DURRËS, 7 nëntor 2014 –  Asgjë nuk  po  mbetet më nga krenaria e dikurshme e Dyrrahut antik, ku studiuan  perandorët  romakë. Madje si një fakt tejet interesant, ia vlen të përmendet, letra e një studenti romak drejtuar të atit: “Baba, më dërgo para, se këtu i thonë Durrachium, e jo Romë”. Vetë  Ciceroni e quante Dyrrahun e atëhershëm, qyteti i dritës dhe i luksit, ndërsa sot është shndërruar në një qytet të rëndomtë betoni dhe plehrash.

Qyteti bregdetar, që s’mund të quhet më  dhe aq “bregdetar”,  me një histori të  pasur  3000 – vjeçare,  po pëson atentate të vazhdueshme ndaj simboleve dhe vlerave të tij. Autenticiteti dhe fytyra e tij e vërtetë po tjetërsohen,dita-ditës. Durrësi po pëson regres dhe degradim të vazhdueshëm. Quo vadis o Durrachium antik, o qyetërim që i rezistove kohës dhe barbarëve, por jo sadizmit të pashpirt antikulturor, antivlerë, antilashtësor, antihistorik?!

 Sa rehat ndihen realisht durrsakët, në shtëpitë  e tyre, në qytetin e vet, në shëtitoren e vet, në rrugicat e veta, në tradicionalitetin e vet karakteristik?!

Po  përjetojmë një denatyralizim të vlerave arkeologjike, të natyrës, të peizazhit dhe të bregdetit. Ata që duan të shijojnë atë çka mbetur nga Durrësi antik, le të nxitojnë, sepse nuk i dihet, se si mund të përçudnohet dhe të gdhijë nesër, ai që dikur cilësohej si “Taverna e Adriatikut “  apo siç ka thënë udhëtari i famshëm turk Eliva Çelebia:”qytet i madhërishëm, si hëna në kupë të qiellit”.