Percepton si dashuri jo atë që ke, por atë që dëshiron të kesh

01/11/2014 - 09:46

Nga Mihallaq Zhavo

DURRËS, 1 nëntor 2014-  Dashuria jote lëviz midis së shkuarës së paplotësuar dhe të ardhmes që mungon. Pretendimi i asaj që të mungon, dëshirës për të patur i vëmë emrin dashuri. Quajmë kështu, atë që na mungon, por që e presim në të ardhmen, një realitet i nesërm, por që do të jetë gjithmonë nesër. Percepton si dashuri jo atë që ke, por atë që dëshiron të kesh. Dashuria jote është gjithmonë virgjëresha e nesërme, e zhvirgjëruar nga e sotmja dhe e braktisur nga e djeshmja. Dashuria për njeriun e sotëm është në fakt, mungesa e të qenit njeri ose dëshira për të qenë njeri .

Po ta shohim me vëmendje, ajo mungon në të gjitha rastet kur e duam, na zhgënjen vazhdimisht, jo sepse dashuria është zhgënjyese, por sepse ne e duam atë në mungesë, vetem kur na mungon. E kërkojmë atë në të ardhmen, e gjykojmë dhe e qajmë në të shkuarën, por ajo nuk ndodhet kurrë atje, pra e kërkojmë, atje ku ajo mungun. Dashuria e vërtetë ndodhet vetëm në të tashmen, vetëm kështu është reale, por ti nuk je kurrë në të tashmen, përderisa je tek dëshira e cila lëviz nga e djeshmja tek e ardhmja.

Meditimi të kthen tek e tashmja, të fut tek vetja jote, të kthen tek ajo që ti je gjithmonë, të mundëson të kuptosh lidhje të harruara, pasuri të harruara që janë gjithmonë brenda teje. Meditimi të kthen tek ajo lidhje që nuk njeh kohë, çdo çast pulson për ty, të kthen tek e tanishmja. I ndaluar tek ishulIi yt i thesarit e shikon këtë botë si akt dashurie . Duke vlerësuar veten dhe lidhjet e vërteta me realitetin, nëpërmjet meditimit, kupton rëndësinë e asaj që ishte gjithmonë pranë teje. Këtë lidhje e kuptoje vetëm pasi e humbisje, humbje që aktivizonte vizionin tënd të dashurisë së mjeruar.
Në fakt, ti jeton vetëm mjerimin e dashurisë, ndërsa meditimi të çon tek dashuria e madhe dhe e fundit, por dhe e vetme. Kjo dashuri e vetme në jetë që nuk falimenton është ajo për gjërat që ti nuk ke nevojë t’i kesh, mjafton që ato tani janë ashtu si janë, dhe ku janë e ti ndihesh i plotësuar. Kur nuk ke frikë se humb dhe dhimbje nga humbjet çdo gjë në jetë e ka emrin dashuri.

Dashuria është lidhje me atë që është, me atë që të mbështet pa të munguar, që nuk flet sepse është aq pranë, sa është e pamundur dhe e kotë të flaës. Ajo që është universi yt i dhuruar pa kushte pranë teje, ajo lidhje gati e paperceptueshme, por e dhimbshme kur e humbasim, ajo është esencë e dashurisë reale. Vetëdija e kësaj dashurie është dhuratë vetëm e meditimit. Në këtë dashuri që përmbledh gjithë universin, ne jemi të zhytur dhe nuk e kuptojmë praninë e saj. 

Vetëdija medituese lejon të perceptojmë këtë fill të padukshëm që lidh gjithçka. Kur këputet kjo lidhje, na krijon dhembje dhe dëshirë për t’u rilidhur, kjo këputje krijon iluzionin e dashurisë tënde si dëshirim për lidhjen e humbur, dëshirë për t’u kompletuar. Meditimi të ndriçon me vizionin se dashuria është diçka që është, ëshë ajo që ti je, ajo që të tjerët janë për faktin e thjeshtë se janë. Dashuria nuk ka të bëjë me të qenit ndryshe, sepse kështu dua unë për të qenë më mirë. Ajo lind, pasi je dorëzuar totalisht ashtu si je tek ajo; ajo që është reale sepse ashtu duhet të jetë. Ajo lind pasi ke vrarë dashurinë prej lypësi, dashurinë e vogël që të kthen në lypës. Por për të bërë këtë kërcim duhet kurajo dhe energji. Joga dhe meditimi na dhurojnë energji për të rizbuluar lidhjen natyrale me jetën që për zakon e quajmë dashuri. 

E kërkojmë dashurinë, sepse sapo lindim - biem nga duart e natyrës tek duart e njeriut .

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: