Nga Ervin Karamuço

Duke dëgjuar në media gazetarë apo avokatë që debatojnë dhe analizojnë ditët e fundit për ngjarjet kriminale që kanë tronditur vendin, të bie në sy përdorimi i dendur dhe me kompetencë të ekzagjeruar i termave “vrasës profesionist”, “ekspert të qitjes me armë”, “atentat i mirëorganizuar”, etj.

Duke mos dashur ti shikoj me dashakeqësi këto terma si formë indirekte e glorifikimit të krimit në vendin tonë dhe aftësive të tij goditëse, mbetem shumë skeptik për mënyrën sesi përtypet nga publiku një informacion i tillë.

Secili ka të drejtën të debatojë dhe analizojë në këndvështrimin e tij çdo ngjarje kriminale në vend, por pa marrë përsipër të japë receta të gatshme pseudo-eksperti për një fushë, që s’ka as arsimin dhe as kualifikimet përkatëse.

Te syri i shumë studiuesve, pedagogëve, ekspertëve kriminalistë dhe kriminologë, analiza të tilla kalojnë me një heshtje që krijon një vakum të madh për të mos deformuar të vërtetën apo për të mos manipuluar me imagjinatë filmash mbi situata mjaft të rrezikshme për rendin dhe sigurinë publike.

Nëse do t’i referohesha ngjarjes së Vlorës të fiksuar nga kamera afër vendngjarjes, dakordësohem plotësisht me një trupë të shëndoshë, por të heshtur publikisht ekspertësh dhe pedagogësh, që me fakte dhe analizë të mirëfilltë profesionale kanë arritur në përfundimin, se vrasësit në atë ngjarje nuk ishin profesionistë apo të mirëpërgatitur për të kryer atë atentat për disa arsye:

Pozicionimi i gabuar i makinës për tu larguar sa më parë nga vendngjarja.

Qitja me një vijë zjarri jo të studiuar që rrezikonte një masakër tek kalimtarë të rastit apo tek pasagjerët e makinave të tjera që qarkullonin përbri objektivit.

Niveli i lartë emocional dhe kaotik në veprimet e njërit prej atentatorëve, i cili pasi shkreh armën e hedh atë në tokë dhe më pas e merr sërish.

Kjo tregon se nuk ka patur një instruktazh apo taktikë të saktë dhe të mirëmenduar veprimi ose ka qenë nën efekte lëndësh narkotike.

Zgjedhja e orës, vendit, makinës, armëve nuk tregon për nivel të lartë veprimi profesionistësh, por për një ngutje për hakmarrje në rrethana urgjente.

Ndoshta mund të ketë edhe elementë të tjerë për tu analizuar, por deduksionet e mësipërme janë vetëm nga ajo çfarë kanë fiksuar pjesshëm kamerat në vendngjarje.

Në fund të këtij shkrimi, që nxit një debat të mirëfilltë profesional (pros & cons), këshilla ime është që mediat dhe shoqëria të besojnë më shumë tek ekspertët, akademikët dhe profesionistët sesa tek adhuruesit e orëve të vona të serialeve kriminale të “Netflix”, që të nxisin të kesh një eufori dhe fodullëk imagjinar përtej arsyes.

*Autori është Profesor në Fakultetin e Drejtësisë, Departamenti Penal Tiranë