Nëse Dako do t’i dorëzohej drejtësisë, pas denoncimeve, me siguri do të kishte një shtendosje të gjendjes, dhe problemi do të ngjante lokal. Pra, e paska bërë një gabim njëri në Durrës. Mbrojtja me çdo kusht nga Edi Rama i dha përmasa edhe më dramatike çështjes, dhe më kombëtare.

Ka një mijë arsye pse vendi është sot në krizën më të madhe politike ndoshta prej vitit ’97 e këndej, po një gjë është e sigurt, Vangjush Dako është njëri nga shkaqet. Edhe pse ka mbajtur një profil të ulët në publik, njeriu që nuk ka dashur të bëjë bujë e të kërkojë lavdi, larg ekraneve e skenave të protagonizmit me prozhektorë, kreu i bashkisë së dytë më të madhe në vend, paska patur përmasa të tjera, të panjohura deri vonë, të pabëra publike më saktë. Askush nuk e mohon se ai është një babaxhan, i zoti në biznes dhe di të ndërtojë marrëdhënie me njerëzit. Superman, siç e cilësoi ai veten në një debat televiziv, bëhet prej një vlere shtesë. Dako me sa duket ka një talent të jashtëzakonshëm për të mbledhur faktorët lokalë, dhe te faktorët lokalë padyshim fusim të fortët e zonës. Tërë fijet e tyre, shkojnë disi edhe te Vangjushi. Me rekomandime bashkiake, me favore e interesa nga më të ndryshmit, Dako ka bërë që grupet kriminale të pellgut të Durrësit, më të fuqishmet e vendit, t’ia kenë atij një borxh e ta ndihmojnë në ditë të vështira, siç janë zgjedhjet. Kur kjo skemë në zgjedhjet vendore doli me sukses, ku fitoi mbi Grida Dumën me 14 mijë vota, ani pse në disa zona si Sukthi kandidatja e PD nuk mund të kishte as komisionerë për shkak të klimës armiqësore e kërcënimeve, Edi Rama me siguri mendoi se e gjeti xhindin që do i sillte një rezultat të majmë për krejt qarkun. E caktoi Dakon përgjegjës politik, dhe çdo gjë nga bregdeti i Durrësit deri në malësitë e Krujës kaloi nën kontrollin e tij. Doli siç pritej, PS mori në këtë rajon, fitoren më spektakolare, një rekord historik, në zgjedhjet e 2017.

Problemi me xhindin është se nuk mund ta kthesh më në shishe

Stuhia e madhe që solli dosja 339 dhe zbulimi i lidhjeve të Dakos me elementë të krimit të organizuar ia vështirësuan jetën Edi Ramës. Nuk ishte nga ato çuditë që harrohen ditën e tretë. E detyruan atë të merrte disa vendime. Të bënte zgjedhje. Dhe faktet deri sot tregojnë qartë se kryeministri e mori në mbrojtje me çdo kusht “xhuxhin” e tij, njeriun më elektoral që ka njohur rilindja. Zgjodhi Dakon në vend të Fatmir Xhafajt. Janë shtuar zërat se megjithatë, kur shpërtheu dosja 339, që e solli këtu një drejtor i sertë i policisë gjermane, kryetari i bashkisë Durrës i kaloi nja 3 orë të mira në qeli. Fjalë të paprovuara, po dhe të papërgënjeshtruara. Kjo i kushtoi karrierën Xhafës, që shihej si një yll në ngjitje në Partinë Socialiste, me mbështetje europiane dhe amerikane për shkak të Reformës në Drejtësi. “Nuk i gjuhet me gurë shpisë tënde”, tha Edi Rama, duke e bërë krejt të qartë motivin e ikjes së ish-ministrit të Brendshëm.

Po Vangjush Dako ka sjellë tërmete edhe më të forta në politikën shqiptare. Ai mbetet arsyeja kryesore pse Basha shkoi drejt aktit in-extremis, lënien e mandateve. Kryetari i opozitës, pas zbulimit të skandalit ku votat bliheshin në Durrës si në pazar të Milotit, mori në duar një bonus të madh, kauzë të fortë, dhe kërkoi shkarkimin dhe arrestimin e Dakos. Situata sa vinte e tensionohej, në debate televizive, në seanca parlamentare e kudo. Por Rama i quante të gjitha biseda kafenesh dhe jo fakte. Edhe kur një pasdite, Taulant Balla la të kuptohej se Dako nuk do të kandidonte më për bashkinë, nja dy ditë më pas, Rama duke i injoruar gjithë sa fliteshin për të, u shpreh se Vangjushi del dhe 500 herë në garë, aq i paimplikuar është.

Nëse do t’i dorëzohej drejtësisë, me siguri do të kishte një shtendosje të gjendjes, dhe problemi do të ngjante lokal. Pra, e paska bërë një gabim njëri në Durrës. Mbrojtja me çdo kusht, i dha përmasa edhe më dramatike çështjes, dhe më kombëtare. Edhe këtu, Edi Ramës i duhej të bënte një zgjedhje. Ose Dakon, ose Bashën dhe opozitën në sistem, në Parlament. Zgjodhi lirinë e xhindit të tij, dhe demokratët dorëzuan mandatet.

Kjo ishte më e forta nga lëkundjet, me epiqendër në Durrësin e Gjushit. Kaq shumë i detyrohet Rama atij, ose aq e fortë do të jetë goditja që Gjushi mund t’i japë, sa shefi i qeverisë është gati më mirë të përballojë një destabilizim politik, se sa të lëshojë supermanin. Ndaj, para kësaj, nuk është asgjë, që t’i vërë këmbën edhe Zërit të Amerikës, duke e quajtur kazan, e të zgjedhë sërish Dakon para medias autoritare të financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Me këtë rezyme, me plot gojën mund të thuhet se asnjë kryetar bashkie nuk ia ka dalë të përmbysë politikën deri më sot, sa Vangjush Dako. /mapo.al