Nga Mila Ballhysa

Si për t’i treguar popullit se ai është lideri që vendos për orarin e daljes nga shtëpia të gjithësecilit, për ngritjen apo uljen e qepenëve të bizneseve, kryeministri Edi Rama priti orën 20.30 të mbrëmjes për t’i komunikuar popullit të tij të bindur liridaljen e fundjavës.

“KJO FUNDJAVË DO TË VIJOJË NJËSOJ SI E SHKUARA. TA KALONI SA MË QETË” – shkruante Rama në rrjete sociale duke lënë të habitur shumëkënd, që ndoshta shpresonte se mbase kjo mund të ishte fundjava ku biznesi do të merrte pak frymë, pas një dy muajshi shumë të vështirë.

Por jo, qepenët duhet të rrinë sërish mbyllur, pavarësisht se 5 ditë të javës njerëzit i gëzoheshin liridaljes deri në orën 21.00 dhe distancimi fizik ekziston vetëm në kokat e Komitetit të Ekspertëve. 

Qepenët duhet të rrinë sërish mbyllur, edhe pse kushdo nga ne i ka shumë të freskëta në mendje kujtimet nga e diela e kaluar, kur distancimi fizik tek Teatri Kombëtar u shkërmoq nga policia e Lleshajt.

Qepenët duhet të rrinë mbyllur edhe pse ekonomia po lëngon pasojat e mbylljes për shkak të pandemisë Covid-19 dhe me mijëra kanë mbetur të papunë dhe pa të ardhura.

Qepenët duhet të rrinë mbyllur edhe pse Durrësi po “lutet” për hapjen dhe nisjen e sezonit turistik, sepse në të kundërt qindra biznese, mijëra të punësuar sezonalë dhe qindra ambulantë rrezikojnë mbijetesën.

Për më tepër, njerëzit duhet të kufizohen në liridalje edhe pse të dielën besimtarët muslimanë festojnë Fiter Bajramin. Me këto masa të kryeministrit, besimtarët do ta kenë thuajse të pamundur të kryejnë ritualin e përvitshëm të faljes në shesh, duke respektuar distancimin fizik.

Besoj se për kryeministrin ishte më e rëndësishme turrja tek teatri duke harruar koronavirusin për të cilin nga vetë ai na ishte propaganduar se do bënte kërdinë nëse nuk respektonim masat, sesa njerëzit që kryejnë në shesh faljen e Fiter Bajramit, festës më të rëndësishme të kalendarit musliman.

Përballë biznesit që lëngon, njerëzve që duan t’i rikthehen normalitetit dhe frekuentimit të plazhit në këto ditë të nxehta qëndron Rama, të cilit mesa duket virusi i “fryn” në vesh që në fundjavë duhet t’ua mbledhë qytetarëve, që boll livadhisën 5 ditë me radhë.

I pyetur pak javë më parë për pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës, Rama tha se duhej bërë durim.

Si me tërmetin, ashtu edhe me pandeminë, Rama duket se e ka kuptuar se durrsakëve ende u ka mbetur një fije durimi dhe vazhdon lojën e tij “tërhiq e mos e këput”.