Korrupsioni kalbëzoi arsimin në Durrës

12/07/2013 - 20:35

Nga Xhevahir Gradica 

Korrupsioni, presioni dhe servilizmi janë shkaktarët kryesore që e kanë fundosur arsimin e qarkut të Durrësit në një gropë të madhe e të zeza.

Këtë fat e pati e gjitha piramida arsimore që nga Tirana deri në pikat më skajore.

Të dytat kanë qenë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me korrupsionin, qelbëzimi të cilit infektoi dhe gangrenizoi arsimin duke ia zënë plotësisht frymën deri në asfiksi të plotë.

Administrimi sektorit të arsimit në Durrës është shembull tipik se si u ndërtua piramida e pistë korruptuese, e cila njërën këmbë e kishte tek mitmarrja ndaj çdo gjëje dhe në anën tjetër te paaftësia e nënshtrimi që u mboll nga piramida për ta pasur lehtësisht të mundshme pasurimin.

Çështja kërkon analizë të gjerë, ndërkohë që mjaftojnë disa shembuj për të kuptuar se sa poshtë dhe pa shpresë gjendet sot arsimi në Durrës.

Sigurisht për të qenë bindës kërkohet konkretizim pasi kjo është mënyra më e mirë për t’u dhënë mundësi lexuesve, sidomos mësimdhënës, të gjykojnë të vërtetat.

Së pari, degradimi i arsimit në Durrës, që i hapi rrugë të shpejtë korrupsionit, erdhi thuajse në mënyrë të menjëhershme dhe të rrufeshme.

Mjaftoi ulja në karrigen e drejtuesit të arsimit në nivel qarku e e personave të devotshëm të bëjnë punën e militantëve për t’i vënë kapak të rëndë arsimit.

 Odiseja instalimit të korrupsionit nisi në kohën kur arsimi drejtohej nga Vaso Papai, i cili u detyrua të mbajë në xhep vulën e institucionit, në një kohë që një tjetër vulë bëri vartësi tij Bujar Sefa.

Për dy vite beteja qesharake mes tyre tërhoqi jo pak vëmendje për t’u mbyllur me daljen në pension të të parit dhe transferimin e të dytit në një institucion tjetër.

Pas Papajt vjen edhe shkatërrimi i arsimit në këtë qark bregdetar, që përkon me ardhjen e Mira Bllanit në krye të tij.

Gjërat shkuan si mos më keq sa hap e mbyll sytë.

Ishin Ferdinand Xheferri dhe ish-kryetari i qarkut Durrës Seid Kërtusha, të cilët e përzgjodhën emrin e saj edhe pse Bllani ishte emri më i papërshtatshmi për një punë të tillë.

Femra tendencioze, grindavece, intrigante nxiti dhe ushqeu në arsimin e Durrësit thashethemet dhe korrupsionin.

Në vend të emrit mësues e mësuese, ajo përdorte “shtriganë” dhe “shtriga”, fjalë që ia kishin thënë ca gra në rrugë e që i kishin pëlqyer shumë.

Ndër të parat veprime që bëri ishte emërimi në çdo shkollë i një mësuesi a mësueseje që, për të thënë troç e pa dorashka, bënin punën e spiunëve.

I nxitur nga pagëzuesit e saj, Bllani bëri një listë të gjatë me lëvizje të drejtorëve, nëndrejtorëve, mësuesve duke e përdorur si gurë të fortë bindjet politike, ndërsa kostoja e dëmit ishte e pallogaritshme.

Pastaj sajoi listën me mësuesit për t’i larguar nga arsimi, listën me mësues nga veriu e jugu dhe të tjera lojëra e marifete të tilla duke e çoroditur dhe degraduar arsimin.

Për sa ndenji në karrigen e drejtueses së arsimit vetëm për cilësi dhe mësimdhënie nuk u fol nga Bllani dhe stafi saj i DAR.

Pasardhësi saj Filip Gjonçi, i cili e zëvendësoi atë, i është shprehur Vaso Papajt duke i thënë: “Është fat për mua që u bëra drejtor në Durrës jo pas teje, por pas Mira Bllanit, e cila e ka çuar në greminë arsimin”.

Bllanit nuk donte t’ia dinte nëse kishte apo jo diplomë mësuesi, kishte apo jo kualifikime, kishte vite pune apo jo, ndërsa nuk bëhej fjalë për modele konkurrimi në rastet e vendeve të lira.

Bllani ushqeu pasiguri tek mësuesit të cilët krijuan radhë të gjata para derës së zyrës në pritje të takimit me të për të kërkuar një motivacion për arsyet e përfshirjes në lista.

Ajo iku nga arsimi vetëm disa ditë pasi në derën e shtëpisë së saj shpërtheu në mesnatë lëndë plasëse.

Policia nuk bëri komente për ngjarjen, ndërsa në opinionin çështja u lidh me “gjynahet” e saj.

Atë që la përgjysmë Bllani në rrugën e rrënimit e të degradimit të arsimit, e bëri Filip Gjonçi.

Ashtu si dhe pararendësja e tij, Gjonçi nuk erdhi nga konkurrimi.

Madje, ishin pikërisht kundërshtarët e grupit të Xhaferrit e Kërtushës që do e merrnin Filip Gjonçin nga kioska ku shiste bileta prej 20 vitesh për ta ulur në karrigen e drejtorit të arsimit në qarkun e Durrësit.

Gjonçi ishte zgjedhje e grupit Sokol Olldashi-Igli Cara-Eduart Ndreu të interesuar për ta monopolizuar këtë sektor jetik ashtu siç dhe e arritën pa më të voglën rezistencë.

Edhe Gjonçi e nisi punën me “reformë” emrat e së cilës vinin nga shkresat dhe sms e klanit.

Në dallim nga të tjerët, Filip Gjonçi e mori nga sirtarët dhe e uli korrupsionin në mes të tavolinë, ashtu, këmbëkryq.

Ai nisi presionet, përfoljet e drejtuesve në shkolla, kopshte dhe administratë. Gjonçi nuk u mjaftua me veprimet e paligjshme dhe korruptuese që bënte nën emrin e “reformës” dhe u përfshi në veprime e afera të tjera.

Për të parën herë, me ardhjen e tij në krye të arsimit në Durrës, u fol hapur se një vend pune këmbehej me 5 mijë euro, ndërsa Gjonçi nuk guxoi të ballafaqohej asnjëherë me këtë akuzë qytetare.

Por Gjonçi hyri edhe në lojërat me shkollat private, shtëpitë botuese të teksteve shkollore, shtëpitë botuese të librit artistik, tenderët e të tjera abuzime.

Këtë herë ai bashkëpunoi me funksionarë në Ministrinë e Arsimit dhe pranë saj si Halit Shamata, Fatmir Vejsiu, Bardhyl Musai (këshilltar i kryeministrit Berisha), Maqo Lakrori…

Së bashku me Igli Carën, Eduart Ndreun dhe Sokol Olldashin nxorën përfitime të majme në kohën që LSI-ja kërkoi nga PD 20 për qind të vendeve drejtuese në shkolla.

Nën petkun e kësaj “marrëveshje” përfituan shumë, por që më pas do të interpretohej jo si konkludim politik.

Administrata arsimore u përfshi në kaos të plotë.

Ndërsa LSI-ja prishi kontratën me Berishën, përfituesit nga 20-përqindëshi vazhduan të jenë në të njëjtat pozicione dhe kjo nxori në pah se nuk ishte marrëveshja, por dallaveret e klanit të Gjonçit që e shfrytëzuan të quajturën marrëveshje për të siguruar përfitime të paligjshme.

PD-ja dhe Gjonçi i lanë hesapet me LSI-në duke larguar të vetmin drejtues të denjë dhe me etikë profesionale e integritetin e plotë moral për drejtim, Hajri Nuhun. Madje e degdisën në pikën skajore të Durrësit.

Kaq edhe pse LSI-ja mburrej se kishte marrë dhjetëra vende drejtimi.

 Të tjerat e të tjerët shpëtuan duke nxjerrë në pah edhe të vërtetën se si arritën të bëhen drejtues në mënyrën më të pamerituar.

Gjonçi e di mirë se disa drejtues në shkolla, që fatkeqësisht janë të shumtë, janë hajdutë të xhepave të nxënësve e prindërve, se si falsifikojnë e shkelin me të dy këmbët ligjet, se përse nuk bëjnë asnjë orë mësimi, se çfarë i kanë shtyrë të shkelin rëndë etikën e komunikimit, se përse institucionin e trajtojnë si plaçkë e monopol të tyre.

Goja e pistë e tyre, futja në shkollë në gjendje të dehur, fjalori ordiner, vjedhja deri edhe e detergjenteve të nyjave sanitare e të tjera cilësi të padenja të kësaj kategorie, nuk pati as efektin më të vogël te drejtuesi arsimit.

Edhe në rastet kur u bën “nder” durrsakëve, drejtori Gjonçi e llogarit me kutin e përfitimit të paligjshëm duke e kthyer këtë institucion ndër më të infektuarit nga kjo epidemi e keqe.

Askush nuk do ta besonte se arsimi në Durrës gjatë qeverisjes Bllani-Gjonçi ka rënë në nivelet më të ulëta të arsimit në Shqipëri.

Së dyti, presioni ka qenë armë shumë e fortë në dorë të drejtuesve të arsimit për ta kalbëzuar plotësisht.

Më pak kur drejtonte Vaso Papai, i cili veprimet e paligjshme i bënte në mënyrë më të kamufluar, shumë në kohën e Mira Bllanit dhe krejt hapur e sheshit në kohën e Gjonçit presioni u bë model pune.

Presionet kanë qenë të ndryshme deri edhe në provokime për t’i larguar nga puna mësimdhënësit pa më të voglin motivacion.

Presion për të marrë pjesë në mitingjet e PD, presion në përzgjedhjen e teksteve sipas porosisë së klaneve klienteliste; presion për të nënshkruar në sindikatën që donte drejtori arsimit; presion për të mbushur formularët me emrat e njerëzve që do të votonin PD; presion për të marrë libra, tekste ushtrimesh, fletore, harta të pamiratuara nga MASH; presion për të blerë bileta koncertesh; presion për të pranuar këtë e atë paketë udhëtimi të mësuesve e nxënësve; presion për t’u mbledhur në mënyrë të kundërligjshme lekë nxënësve; presion për të detyruar fëmijët të ndjekin kurse private; presion për të shkuar në disko e komplekse duke detyruar nxënësit të paguajnë deri në 50 mijë lekë për një argëtim; presion për të shkuar në datëlindje të drejtorëve dhe grave e fëmijëve të tyre me shuma lekësh të paracakuara; presion për të blerë portofolin e gjuhës së huaj; presion për t’u blerë mikrovalë, varëse floriri, kostume mësueseve; presion për të detyruar nxënësit të anëtarësohen në PD…

Së treti, servilizmi e paaftësia kanë qenë arma shumë e përdorur për të ushtruar sundimin në arsim.

Drejtuesit e arsimit në Durrës, të cilët kanë marrë bekimin e PD-së (apo të të fortëve dhe të pushtetshmëve të saj), kanë pikasur njerëzit më të padenjë për t’u dhënë “ofiqe”.

Në lojën dhe gropën e tyre ka rënë edhe Sadiku, që thotë se është kryetar i sindikatës së arsimit dhe që nuk i mjafton Fjalori Gjuhës së Sotme Shqipe për të lavdëruar Filip Gjonçin si më të suksesshmin në historinë njëshekullore të arsimit shqiptar.

Përulja, bindja e verbër, moskundështimi në rastet e shkeljes së ligjit, nëpërkëmbja, denigrimi, rraskapitja e shkollës, heshtja përballë së keqes, miratimi verbërisht kanë qenë cilësitë parësore të pjesës më të madhe të drejtuesve të emëruar nga Papaj, Bllani e Gjonçi.

Ky i fundit i ka rrahur gjoksin Fatmir Vejsiut të MASH-it, kur i ka treguar se ka thyer rekordin duke detyruar 1120 mësues në qarkun e Durrësit të plotësonin formularët me emrat e 20 personave të familjes e të afërm që do të votonin PD me 23 qershor.

Të gjithë emrat e mësipërm janë bërë vegël e bindur dhe kanë marrë pjesë në destabilizimin e shkollave duke u shpërndarë me hir e me pahir mësuesve formularët në formë presioni, ndërkohë që tani kanë nisur të dredhin bishtin për të fajësuar sistemin.

Edhe ata që morën karrige nën ombrellën e LSI-së dhe që vazhojnë të mjelin lopën e PD-së edhe sot, i kanë plotësuar vet këto formularë për të votuar për PD-në dhe kanë detyruar edhe mësuesit të bëjnë të njëjtën gjë.

Pra edhe në LSI, edhe në PD.

Shkollat publike nuk kanë qenë asnjëherë më poshtë se në këto vite.

Shkolla “Naim Frashëri” nuk përmendet më si më e mira në qark; shkolla “Beqir Çela” e “Hysen Çela” nuk përgatitin më të rinj të kualifikuar për tregun; shkolla “Bererdina Qeraxhiu” ka vite që nuk nxjerr asnjë emër elitë në sporte; shkolla “Leonik Tomeo”, “Gjergj Kastrioti”, “Olsi Lasko” kanë nisur të kopjojnë njëra-tjetrën si dhe “Naim Frashëri” duke e mbyllur regjistrimin në shkolla pa ardhur 1 shtatori për t’u hapur rrugë veprimeve abuzive, regjistrimeve me lekë në dorë dhe në shuma të mëdha.

Sot Drejtoria Arsimore Rajonale ka një administratë tejet të korruptuar, të paaftë dhe me abuzime të rënda.

Arsimi në Durrës është tërësisht i qelbëzuar dhe ndoshta sektori më i degraduar jo vetëm në nivel qarku.

http://bulevardionline.com/korrupsioni-kalbezoi-arsimin-ne-durres/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: