Ismail Kadare

“Shqipja është një nga gjuhët më të zhvilluara flektive (me nyja e parafjalë). Falë kësaj cilësie e, padyshim, gjithë mekanizmave të tjerë të saj, ajo përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë, sulmin osman.

Sulmi i turqishtes, që ishte gjuhë aglutinative (që manovron me prapashtesa), ishte një lloj sulmi i një mamuthi të ngathët që lufton kryesisht me bisht kundër një luani që përdor më shumë dhëmbët dhe kthetrat. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.

Mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla.

Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq.

Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit.

Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist.

Zgjedhja e gjuhës shqipe midis dhjetëra të tjerave për këtë dënim të skajshëm nuk është shpjeguar asnjëherë. Nëse ishte shemrim me të tjerat, sidomos me osmanishten aglutinative, gjuhën zyrtare të shtetit, të folmet sllave dhe greqishtja mund të quheshin të rrezikshme e të zgjonin smirë gjithashtu.

Mirëpo, asnjëra nuk u ndalua. Ka gjasë që ndalimi i shqipes të lidhej me ngutin e deshqiptarizimit dhe ky i fundit me faktin që ata mbi të cilët ra shenjimi fatal për ndërrim identiteti, ishin pikërisht shqiptarët.

Tundimi osman ka qenë simbolikisht dyfish i dyfishtë: kthimi në identitetin turk i një populli të Europës, bashkë me mbytjen e njërës prej gjuhëve të saj….” /Marrë nga faqja “Letërsi Top Kadare”