.

Ndërsa sytë dhe veshët ishin përqendruar tek bashkia, tek emërimet e pritshme, emrat që do të përzgjidheshin, ndodhi tërmeti i 21 shtatorit. Vëmendja për rreth një javë ishte e fokusuar tek dëmet dhe ndihmat për të dëmtuarit, por shërbeu një mbledhje urgjente e Këshillit Bashkiak për të akorduar një fond emergjence, që të nxirrte në pah se lëkundjet sizmike të tërmetit 5.8 ballë, kishin shkaktuar të çarat e para tek PS-ja e Durrësit.

Në mbledhje vjen propozimi surprizë për të shkarkuar sekretarin e Këshillit Bashkiak, Armand Tragaj, pavarësisht se nuk ishte përfshirë si pikë në rendin e ditës. Megjithëse këshilli dominohet totalisht nga socialistët, votat e tyre u ndanë dhe Tragaj i mbijetoi shkarkimit. Inatin për tentativën për shkarkim, Tragaj do ta derdhte mbi kreun e PS-së Durrës, Luan Zaza. Sherri mes tyre dhe konflikti fizik do të shpërndahej në kohë reale nga vetë socialistët.

Ngjarjet që rrodhën më pas janë mjaft të ngjeshura në kohë. Rreth 10 ditë para se të publikohej zyrtarisht në faqen e bashkisë, nënkryetarja e re nga Tirana Etleva Kondi kishte nisur punën në institucionin e pushtetit vendor. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltarët shtyjnë për në mbledhjen e ardhshme 7 nga pikat e rendit të ditës, ku ndër më të rëndësishmet ishin emërimi i një tjetër drejtori nga Tirana, Laert Vasilit dhe miratimi i rreth 117 milionë lekëve për t’u përdorur nga bashkia për riparimin e institucioneve arsimore. Në Kadastër arrestohet drejtori Liridon Pula dhe ende pa u ftohur karrikja e Pulës emërohet Arjan Cengu, një 32-vjeçar me detyrë specialist në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Tiranë.

Emërimet nga Tirana shërbyen për të hequr të gjitha filtrat bllokues të socialistëve në rrjete sociale, duke degjeneruar në komente me gjuhë denigruese. Ata që kishin heshtur kur në fillim të këtij viti me një të rënë të lapsit do të emëroheshin njëri pas tjetrit drejtori i APD-së, i AKU-së, i Hipotekës, i Kadastrës (të gjithë nga Tirana) nuk u përmbajtën më.

Mërinë e socialistëve nuk arriti ta zgjidhë as sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, që rreth 2 javë më parë mblodhi strukturat drejtuesve në Durrës. Nr.2 i Partisë Socialiste nuk arriti t’i jepte drejtim ngërçit të krijuar mes degës lokale dhe bashkisë dhe atë të krijuar mes klaneve brenda vetë socialistëve durrsakë, të cilët kanë përpara garën për kreun e degës, që me shumë gjasë do të jetë sërish Luan Zaza.

Emërimi i drejtorit që do të zëvendësojë Roni Shqopën në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor Durrës mund të ulë pak tensionet ose mund t’i ndezë ato edhe më shumë. Një emër i importuar nga Tirana do të shoqërohej me një valë tjetër zemërimi, sepse orekset e socialistëve që presin të marrin një post drejtuesi nuk do të përmbusheshin.

Një gjë duket e sigurt të paktën tani për tani; Nuk ka paqe në PS-në e Durrësit!

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori