Në vitin 2013, kur Edi Rama mori pushtetin, bëri thirrje që të gjithë ata profesorë, biznesmenë dhe emigrantë të suksesshëm që kishin bërë karrierë jashtë vendit të vinin në Shqipëri dhe jepnin kontribut në ngritjen e “shtetit ligjor”. Këtë thirrje i pari e dëgjoi Olsi Rama, vëllai i kryeministrit.

La Amerikën ku jetonte prej shumë vitesh, për të ardhur në “parajsën” shqiptare. Ndonjë korrikulum si eskepert në ndonjë fushë ai nuk kishte dhe nuk do ketë kurrë, por vlera më e madhe që ia atribuoi vetes ishte fakti se është vëllai i kryeministrit dhe kjo nuk është “meritë” e pakët në vendin tonë.

Pas gjashtë vitesh në pushtet, tashmë shumë “falenderojnë Olsi Ramën”… Biznesmenë, trajnerë, futbollistë, vendas e të huaj, kanë vetëm një emër në gojë, Olsin e Ramës. Opozita shpesh ka hedhur akuza kundrejt vëllait të kryeministrit, duke e akuzuar se ishte një nga kokat e trafikut të kokainës, i përfshirë në ngjarjen e Xibrakës, katër vjet më parë. Gjithashtu si “rastësisht” emri i Olsit shfaqet me kompani kineze të cilët nëpërmjet PPP-ve të famshme synonin të siguronin kontrata qindra milionë euro.

Kur për herë të parë doli në skenë ideja e mbledhjes së TVSH-së nga një kompani private, me teorinë e famshme PPP, u shfaq papritmas vëllai i kryeministrit, Olsi Rama. Madje, edhe largimi i ish-ministrit të Financave Shkëlqim Cani në qeverinë e para “Rama 1”, dyshohet se erdhi pikërisht nga refuzimi që ky i fundit i bëri “ofertës Rama” për t’i dhënë një kompanie koncesionare për një periudhë 10-vjeçare, sistemin teknologjik monitorimin dhe transmetimin e të dhënave për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH.

Kompania që u “vetëofrua” për këtë tender, e cila kishte bërë dhe propozimin e pakërkuar për koncesionin, quhej ‘M.POS Limited’ dhe ka seli në Hong Kong. Partneri lokal i M.POS Limited ishte një kompani shqiptare pronari i së cilës ishte bashkëortak në një tjetr degë të biznesit të tij bashkë me Olsi Ramën. Informacioni për përfshirjen e MCN në koncesionin e TVSH-së ishte mbajtur sekret nga Ministria e Financa.

Gjithsesi ky konçension tre vjet më parë u mbajt pezull, në pritje të një kohë tjetër më të qetë… Edhe kjo mendohet se është realiziaur kohët e fundit në një skemë të ngjashme në deklarimin në tatime, ku do hiqen kasat fiskale dhe vendoset një tjetër sistem monitorimi. Faleminderit Olsi…

Po ashtu Olsi u shfaq po me kinezët që synonin të bënin të tyren një tender për zonën e lirë të Spitallës në një sipërfaqe prej 500 hektarësh, e cila do jepej për shfrytëzim për 99 vjet. Qeveria shqiptare shpalli fituese kompaninë kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”.

Ministri i atëhershëm i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vendosi anullimin e tenderit. “Oferta e tyre është skualifikuar për shkak të mangësive të shumta në dokumentet teknike dhe paraqitje dokumentash të panoterizuara”, tha Ahmetaj. Por Kryeministri Rama dha një tjetër version për anullimin e këtij tenderi. “Im vëlla shoqëroi drejt Kinës një biznesmen shqiptar që e ka shok fëminjërie. Por unë do them diçka këtu, meqenëse u përfol në media, unë i kam kërkuar Ministrit Arben Ahmetaj që të anulojë garën për këtë konçension”- u shpreh Rama, tre vjet më parë. Por edhe nëse ikën një kompani, një tjetër vjen në letra, që është e njëjta, por me emër të ndryshuar.

Falenderoj Olsi Ramën… Kjo është shprehja më e dëgjuar në ambientet futbollistike. Olsi është drejtori sportin i klubit të Futbollit Partizani. Janë raste të rralla, për të mos thënë unike, që kur shënohet një gol falënderohet Olsi, kur nënshkruhet një kontratë, trajner a futbollist, sërish falënderohet Olsi. Kur ngrihet një kupë, prapë Olsi, edhe kur ikin, nuk harrojnë të falenderojnë Olsin….

Dhe ky “gjeni” në futboll, që hiç sja kish haberin, sot është në kuotat e tij më të larta. Nuk është pak të jesh vëllai i kryeministrit, për më shumë një kreu qeverie që ka çdo pushtet në duar, duke dhënë Shqipërinë me konçension dhe shtuar dozat e një minidiktatori të Ballkanit. Edhe më shpesh do e dëgjojmë shprehjen “Faleminderit Olsi Rama”! /Boldnews.al