Stresi dhe ngacmimi moral në ambientin e punës

12/06/2018 - 21:12

Nga Gladiola Jorbus                                

Puna është pjesë e pandarë e jetës sonë. Një proces me rëndësi madhore që na ndikon gjerësisht  jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga ajo psiko-shpirtërore. Studime të ndryshme vërtetojnë se shumica e njerëzve në botë vuajnë nga stresi në punë.

Nga çdo këndvështrim, ai mbetet një burim i madh tensioni dhe ankthi i shoqërisë së industrializuar dhe dixhitale, në të cilën presioni në rritje i shkaktuar në mjedisin e punës, mbingarkesa, keqmenaxhimi, mospërmbushja e kërkesave profesionale, mbivlerësimi i aftësive mund të shkaktojnë tejngopje fizike ose mendore të punonjësve, ndaj ndikojnë në shëndetin e këtyre të fundit dhe atë të njerëzve përreth.

Në botën perëndimore, stresi në punë ka diçka të përbashkët: shfaqet gjithmonë kur kërkesa e punës tejkalon kapacitetin e punonjësit dhe ai nuk mund ta përballojë ose ta kontrollojë më atë; zakonisht kjo shkakton lodhje fizike dhe mendore, përveç simptomave të tjera si nervozizmi ose depresioni.

Kurse në vendin tonë hasim lloje të tjera stresi në punë; aq sa punëdhënësit apo kolegët mund të shndërrohen në makthet më të këqija dhe të të mundësojnë kështu, një film terrori brenda katër mureve. Këta vampirë emocionalë gjenden kudo.

Bashkëpunëtorë, eprorë, të ashtuquajtur miq e kolegë që përthithin energjinë dhe pozitivitetin, duke i këmbyer ato, me pesimizëm ekzistencial, pakënaqësi dhe humor të keq, aq sa të ta bëjnë jetën të hidhur. Nëse të tillë personave nuk ua vendos kufirin te thana, ata do të përfitojnë nga mirësia e edukata dhe do të përpiqen të  të rrënojnë psikologjikisht, duke të krijuar frikë, lodhje dhe stres.

Njëri nga shqetësimet më të mëdha mbetet pikërisht abuzimi i dukshëm verbal në ambjentet profesionale, përfshirë këtu kërcënime, hakërrime, mallkime, fyerje dhe tallje të një viktime ose sërë viktimash, qoftë para njerëzve ose në mënyrë private (madje duke të pohuar në sy se janë aq burracakë a hipokritë sa do të mohojnë gjithçka para të tjerëve). Abuzimi verbal (ngacmimi verbal) në vendin e punës, ndonjëherë mund të jetë i pakapshëm, pavarësisht se shumëkush mund të cënohet nga përhapja e thashethemeve apo shpifjeve indinjuese.

Duke qenë se në vendin tonë jemi mësuar të bëjmë “filozofi” dhe të mos u japim zgjidhje problemeve, por thjesht t’i konstatojmë ato; gjykoj se ka ardhur çasti të rishkruajmë të tashmen tonë (ndërgjegjësim: meqenëse e shkuara iku, e ardhmja mbetet e panjohur, atëherë veç e tashmja na përket). Pikësëpari të përcaktojmë problemin; problemi nuk është abuzuesi; është efekti i abuzuesit ndaj viktimës së përzgjedhur, bullizmi i ushtruar.

Quajeni ngacmim, abuzim emocional, torturë psikologjike, abuzim verbal në vendin e punës. Ju nuk pretendoni, ju realisht jeni stresuar fort duke mos dhënë maksimumin tuaj në profesion, ju kanë dëmtuar shëndetin, ju kanë ulur performancën, ju kanë shkelur dinjitetin tuaj të punës. Abuzuesit i duhet bërë e ditur se nëse vazhdon me të njëjtën sjellje, do të detyroheni të adresoni problemin në organet kompetente.

(Informacion i marrë nga “Ngacmimi moral dhe seksual në Administratën Publike Shqiptare”, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, krijuar me ligjin nr. 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, është një tjetër institucion i pavarur që siguron mbrojtjen nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin, bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore”. Nenin 32 i Kodit të Punës, përcaktohen detyrimet e përgjithshme të punëdhënësit për mbrojtjen e personalitetit të punëmarrësit, të cilat përcaktojnë në mënyrë eksplicite ndalimin e ngacmimit moral dhe atij seksual në vendin e punës, duke përfshirë këtu ndër te tjera 1. Punëdhënësi respekton dhe mbron në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit. 2. Ai duhet të parandalojë çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit. 3. Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë. Me shqetësim seksual kuptohet çdo shqetësim që dëmton në mënyrë të dukshme gjendjen psikologjike të punëmarrësit për shkak të seksi. Punëdhënësi ndalohet të ngacmojë punëmarrësit me veprime, të cilat kanë për qëllim ose sjellin si pasojë degradimin e kushteve të punës, në një shkallë të tillë që mund të çojë në cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të personit, në dëmtimin e shëndetit të tij fizik ose mendor ose në dëmtimin e të ardhmes së tij profesionale. 4. Çdo person, i cili identifikon ose merr informacion nga ndonjë punëmarrës që mund të ketë pasur cenim të të drejtave të tij/saj, sipas këtij neni, dhe në mënyrë të veçantë të shëndetit fizik dhe mendor ose lirisë personale, e cila nuk mund të justifikohet me përshkrimin e punës ose realizimin e objektivave të caktuar, duhet të sinjalizojë menjëherë punëdhënësin ose strukturat përkatëse, kur personi ndaj të cilit adresohet cenimi, është vetë punëmarrësi).

 Veçanërisht nëse të përndjekurat janë femra, edhe për shkak të epërsisë gjinore, peshorja anon nga to. Vërtet që në Shqipëri informacioni mungon, besimi te drejtësia është i lëkundur, por ligjet ekzistojnë dhe duhet marrë në konsideratë fakti që njerëz të mirë e që mbështesin vlerat dhe të drejtën ka. Ndaj nuk duhet të tutemi për të mbrojtur veten.

Ndërkohë vampirët që vuajnë nga çrregullime të personalitetit, nga inferioriteti, nga paaftësia, nga zilia do të ekzistojnë duke pretenduar të zbatojnë me çdo kusht maninë e persekutimit, duke e zgjeruar rrethin e tyre me sivëllezërit e simotrat e veta për t’i shërbyer negativitetit, injorancës dhe ligësisë.

Këtyre mjeshtrave të manipulimit, e gjitha kjo mund t’u kthehet në boomerang, sepse kanë harruar një detaj të rëndësishëm: duke vepruar në këtë mënyrë, performanca e punës që kryejnë a drejtojnë do të pësojë një rënie të ndjeshme; cilësia do të lërë për të dëshiruar dhe do të jetë e afërt dita kur do të bien në gropën që i kanë hapur tjetrit.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nga Gjergji THANASI

E duam Shqipërinë si gjithë Evropa

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë për shtyp të martën se qeveria e tij ka ndërmend të zbatojë ligjin e vitit 2015, që para

   Ditën e premte dhe të shtunë, Edi Rama u shfaq në Rinas i emocionuar duke pritur zbritjen e avionit të parë me logon e Air Albania.

   Rama reagoi menjëherë ‎kundër propozimit të PD dhe opozitës për veting me ligj që dekriminalizon politikën shqiptare.

   Kujtimet e Enver Hoxhës janë të mbushura me urrejtje dhe fyerje ndaj dhjetëra britanikëve që luftuan në Shqipëri.

   Partitë populiste 5 Yjet dhe Lega kanë më pak se dy muaj që kanë formuar qeverinë e re italiane, ndaj është ende herët për të kuptuar