Nga Mentor Kikia

Unë nuk votoj në asnjë forum partiak, kur ka zgjedhje të brendshme, pasi nuk jam anëtar. Por, po e ndjek fushatën brenda PD-së, për faktin se një gjë e tillë po ndodh për herë të parë, në një proces zgjedhor brenda një partie dhe së dyti, sepse nga këto zgjedhje do të dalë njeriu që do të synojë të jetë kryeministri i ardhëmshëm i vendit tim.

Me ka tërhequr vëmendjen kandidimi i Agron Shehjat, jo për performancën politike, pasi pak kush ia ka dëgjuar timbrin e zërit, por pritshmëritë e njerëzve, anëtarëve të PD-së, se ai mund të jetë lideri i ri i partisë. Dhe argumenti që sundon është, se derisa menaxhon një biznes të sukseshëm, mund të menaxhojë edhe partinë.

Në fakt ajo që ngatërrohet është menaxheri me Liderin. Menaxher apo kryetar administrativ, mund të të zgjedhin apo emërojnë, por lider jo. Lider bëhesh, duke u rritur politikisht brenda një partie, duke kaluar prova, dështime e suksese, rënie e ngritje.

Jo çdo kryetar është lider. Lideri nuk është ai që drejton mirë ndërmarjen e vet, pasi në politike, CEO ndryshon nga Lideri. Lider është ai që përcjell energji tek qytetarët, që frymëzon, krijon adrenalinë, krijon besim dhe shpresë, i karikon njerëzit me energji pozitive.

Fushata e kandidatëve në PD (ndoshta përveç asaj të Fatbardh Kadillit) është përqëndruar tek sulmet ndaj Bashës dhe jo idetë se çfarë do të bëjnë ata më shumë e më mirë se Basha.

Personalisht nuk kam asnjë preferencë, por ajo që di të them me saktësi është që PD-së nuk i duhet një magazinier i mirë, por një Lider i mirë.

Dhe e fundit, në PD duhet ta kenë të qartë se sfida nuk është të mundin Bashën, por të mundin Ramën në zgjedhjet e radhës.