Nga Ferdinand Xhaferaj

Bill Clintoni, gjatë fushatës së sukseshme për Presidencën karshi George W. Bush-it, përdori një nga sloganet më të suksesshme që kumbon si një e vërtetë gjithnjë e më e madhe: “Është ekonomia, o i marrë!”. Kjo e vërtetë më vjen në mendje sa herë shikoj Ramën apo Ahmetajn duke shpalosur pseudo-paketën për rimëkëmbje ekonomike gjatë pandemisë që po përjetojmë.

Dukshëm, të njëjtin mendim ndajnë të gjithë biznesmenët në Durrës dhe më gjërë të prekur nga masat aspak stimuluese. Dje, më shumë se 20 shoqata të rëndësishme të biznesit, si asnjëherë më parë në historinë e tranzicionit, iu kundërvunë hapur masave të marra nga qeveria në një përpjekje të dëshpëruar të tyre për të shpëtuar ekonominë. Teksa bizneset përballen me rënie kërkese dhe mungesë likuiditeti, kostot për to shtohen, duke rrezikuar jo vetëm mbijetesën e bizneseve në fjalë, por të qindra familjeve që varen nga punësimi tek to. Ndonëse një krizë e dyfishtë ka goditur ekonominë shqiptare, pas tërmetit e gjatë pandemisë, qeveria qëndron stoike në bindjen se cdo biznesmen pa një lidhje direkte me qeverinë duhet mjelur.

Teksa vazhdojnë urdhrat për qëndrim në shtëpi pavarësisht thirrjeve të ekspertëve për rihapje sa më të shpejtë të ekonomisë, goditja për bizneset vetëm sa bëhet më kritike. Përse për përballimin e krizës shëndetësore (të paktën formalisht) është ngritur nje komision, ndërsa për krizën ekonomike ku varet e tashmja dhe e ardhmja e shumicës së shqiptarëve, vendimet merren nga duo e famshme Rama-Ahmetaj? Për ekonominë nuk ka nevojë për komitet ekspertësh sepse ekonomia sipas Ramës fillon dhe mbaron tek sigurimi i interesave të ngushta klienteliste. Këtë jo vetëm e ka ndjerë në kurriz cdo biznes, por edhe e vërteton nxitimi gjatë kësaj periudhe për të kaluar koncesione kundër cdo rregulli e cdo ligji. Por, reagimi i shpejtë i biznesit dhe zgjidhjet e vazhdueshme të propozuara nga Partia Demokratike për cdo kategori, janë tregues se shqiptarët refuzojnë të thellojnë krizat e shkaktuara nga tërmeti e koronavirusi me politikat e Ramës që punojnë kundra shumicës së shqiptarëve.