Për shqiptarët dhe serbët

17/10/2014 - 11:55

Nga Sali Bytyçi

DURRËS, 17 tetor  2014-   Ndërsa serbët janë zgjeruar duke vrarë të tjerët, ne shqiptarët jemi rrudhur duke u vrarë mes vete, të cilat aq shumë na kanë dëmtuar, sa nuk kemi arritur të mbrojmë veten nga të  tjerët. Pas ndeshjes futbollistike Shqipëri-Serbi, po flitet për nacionalizmin shqiptar dhe atë serb. Po, ka nacionalizëm shqiptar dhe nacionalizëm serb, por ka një dallim në mes këtyre dy nacionalizmave: serbët nacionalizmin e kanë në palcë, shqiptarët në lëkurë! Sa më përket mua, jam krenar që populli im, përgjatë historisë shekullore, asnjëherë nuk i kaloi kufijtë e tij për t’iu vërsulur të tjerëve, për t’i vrarë e masakruar, për t’i mbajtur nën dhunë ata! Por nuk jam aspak krenar që të tjerët, në shekuj, kanë hyrë në trojet tona dhe, ose na kanë mbajtur rob me shekuj ose na kanë masakruar, na i kanë copëtuar trojet.

Kaq shumë na kanë shkallmuar sa, ndonëse mbetëm shqiptarë, na kanë prekur në gen: na kanë shpërfytyruar aq sa më nuk kemi një profil tonin, nuk kemi pamje tonën e cila na dallon nga të tjerët! Për këtë shkak nuk kemi as mendim tonin. Edhe një dallim në mes shqiptarëve dhe serbëve. Serbët janë bij, pra janë pasardhës, të atyre që kanë vrarë të tjerët, së paku që 150 vjet e këndej, e deri në ditët e sotme; ne shqiptarët, sidomos të veriut, jemi bij të atyre që kanë vrarë njëri-tjetrin! A ka një familje, në veri të Shqipërisë, e cila nuk e kujton së paku një vrasje që ia ka bërë një familjeje tjetër (një fisi tjetër) apo një vrasje që nuk ia ka bërë dikush nga fisi tjetër! Pra, të dy popujt jemi pasardhës të vrasësve – të njerëzve që kanë kryer krime.

Por ne shqiptarët, për dallim nga serbët, përveç që jemi pasardhës të atyre që janë vrarë nga njëri-tjetri, jemi edhe pasardhës të atyre që janë vrarë nga të tjerët: nga sllavët, turqit, grekët, serbët, malazezët etj.

Ndërsa serbët janë zgjeruar duke vrarë të tjerët, ne shqiptarët jemi rrudhur duke u vrarë mes vete, të cilat aq shumë na kanë dëmtuar sa nuk kemi arritur të mbrojmë veten nga të tjerët. 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: